Elezi: 1 mijë e 90 votues nga diaspora kanë të drejtë për të votuar sërish për Dragashin

Aktuale

Elezi: 1 mijë e 90 votues nga diaspora kanë të drejtë për të votuar sërish për Dragashin

Më: 25 nëntor 2021 Në ora: 17:15
Valmir Elezi

1 mijë e 90 është numri i votuesve nga diaspora me të drejtë vote për të votuar sërish për kryetar të komunës së Dragashit.

Të drejtën për të votuar përmes postës sërish, e kanë vetëm votuesit të cilët janë regjistruar si votues jashtë Kosovës për periudhën 10 korrik – 18 gusht 2021.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

“Të drejtën për të votuar përmes postës e kanë vetëm votuesit të cilët janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës 10 korrik – 18 gusht 2021. Numri i votuesve jashtë Kosovës për Komunën e Dragashit është: 1,090”, ka thënë Elezi.

Gjykata Supreme të enjten ka marrë vendim që votat e ardhura me postë nga jashtë për Komunën e Dragashit të mos njihen.

Po ashtu ka vendosur që diaspora nga kjo komunë të votojë sërish dhe në bazë të atyre votave do të zgjidhet edhe kryetari i ri i komunës.

Ndryshe, Komisioni Qendror Zgjedhor nuk kishte certifikuar rezultatet e zgjedhjeve lokale të balotazhit në Dragash pasi që Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa mori vendim për anulimin e të gjitha fletëvotimeve të dorëzuara përmes postës për kryetar komune.

Ky vendim ka ardhur pasi që kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Shaban Shabani, ka bërë ankesë në PZAP sepse kishte pretenduar se në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale ka pasur manipulime në votat me postë të cilat kanë cenuar integritetin e procesit zgjedhor, “duke devijuar vullnetin e shumicës së zgjedhësve”.

Ndërkaq, sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, kandidati i PDK-së kishte fituar në raundin e dytë të zgjedhjeve në Dragash me 50.21 për qind të votave, apo pesë mijë e 648 vota, duke lënë pas kandidatin e LDK-së, i cili kishte 49.79 për qind apo pesë mijë e 601 vota.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat