Sali Berisha: Ballkani i Hapur i hap rrugë influencës ruse

Aktuale

Sali Berisha: Ballkani i Hapur i hap rrugë influencës ruse

Më: 20 dhjetor 2021 Në ora: 15:56
Sali Berisha

Pak para fillimit të protestës së paralajmëruar kundër vizitës së presidentit serb Aleksandër Vuçiq, ka folur organizatori i saj, ish-kryeministri Sali Berisha.

Berisha, i cili muaj më parë u shpall person ‘non grata’ nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po tenton të marrë drejtimin e Partisë Demokratike dhe të opozitës në Shqipëri, me organizime të ndryshme.

Në prononcimin Berisha ka thënë se kjo protestë është thirrur kundër Aleancës Trilaterale Beograd-Tiranë-Shkup.

Ai ka vlerësuar se iniciativa “Ballkani i Hapur” i hap rrugë hegjemonisë serbe dhe ndikimit rus në Ballkan, duke e zëvendësuar procesin e Berlinit.

“Protesta jonë është kundër Aleancës Trilaterale Beograd-Tiranë-Shkup të Vuçiq-Rama-Zaev, pra Ballkanit të Hapur dhe që refuzohet nga tri vendet tjera të Ballkanit B-H, Mali i Zi, Kosova. Kjo nismë është kundërshtuar nga Angela Merkel, Ursula vand der Leyen në Tiranë dhe Lajçak në forumin e Alpeve në Austri dhe në forumin e Bled. Me këtë nismë, Vuçiq dhe Rama zëvendësojnë nismën e Berlinit dhe hapin rrugë hegjemonisë serbe në rajon dhe influencës ruse në zonë”, ka thënë Berisha.

Ndryshe, sot në orën 16:00 pritet të mbahet protesta e thirrur nga Sali Berisha, kundër shkuarjes në Tiranë të Aleksandër Vuçiqit, Presidentit të Serbisë, në kuadër të samitit “Open Balkan”.

Teksa Partia Demokratike vijon të jetë e ndarë në dy kampe. Lulzim Basha nuk do t’ i bashkohet kësaj proteste, edhe pse ndan të njëjtin qëndrim si Sali Berisha për Ballkanin e Hapur.

Dita e sotme është parashikuar si pritje joformale e liderëve të dy vendeve të tjera që janë pjesë e kësaj nisme. Ndërsa, takimet zyrtare, nënshkrimi i marrëveshjeve dhe konferenca e përbashkët, do të mbahen nesër në Pallatin e Kongreseve.

Për të shmangur incidente të mundshme, në Tiranë janë shtuar patrullimet e mjeteve të policisë dhe janë mobilizuar forca të shumta të efektivëve.

Për pasojë, agjenda e “Open Balkan”, që do të mbahet këtë të hënë dhe të martë, do të përshtatet për të mos pasur incidente me protestuesit që do të udhëhiqen nga Sali Berisha.

Ndryshe nga takimet e shkuara, për arsye sigurie, udhëheqësit e tri vendeve nuk do të zhvillojnë një shëtitje në qytet, siç ka ndodhur në Beograd e Shkup.

Kryeministri shqiptar Edi Rama, presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në 29 korrikun e kaluar nënshkruan një deklaratë të përbashkët, e cila bazohet në 4 liritë e mëdha të bashkëpunimit në botën perëndimore: liria lëvizjes së mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve.

Ndërkohë, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina nuk kanë pranuar të jenë pjesë e kësaj nisme, përkundër thirrjeve të vazhdueshme për bashkëpunim rajonal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat