Kërcënohet kryeredaktori i “Bota sot” Idriz Morina, me jetën e familjes!

Aktuale

Kërcënohet kryeredaktori i “Bota sot” Idriz Morina, me jetën e familjes!

Më: 22 nëntor 2021 Në ora: 12:05
Idriz Morina

Të dielën në mbrëmje, një telefonatë iu bë kryeredaktorit të gazetës “Bota sot”, Idriz Morina, me mesazhe të qarta kërcënuese, për jetën, drejtuar familjes së tij.

Në një bisedë telefonike disa minutëshe kërcënuesi, disa herë ia ka kërcënuar familjen, nëse nuk i lë shkrimet.

“Lej shkrimet më, nuk ke pse shkruan më, e dimë nga je, të gjitha. Nuk është koha për ty, të shkruash...”, duke vazhduar me kërcënimin e familjes, pjesë të cilën nuk duam ta publikojmë, por, që e disponon edhe policia e Kosovës.

Rasti është regjistruar në polici, dhe është hapur procedura me vlerësimin “kanosje”, sipas procedurës hetimore.

Nuk është ky kërcënimi i parë që i bëhet kryeredaktorit Idriz Morina vetë atij dhe me kërcënime për familjen, gjatë punës si gazetar, redaktor dhe kryeredaktor prej më shumë se 20 vitesh.

Por, pavarësisht të gjithave e vërteta nuk ndalet, redaksia e “Bota sot” vazhdon ta artikulojë të vërtetën, për krimet e kryera gjatë apo pas luftës, pavarësisht që dikujt nuk mund t’i pëlqejnë.

Institucionet e Kosovës kanë premtuar sundimin e rendit dhe ligjit, dhe i bëjmë thirrje që të veprojnë në mënyrën më të mirë.

Redaksia e “Bota sot”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat