Kurti iu vonua 1 minutë në takim, eskalon Haradinaj - e quan hajn

Aktuale

Kurti iu vonua 1 minutë në takim, eskalon Haradinaj - e quan hajn

Më: 18 tetor 2021 Në ora: 22:42
Ramush Haradinaj

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, deklaroi se i ishte përgjigjur ftesës së kryeministrit Albin Kurti për takim pas ngjarjeve që ndodhën në pikat kufitare në Veri, por që më pas ishte nervozuar pasi kishte arritur në zyre të tij.

Në emisionin Rubikon ai tha se ftesën e kishte pasur për në ora nëntë të mëngjesit dhe se në zyre i kishte shkuar Kurtit me kohë, madje dhe disa minuta më herët, por me të mbërritur aty thotë se një djalë i protokollit të kryeministrit e kishte pyetur nëse donte të pinte kafe në korridor dhe se nuk i kishte dhënë ndonjë shpjegim rreth asaj se pse Kurti nuk gjendej aty që ta priste.

“Kam shkuar në takim në orën që ma ka caktuar Kurti. Ai më ka ftuar për në ora 9:00, unë i kam shkuar te dera e zyrës në 9:01 minuta. Më ishte afruar një djalë i protokollit e më tha ‘a do me pi diçka në korridor duke e pritur Kurtin’, i thash ‘ku me pi – këtu a?, tha po’.

“E pyeta a kemi takim me kryeministrin, s’dijke me më dhënë përgjigje. I thash ‘thuaj atij hajnit tënd që kur e thirr njerin, duhesh me e prit’”.

“Me lyp ti takim e ai me t’u vonu, bën, e kur të thirr ai e ti i shkon e mos me qëllu ai aty dhe mos me dhënë shpjegim…! Nuk e di pse e ka bërë ashtu ose çka ka menduar si funksionon, por nuk bën një zyrtar i qeverise me bë gjëra të tilla”.

“Unë i kam shkuar para kohe për t’ia respektuar thirrjen. I kam shkuar para kohe te dera e zyrës, dhe kur ka kaluar koha jam larguar nga aty se nuk më është dhënë asnjë shpjegim, por veç më kanë pyetur a dua të pi diçka në korridor. Nuk më ka ardhur puna të pi kafe korridoreve. Nuk pati as shpjegim, ishte e habitshme”.

Megjithatë, Haradinaj tha se edhe pas kësaj ai është në gjendje t’i shkojë sërish kurdo që Kurti e thërret në takim për tema të interesit nacional.

“Por prapë dal nga aty nëse s’ma respekton orarin”, përfundoi Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat