Bekim Jashari inauguron ndërtimin e objektit për personat me nevoja të veçanta

Aktuale

Bekim Jashari inauguron ndërtimin e objektit për personat me nevoja të veçanta

Më: 2 nëntor 2021 Në ora: 18:36
Foto nga vendi i ngjarjes

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, së bashku me drejtorin  e organizatës “Qëndresa Kosovare”, Islam Cakaj dhe drejtorin e shoqatës “HANDIKOS”, Arsim Haziri, vendosen gurë themelin e fillimit të punimeve për ndërtimin e objektit për personat me nevoja të veçanta në Skenderaj.

Kryetari Jashari, u shpreh shumë i lumtur për fillimin e këtij projekti, pasi që sipas tij nga paslufta kategoria e personave me nevoja të veçanta, nuk është trajtuar në mënyrë të duhur nga institucionet.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur që sot po inaugurojmë fillimin e ndërtimit të objektit për personat me nevoja të veçanta në komunën tonë, të cilët që nga paslufta kanë qëndruar në ambiente me kushte të rënda, pa përkujdesje dhe pa trajtim dinjitoz dhe pa punësim të tyre. Ky objekt që sot filluam ta ndërtojmë do të jetë një objekt modern dhe shembull edhe për komunat tjera, pasi që do të jetë i kompletuar me të gjitha kushtet e nevojshme duke përfshirë trajtimin dhe rehabilitimin e tyre”, tha Jashari. 

Jashari, duke falënderuar organizatën “Qëndresa Kosovare”, për bashkëpunimin e shkëlqyer ndau mirënjohje për këtë organizatë, ku tutje theksoi se me organizatën “Qendra Kosovare për Vetë- Përkrahje” janë duke realizuar edhe projektin për punësimin e personave të kësaj kategorie.

“Krahas ndërtimit të kësaj qendre, si qeverisje komunale bashkë me Bashkimin Evropian dhe organizatën “Qendra Kosovare për Vetë- Përkrahje”, jemi duke realizuar projektin për punësimin e personave me nevoja të veçanta dhe integrimin e tyre në tregun e punës. Në fund me lejoni që për ndërtimin e kësaj qendre të falënderoj donatorin nga shteti i Katarit dhe organizatën “Qëndresa Kosovare”, me kryetar Islam Cakaj, të cilit sot dua t’i ndaj një mirënjohje”, tha ai.

Kurse drejtori i kësaj organizate, Islam Cakaj, u shpreh mirënjohës ndaj Kryetarit Jashari, për angazhimin e tij të madh për jetësimin e këtij projekti.

“Shfrytëzoj rastin që të falënderoj Kryetarin e Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, për angazhimin e tij dhe mundin që ka dhënë në përgatitjen e këtij projekti”, tha Cakaj.

Në anën tjetër, drejtuesi i shoqatës “HANDIKOS”, në Skenderaj, Arsim Haziri, u shpreh jashtëzakonisht i lumtur me fillimin e këtij projekti, duke deklaruar se për herë të parë në këtë komunë,  Kryetari Jashari, ka punuar për personat me nevoja te veçanta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat