Shokuese - Pengu i Hashim Thaçit në Gjykatën Kushtetuese Radomir Laban – a e përfaqëson Serbinë aty!?

Aktuale

Shokuese - Pengu i Hashim Thaçit në Gjykatën Kushtetuese Radomir Laban – a e përfaqëson Serbinë aty!?

Idriz Morina Nga Idriz Morina Më 26 nëntor 2021 Në ora: 11:50
Legjenda: Radomir Laban, i shenjuar me rrethë, duke u betuar para Hashim Thaçit, president

Nuk ka një vend tjetër në botë, që një i arratisur nga drejtësia në shtetin e tij, të shkojë dhe ta drejtojë institucionin kryesor të drejtësisë në një shtet tjetër, pavarësisht origjinës.

Është e habitshme se si kanë lejuar institucionet e sigurisë, përkatësisht AKI-ja, që të ndodhte, që i kërkuari nga Interpoli, i dënuar me 6 vjet burg, Radomir Laban, të bëhet anëtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në vitin 2018.

Cilat janë shkaqet apo motivet që në krye të drejtësisë në Kosovë, në Gjykatën Kushtetuese, të jetë përfaqësuesi i drejtpërdrejt i interesave të një shteti tjetër, krejtësisht armiqësor.

Presidenti i vendit, e kishte të drejtën dhe mundësinë që të mos e dekretonte një kriminel, që të mos bëhej anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Derisa AKI-ja mund të mos e ketë sinjalizuar, ai tashmë ishte i informuar për profilin kriminal të kandidatit për kushtetuese, nga mediat dhe nga Lëvizja Vetëvendosje.

Lëvizja Vetëvendosje nëpërmjet kryetares së Grupit Parlamentar Albulena Haxhiut, i kishte dërguar një kërkesë zyrtare me 21 maj 2018, presidentit Thaçi, që ky të mos e bënte dekretimin, për shkak të njoftimeve se ka profil kriminal, dhe është në kundërshtim me Kushtetutën.

Radomir Laban ishte zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës me 18 maj, së bashku me Safet Hoxhën, Remzije Istrefi–Peci, Nexhmi Rexhepim dhe Bajram Ljatifin, për anëtar të Gjykatës Kushtetuese.

Në vitin 2018, kryeministër ishte Ramush Haradinaj, dhe në qeveri ishin PDK-AAK-AKR dhe pakicat, por është e habitshme se si ky u votua para së gjithash nga koalicioni, por edhe nga partitë tjera.

Edhe ish-kryeministri Haradinaj është përfolur për lidhje me njerëz të krimit në veri.

Ajo që është e habitshme, Presidenca kinse e ka kryer një proces verifikimi për figurën e Labanit. “Mund ta konfirmojmë se për shkak të dyshimeve të ngritura për të kaluarën e z.Laban, Presidenti i Republikës së Kosovës nuk do ta bëjë dekretimin e tij, derisa organet kompetente të sigurisë dhe drejtësisë nuk e bëjnë verifikimin e plotë”, thuhej në përgjigjen e Presidencës të 24 majti 2018.

Por, se çfarë kishte ndodhur me verifikimin mbetet një mister, që mund ta zbardhë Presidenca tani, AKI-ja apo edhe institucionet e drejtësisë.

Po kush mund të ketë pasur ndikim për emërimin e tij

Sipas informacioneve të siguruara nga gazeta, ndikimin kryesor që Leban të propozohet dhe pranohet për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, do ta ketë pasur i kërkuari për krime të ndryshme, Milan Radojçiq, i cili është po ashtu ‘dora e djathtë’ e Vuçiqit në Kosovë, dhe me shumë gjasë në mbrojtje të tij nga drejtësia në Serbi, ndërsa edhe në veri të Kosovës, duke u mbrojtur nga strukturat paralele të atjeshme.

Radojçiq, ndikimin e tij do ta ketë ushtruar edhe te Lista Serbe. Një motiv tjetër apo lidhje ndërmjet Radojçiqit dhe Lebanit, është vendi i origjinës, që të dy janë nga Gjakova. Pra, përveç lidhjeve kriminale do të kenë ndikuar edhe lidhjet e tjera.

Po ashtu Radojçiqi, duke qenë mik i Vuçiqit, do të hynte ose do ta forconte miqësinë me të Hashim Thaçi, gjithnjë ky duke besuar se duke lëvizur ‘gurët’ e kufirit së bashku, duke i dhënë territor të Kosovës, do të bëhej më mirë për të, dhe në fund do t’i shpëtonte Gjykatës Speciale, madje qoftë në fund të procesit, duke u shpallur si hero shqiptarë, pasi ‘kishte arritur ta bashkonte kombin në një shtet’!

Por, andrallat e tij u ndalën nga gjykata speciale, dhe shtetet mike të shqiptarëve, të cilët nuk lejuan t’i sakrifikojnë edhe njëherë!

Laban nuk është thjesht një i dënuar për krime.

Kanë kaluar tri vjet nga emërimi i tij anëtar i Gjykatës Kushtetuese, ndërsa mjeti juridik për shkarkimin e tij thuaja nuk ekziston apo është vështirë i realizueshëm. Por, janë të përcaktuara qartë parakushtet që dikush të jetë anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Sipas nenit 114 të Kushtetutës sonë, anëtarët e kësaj gjykate duhet të kenë kredibilitet të lartë moral, përveç kushtit që duhet të jetë ‘jurist i shquar’. “Gjykata Kushtetuese përbëhet nga nëntë (9) gjyqtarë, të cilët do të jenë juristë të shquar dhe personalitete me moralin më të lartë, jo me më pak se dhjetë (10) vjet përvojë profesionale përkatëse”.

Pse presidenti e shkeli këtë nen kushtetues, dhe pse AKI-ja, apo nëse një resor specifik i saj, nuk ndërmori hapat e duhur me kohë. Për pasojë, ai do të mbetet edhe rreth 6 vjet në këtë detyrë, sepse mandati i një anëtari të Gjykatës është nëntë vjeçar.

Ndoshta, sipas dosjes së tij sekrete Laban mund të jetë edhe pjesëtar i Shërbimit Inteligjent të Serbisë, ose ka qenë, kjo pasi ai Laban kishte punuar si zyrtar i Njësitit të Inteligjencës së Drejtorisë së Doganave.

Cila është mundësia e shkarkimit

Një mundësi shkarkimi është vetëm nëpërmjet inicimit të procedurës së shkarkimit nga vetë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, e që në këtë rast barra bie, mbi kryetaren e kësaj Gjykate Arta Ramën.

Sipas nenit 118 të Kushtetutës, të vetmen mundësi presidenti/-tja e ka nëse asaj i shkon propozimi nga 2/3 e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. “Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese mund të shkarkohen nga Presidenti i Republikës së Kosovës me propozimin e dy të tretave (2/3) të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, vetëm për kryerjen e krimeve të rënda ose për mospërfillje të rëndë të detyrave”.

Se ka kryer një krim të rëndë është e padiskutueshme, pasi ai është i dënuar me 6 vjet burg efektiv nga drejtësia në Serbi.

Një mundësi e dytë, është arrestimi për shkak se një kërkesë e tillë ekziston në Interpol, dhe Kosova ka bashkëpunim, ndërsa një shkresë për dorëzimin tek autoritetet e Serbisë ekziston, e cila në nëntor të vitit 2017 i ishte drejtuar EULEX-it për këtë qëllim.

Pra, nëse Arta Rama refuzon, që ta iniciojë procedurën e shkarkimit të Lebanit, atëherë, është në dorën e Xhelal Sveçlës ministër i Punëve të Brendshme, dhe më së shumti në duart e Albulena Haxhiut, ministre e drejtësisë, që ta arrestojë dhe dorëzojë Labanin në Serbi.

Rreziku për Asociacionin

Vetëvendosje në gusht të vitit 2018 kishte alarmuar se Hashim Thaçi e kishte bërë anëtar të Gjykatës Kushtetuese Lebanin, në mënyrë që nëse çështja e Asociacionit mund të dërgohet sërish në atë gjykatë, të merrej një vendim favorizues.

“Hashim Thaçi ka qenë në dijeni për të gjitha këto dhe përkundër kësaj ka rehabilituar në institucionin kushtetues një person me të kaluar kriminale. Rehabilitimi i një personi me të kaluar kriminale në institucionin më të lartë kushtetues, përveç që e degradon edhe më tej cilësinë e këtij institucioni, i katandisur si mos më keq për shkak të ndërhyrjeve dhe presioneve, ka për qëllim kryesor legjitimimin e “Zajednicës” dhe projekteve tjera të dëmshme”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

Edhe kryetari i Shoqatës së Malazezëve të Kosovës, i kishte drejtuar një letër Ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Vulinit, duke i kërkuar veç tjerash ekstradimin e tij, me arsyetimin se “serbët dhe malazezët në Kosovë janë shumë të shqetësuar dhe të hutuar për rihapjen e çështjes Laban... Sidomos për faktin se po e mbrojnë presidenti dhe zyrtarët më të lartë të Listës Serbe, duke iu referuar Beogradit zyrtar dhe presidentit të Serbisë”.

Pra, kjo e konfirmon se Laban është i preferuari i Vuçiqit, dhe Hashim Thaçi, nuk mund ta pengonte Kushtetuta e Kosovës, mediat, apo ndoshta edhe AKI-ja, që ai ta emëronte një kriminel në institucionin më fisnik të Kosovës, Gjykatën Kushtetuese.

Në muajin gusht të këtij viti, në një takim me gazetarë në Graçanicë, kryetari i Listës Serbe dhe ministri për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq, e kishte mbrojtur fuqishëm Labanin, duke e quajtur “mburojë morale dhe gjyqtar profesionist, me reputacion dhe besueshmëri të pamohueshme”. “Lista Serbe i merr të gjitha vendimet unanimisht dhe në konsultim me Beogradin”, kishte deklaruar ai.

Pse ishte dënuar Leban me 6 vjet burg?

Laban përveç se i dënuar me 6 vjet burg, ai kishte mbajtur 2 vjet dhe katër muaj, apo 28 muaj përgjithësisht.

Por, për standardin e Kuvendit të Kosovës dhe të Hashim Thaçit, ai i plotësonte kushtet. Leban, ishte arrestuar në Serbi në vitin 2006 dhe ishte dënuar në vitin 2011 nga Gjykata Speciale për Krim të Organizuar në Beograd, me 6 vjet burgim si pjesë e grupit kriminal 21 anëtarësh “Mafia doganore”, pasi provat konfirmonin se kishin kontrabanduar mallra.

Sipas dosjes grupi ku ishte Laban kishte përfituar dobi pasurore kundërligjore shumë milionëshe me kontrabandim të mallrave, si alkool, cigare etj.

Radomir Laban kishte punuar si zyrtar i Njësitit të Inteligjencës së Drejtorisë së Doganave.

Nga 3 shkurti i vitit 2014 si është në kërkim edhe nga Interpoli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat