E turpshme! Drenica e “Presidentit Thaçi” tradhtoi Drenicën e Adem Jasharit

Aktuale

E turpshme! Drenica e “Presidentit Thaçi” tradhtoi Drenicën e Adem Jasharit

Nga: Mimozë Lakna, Bota sot Më: 18 tetor 2021 Në ora: 20:47
Pamje nga festimet e PDK-së në Skenderaj

E respektojmë çdo familje, i respektojmë pa kushte, sigurisht që dëshirojmë që ata me qenë jashtë politikës, respekt për gjithkënd, por votën vetëm PDK-së”. Këto ishin fjalët e Mëgrim Lushtakut, deputet i PDK-së në Kuvendin e Kosovës, menjëherë pas publikimit të rezultateve të para për zgjedhjet lokale në komunën e Skenderajt.

Për të qenë më të qartë, theksojmë se ajo “çdo familje” që e përmendi Lushtaku është familja e komandantit legjendar, Adem Jashari. Ajo “çdo familje” është flijuar për lirinë, të cilën ne sot po e gëzojmë. Ajo “çdo familje” është familja me të cilën identifikohej PDK-ja e Lushtakut.

PDK thirrej në emrin e familjes Jashari, kur kishte nevojë për vota e pushtet.

Mërgim Lushtaku, do të duhej t`i kujtonte këto gjëra në atë moment ekzaltimi dhe të mos e trajtonte me aq pa respekt familjen Jashari.

Por, kur kthehemi në retrospektivë dhe kujtojmë veprimtarinë e PDK-së ndër vite, nuk na habisin fjalët e Lushtakut kundrejt familjes më legjendare që ka njohur historia mbarëshqiptare.

Bekim Jashari, me kohë i kishte kuptuar dredhitë e PDK-së, andaj edhe ishte distancuar nga ajo.

Në përvjetorë të ndryshëm, krerët e PDK-së nuk mirëpriteshin në odën e familjes Jashari, ose më mirë të themi nuk kishin as fytyrë t`i shkonin në odë bacës Rifat, sepse Kosova nën udhëheqjen e tyre nuk ishte ajo për të cilën u flijua Adem Jashari dhe 55 anëtarët e familjes së tij.

Festa e PDK-së pas rezultatit të zgjedhor në Skenderaj mund të quhet edhe “festë për tradhtinë”, ndaj familjes Jashari.

Kjo pasi, PDK së bashku me deputetët e saj, bënë një luftë të hatashme kundër Bekim Jasharit dhe Listës së tij.

Deputetja Ganimete Musliu, tha se Drenica është e Presidentit Thaçi. "Ju përshëndet Drenica e PRESIDENTIT THAÇI!" ka shkruar ajo në Facebook.

Me këtë fjali, deputetja Musliu i doli në krah edhe “Kosovës së Presidentit Thaçi”.

E Kosova nën udhëheqjen e Hashim Thaçit, ishte e zhytur në krim e korrupsion.

Kosova ende nuk po arrin të këndellët nga të këqijat që ia ka shkaktuar Presidenti dhe “komandantët” e Ganimete Musliut.

Sikur në luftë që e lanë të vetme familjen e komandantit legjendar Adem Jashari, njësoj vepruan edhe dje me angazhimin e tyre kundër Bekim Jasharit.

Por, Bekim Jasharin dhe familjen Jashari nuk i lanë vet asnjëherë qytetarët e Kosovës dhe mbarë shqiptarët kudo që janë.

Rezultati zgjedhor në komunën e Skenderajt u kontestua, pasi sipas raportimeve të ndryshme, PDK-ja vuri në skenë metodat e saj të vjetra për keqpërdorim votash e presion ndaj përkrahësve të Jasharit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat