“E bëra nga mendjelehtësia”, flet i akuzuari që mori 20 euro për ta votuar Nismën

Aktuale

“E bëra nga mendjelehtësia”, flet i akuzuari që mori 20 euro për ta votuar Nismën

Më: 9 dhjetor 2021 Në ora: 14:54
I akuzuari Arsim Hoti

I akuzuari Arsim Hoti e ka pranuar fajësinë se në zgjedhjet e fundit lokale, ia kishte dhënë 20 euro ryshfet Imer Hotit, në këmbim të votës për Nismën Socialdemokrate. Kurse, i akuzuari Imer Hoti e ka pranuar fajësinë se i ka pranuar këto të holla në këmbim të kësaj vote.

Dy të akuzuarit e pranuan fajësinë për veprat penale me të cilat ngarkohen, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ali Uka, të enjten në seancën fillestare në Gjykatën Themelore në Gjakovë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të akuzuarit Arsim dhe Imer Hoti thanë se janë penduar për veprën e kryer dhe se këtë e kanë bërë nga mendjelehtësia.

Prokurori Ali Uka dhe mbrojtësit e dy të akuzuarve, avokatët Muhamet Shalaj dhe Korab Bokshi nuk e kanë kundërshtuar pranimin e fajësisë të bërë nga ana e të akuzuarve.

Avokatët i kanë propozuar gjykatës që t’i ketë parasysh rrethanat lehtësuese me rastin e caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit.

Më pas, gjykatësi Drilon Haraçia, e ka aprovuar pranimin e fajësisë të bërë nga ana e të akuzuarve, kurse shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar që të bëhet më 10 dhjetor 2021.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se i akuzuari Arsim Hoti, më 17 tetor 2021, në gjimnazin “Hamdi Berisha” në Malishevë, gjatë procesit të votimit i ka ofruar përfitim apo dhuratë të pamerituar të akuzuarit tjetër Imer Hoti, me qëllim që të ndikojë për  votuar në favor të partisë Nisma Socialdemokrate.

Tutje sipas aktakuzës, fillimisht dy të akuzuarit ishin vërejtur nga ana e dëshmitarit Agon Hoti, i cili ditën e zgjedhjeve kishte shkuar në këtë qendër votimi t’iu dërgojë ushqim vëzhguesve dhe komisionerëve dhe derisa ishte duke qëndruar në korridor për një moment në një pjesë të saj kishte vërejtur të akuzuarin Imer, i cili përmes telefonit i tregonte fotografinë e votës se për kë kishte votuar, ndërsa i akuzuari Arsim kishte nxjerrë nga xhepi shumën prej 20 euro dhe ia jep në këmbim të kësaj vote, e cila është vërtetuar edhe nga video-incizimi i kamerave të shkollës.

Për këtë, i akuzuari Arsim Hoti po ngarkohet me veprën penale “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin” nga neni 212, paragrafi 1 i Kodit Penal, e cila dënohet me burgim prej një  deri në pesë vjet.

Edhe i akuzuari Imer Hoti po ngarkohet me veprën e njëjtë penale, pasi që i njëjti sipas prokurorisë, në ditën kritike pasi kishte votuar e kishte fotografuar votën dhe pasi që del në korridor të shkollës e takon të akuzuarin Arsim dhe përmes telefonit ia tregon fotografinë dhe më pas nga i njëjti pranon ryshfet në shumën prej 20 euro. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat