Shasha tregon 5 mesazhet nga vendimi i djeshëm i SHBA-ve, tregon ku e kanë bishtin kriminelët e veriut

Aktuale

Shasha tregon 5 mesazhet nga vendimi i djeshëm i SHBA-ve, tregon ku e kanë bishtin kriminelët e veriut

Nga: G.B Më: 9 dhjetor 2021 Në ora: 16:46
Demush Shasha

Demush Shasha nga Instituti EPIK ka reaguar për vendosjen e sanksioneve nga SHBA-të për kriminelët e veriut.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se të merresh me ta, është si të merresh me bishtin, pasi kokat e tyre janë bë Beograd dhe Prishtinë, përcjell Bota sot.

Ai ka treguar se cilat janë pesë mesazhet nga vendimi i djeshëm i SHBA-ve.

Postimi i tij i plotë:

Është vështirë e kuptueshme se si në kohën kur SHBA vendos sanksione Milan Radojçiqit, institucionet e Kosovës tërheqin fletë-arrestin ndaj tij. Por sidoqoftë, të merresh me kriminelet e veriut është të merresh me bishtin. Kokat e tyre, siç thotë edhe vendimi i SHBA-ve, janë ne Beograd dhe Prishtinë. Pesë mesazhe nga vendimi i djeshëm i SHBA-ve.

1. Me vendimin e djeshëm të SHBA-ve, Kosova e ka gjetur vetën në një grup të vogël dhe famëkeq shtetesh. Tani këtë grup e përbëjnë Kosova, Kongo dhe El Salvadori. Pra, zyrtarisht jemi në grupin e shteteve më të korruptuar dhe më të paafta për të luftuar krimin dhe korrupsionin.

2. Vendimi i SHBA-ve është verdikt mbi mungesën e vullnetit politik në Kosovë për luftimin e krimit dhe korrupsionit. Siç është cekur edhe në vendimin e SHBA-ve: “Neve do të vazhdojmë të godasim linkun në mes organizatave transnacionale kriminale dhe korrupsionit, në veçanti nga ana e atyre që gëzojnë besimin e publikut”.

3. Po ashtu, vendimi është verdikt mbi paaftësinë e organeve të sundimit të ligjit për tu çliruar nga kapja politike në zbatimin e rendit dhe ligjit. Prandaj, vendimi ka nënvizuar se: “Grupet e organizuara kriminale bashkëpunojnë me zyrtarët publik për të mbrojtur vetën nga ndjekja penale.” Kësisoji, vendimi ka legjitimuar edhe deklaratën e ish-prokurorit Sylë Hoxha i cili kishte deklaruar se ka pasur kërkesa për heqjen e fletë-arrestit të Radojciqit.

4. Nuk i takoj taborit që mendojnë se politikanët në Prishtinë kanë bashkëpunuar me Radojciqin dhe Veselinoviqin prej qejfit. Këtë akuzë nuk mund të bëjë. Jo, ata kanë bashkëpunuar me Radojciqin prej zorit - prej zorit për të mbetur në pushtet. Pra, para interesit të shtetit dhe të mirës publike, ata kanë vendosur interesat e tyre personal dhe partiak. Dhe në realizimin e synimeve të tyre ata kanë ngritur aleancat me persona të cilët akuzohen për vrasje, vjedhje dhe terror në veriun e vendit.

5. Vendimi përshkruan se Veselinoviqi ka ngritur “një rrjet të gjerë korrupsioni” me zyrtarët kosovarë dhe Serb të sigurisë. Pra, në çdo shtet normal vendimi i sotëm do ishte pikënisja e një fushate të thellë spastrimi të zyrtarëve korruptuar brenda institucioneve të sigurisë së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat