​Prokurori i Shtetit i reagon Sveçlës: Ndjekja e rasteve penale s’është punë e Ministrisë së Brendshme

Aktuale

​Prokurori i Shtetit i reagon Sveçlës: Ndjekja e rasteve penale s’është punë e Ministrisë së Brendshme

Më: 21 dhjetor 2021 Në ora: 20:21
Foto ilustrim

Prokurori i Shtetit ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, duke thënë se aksionin e sotëm me urdhër të Prokurorisë Themelore në Ferizaj në Shtërpce e më gjerë, po mundohet t’i jep karakter politik.

“Hetimi dhe ndjekja e rasteve penale nuk është punë e Ministrisë së Punëve të Brendshme e as e sektorëve tjerë qeveritar, por është kompetencë ekskluzive e Prokurorit të Shtetit. Hetimet dhe rastet penale nuk kanë konotacion politik dhe nuk duhet të komentohen nga organet politike”, thuhet në reagim. 

Për më tepër, Prokurori i Shtetit thotë se aksioni i ditës së sotme është punë dhe angazhim disavjeçar i Prokurorisë, i mbështetur nga organet tjera ligjzbatuese, dhe është në vazhdën e përpjekjeve të Prokurorit të Shtetit për forcimin e sundimin e ligjit në Kosovë dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre individëve që kryejnë vepra penale pavarësisht pozitës, funksionit apo etnisë që ata kanë. 

“Ne e mirëkuptojmë vlerësimin që pushteti ekzekutiv ka filluar ta ketë për punën e Prokurorit të Shtetit, mirëpo ia u bëjmë të qartë se duhet të respektohet ndarja e pushteteve dhe kompetencat që secili institucion i ka. Në këtë kontekst, secili institucion duhet të sillet konform përgjegjësive ligjore dhe kushtetuese, pa u përzier në punët dhe kompetencat respektive”, thekon Prokurori i Shtetit. 

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka bërë të ditur se në aksionin “Brezovica” janë arrestuar 10 persona nën dyshimin për vepra penale si keqpërdorim i detyrës zyrtare, marrjes dhe dhënies së ryshfetit. 

Në mesin e të arrestuarve është edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, për të cilin Prokuroria po dyshon se ka përfituar 1 milion euro nga dhënia e lejeve për ndërtim të vilave në zonën e Brezovicës. 

Për këtë rast janë bastisur 10 lokacione në regjionin e Ferizajt, Prishtinës dhe në Shtërpcë, ku janë sekuestruar para, armë, vetura si dhe disa dokumentacione. 

Pas kësaj ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, i cili tha se lufta kundër krimit do të shtrihet në të gjitha pjesët e Kosovës.

“Ashtu siç jemi zotuar se do të luftojmë krimin në çdo cep të vendit, sot u zhvillua suksesshëm aksioni i Policisë së Kosovës ndaj krimeve me ndërtime që kanë shkatërruar një pjesë të konsiderueshme të maleve në zonën e Brezovicës. Si Ministri e Punëve të Brendshme bashkë me Policinë e Kosovës, mbesim të përkushtuar të ofrojmë siguri, rend dhe ligj për gjithë qytetarët tanë. Shkelësit e ligjit do të luftohen pa asnjë dallim, pa asnjë përjashtim, në gjithë Republikën e Kosovës”, ka thënë ndër tjerash Sveçla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat