Publikohet fotografia e Ibrahim Qadrakut, i përfshirë në grabitjen e Prizrenit/ Kjo është e kaluara kriminale e tij

Aktuale

Publikohet fotografia e Ibrahim Qadrakut, i përfshirë në grabitjen e Prizrenit/ Kjo është e kaluara kriminale e tij

Më: 18 nëntor 2021 Në ora: 17:48
Ibrahim Qadraku

Janë arrestuar sot dy të dyshuarit që kryen një grabitje në një argjendari mbrëmjen e së hënës në Prizren.

Dy të dyshuarit, Leotrim Latifi dhe Ibrahim Qadraku kanë të kaluar kriminale, teksa në grabitjen e së hënës në Prizren, plagosën rëndë pronarin e argjendarisë dhe birin e tij.

Përderisa Leotrim Latifi është emër i njohur për opinionin publik, duke qenë se i njëjti dyshohet për mbi 15 grabitje të armatosura, Qadraku ka një profil më të ulët publik, ndonëse i njëjti ishte dënuar me gjashtë vjet burgim efektiv për grabitjen në hotelin “Swiss Diamond.

Gazeta ka arritur të sigurojë një fotografi të Qadrakut, i cili jozyrtarisht besohet të këtë mbajtur vetëm dy muaj burgim për një plagosje e cila ka ndodhur në Prishtinë.

Ibrahim Qadraku, së bashku me Shkëlzen Lecin, Fatlum Begolli, Shpend Krasniqi, Xhemajl Qadraku, dhe Mentor Beqolli, akuzoheshin se kishin kryer grabitjen në hotelin “Swiss Diamond”, ndërsa Liridon Leci dhe Agon Dulla, së bashku me Shkëlzen Lecin, Ibrahim Qadrakun, Fatlum Begollin, akuzoheshin për grabitje në filialin e bankës “TEB” në Prishtinë.

Ata akuzoheshin se nga hoteli “Swiss Diamond”, kishin marrë stoli në vlerë prej 199.530.00.

Sipas aktakuzës së vitit 2014, të pandehurit Shkëlzen Leci, Ibrahim Qadraku dhe Fatlum Beqolli kishin ikur me shpejtësi nga vendi i ngjarjes dhe në një grup me të pandehurit Xhemajl Qadraku, Mentor Beqolli dhe Hyzri Tullari, i kishin fshehur një pjesë të stolive ne afërsi të një rruge në Matiqan. Më pas Qadraku dhe Beqolli me 9 gusht 2014, kishin shkuar dhe i kishin marrë stolitë dhe i kishin dërguar në shtëpinë e Qadrakut, të cilat stoli janë gjetur dhe konfiskuar nga policia me 9 gusht 2014.

Për grabitjen në “TEB” në qershor të vitit 2014, ai ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me gjashtë vjet burgim.

Përveç dënimit me burg, i akuzuari Ibrahim Qadraku së bashku me tre të akuzuar të tjerë, kanë pasur t’i kompensojnë dëmin bankës “TEB” në shumën prej 39.930 eurosh.

Si ndodhi grabitja e së hënës mbrëma në argjendarinë në Prizren?

Pasditen e së hënës, tre persona të maskuar dhe të armatosur kanë hyrë në një argjendari në Prizren, ku kanë tentuar të grabisin stoli ari.

Të dyshuarit kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të pronarit te argjendarisë dhe djalit të tij, të cilët kanë mbetur të plagosur si pasojë e të shtënave.

Policia në raportin 24 orësh ka bërë të ditur se të dyshuarit kanë ikur nga vendi i ngjarjes me një veturë.

Ndërsa, në konferencën e mbajtur sot, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Admir Shala, tha se hajnat kanë hasur në rezistencë të pronarëve dhe gjatë arratisjes kanë lënë veturën me të cilën kanë ardhë dhe me forcë kanë arritur të marrin një veturë në qarkullim.

“Kanë hasur në rezistencë nga pronarët e lokalit, gjatë përleshjes mes tyre ka ardhur deri te shkrepja e armës së zjarrit ku si pasojë janë të lënduar edhe pronari i lokalit dhe djali i tij, të cilët gjenden jashtë rrezikut për jetën dhe janë duke u trajtuar në Spitalin e Prizrenit dhe Qendrën Klinike Universitare. Të dyshuarit gjatë arratisjes kanë arritur që ta lëjnë veturën e tyre për arsye të panjohura dhe ta ndalin një veturë, e cila ishte në qarkullim në ato momente, me forcë e detyrojnë shoferin e automjetit që të largohet. Të njëjtin automjet e marrin dhe shkojnë në drejtim të lagjes Jagllenicë, ku shkojnë deri të një pompë e benzinës, marrin benzinë dhe kthehen e kallin veturën me të cilën kishin ardhur në Prizren. Largohen në drejtim të suharekës, ku policia i është vënë në ndjekje, gjatë ballafaqimit me grabitësit ka pasur edhe shkrepje me armë. Por të njëjtit pasi kanë qenë të armatosur me armë të gjata kanë arritur të largohen në drejtim të autostradës më tej”, tha kryeprokurori Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat