Kehoe: Prokuroria Speciale e Hagës po jep argumente antishqiptare

Aktuale

Kehoe: Prokuroria Speciale e Hagës po jep argumente antishqiptare

Më: 9 dhjetor 2021 Në ora: 21:12
Gregory Kehoe

Gregory Kehoe, avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Prokuroria Speciale e Hagës po jep argumente antishqiptare dhe me motive politike për mbajtjen e tij në paraburgim.

Sipas mbrojtjes së Thaçit, ZPS-ja ka tendenca që Kosovën ta paraqesë si shtet të dobët dhe Policinë e Kosovës si organizatë kriminale.

Avokati i Thaçit ka parashtruar në Gjykatën Speciale përgjigjen e tij ndaj Prokurorisë së Specializuar në Hagë, ku kjo e fundit ka konsideruar që Policia e Kosovës s’do të mund të garantonte sigurinë e nevojshme për lirimin e tij nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

Në parashtresë thuhet se Gjykata Speciale po përdor standarde më të ashpra se Tribunali i Hagës ndaj të gjykuarve.

“Në rastin e z. Thaçi, këto arsyetime përfshijnë ‘rrezikun’ që ai ‘mund’ të arratisej, edhe pse u dorëzua vullnetarisht; ‘rrezikun’ që ai ‘mund’ t’i pengojë procedurat dhe të ndërhyjë në dëshmitarët, dhe ‘rrezikun’ që ai do të kryejë krime të ngjashme. Këto ‘rreziqe’ teorike ekzistonin për çdo të akuzuar në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës, por megjithatë u dha lirimi i përkohshëm. Kështu nuk ndodh në Dhomat e Specializuara”, thuhet ndër të tjera në parashtresën e mbrojtjes së ish-presidentit Thaçi.

Si përfundim, mbrojtja e Thaçit kërkon që të thirret një seancë dëgjimore për t’i adresuar pikëpamjet e Policisë dhe të shteteve të që ofruan garanci për lirimin e Thaçit në arrest shtëpiak.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat