Mungesa e teksteve shkollore, Nagavci u hedh fajin drejtorive komunale të Arsimit

Aktuale

Mungesa e teksteve shkollore, Nagavci u hedh fajin drejtorive komunale të Arsimit

Më: 6 tetor 2021 Në ora: 14:22
Foto ilustrim

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci është deklaruar në lidhje me ankesat e shumta për mungesë të teksteve shkollore.

Nagavci ka thënë se ka dërguar komisione që të bëjnë vizita nëpër shkolla dhe sipas informacioneve ka pasur raste kur Drejtoritë Komunale të Arsimit nuk kanë qenë në nivelin e duhur të detyrës duke mos planifikuar tekstet për nxënësit e të gjithave shkollave.

Sipas Nagavcit, në disa raste komisionet për pranimin e teksteve janë formuar me persona jo kompetent.

“Gjatë këtyre vizitave jemi informuar se DKA-të, në disa raste nuk kanë qenë në nivelin e duhur të detyrës, duke mos planifikuar tekstet për nxënësit e të gjithave shkollave dhe duke mos bërë kërkesë të saktë në raport me numrin e nxënësve e madje në disa raste komisionet për pranimin e teksteve janë formuar me persona jo kompetent (punëtorë teknik)”, shkruan Nagavci.

Ajo tutje ka thënë se janë të gatshëm të përmbushin kërkesat, nëse ka pasur lëshime nga MASHTI.

“Nëse ka pasur ndonjë mos përmbushje të obligimeve nga ana e MASHTI, ne jemi të gatshëm t’i plotësojmë menjëherë edhe pse deri tash nuk e kemi asnjë informatë të tillë”, shkruan Nagavci.

Postimi i plotë:

Ditëve të fundit kam pranuar ankesa të shumta në lidhje me mungesën e disa teksteve shkollore.

Andaj, ju informoj se më 15 qershor, Ministria e Arsimit ka njoftuar të gjitha Drejtoritë komunale të Arsimit se këtë vit do të shpërndajë tekstet për nivelin I-5 dhe për nxënësit e klasës së 8, tekstet alternative për nxënësit e klasave 6 dhe 7 si dhe tekstet shkollore për lëndën e gjuhës gjermane dhe frënge.

Njëkohësisht, MASHTI i ka njoftuar DKA-të se sipas udhëzimit Administrativ nr.13/2016, tekstet e klasës 6, 7 dhe 9 do të përdoren të vitit paraprak andaj shkollat është dashur të sigurohen që nxënësit e këtyre klasave t’i kthejnë tekstet në fund të vitit shkollor.

Bazuar në kërkesat që i kanë bërë komunat, MASHTI i ka kontraktuar shtëpitë botuese dhe e ka bërë shpërndarjen e teksteve shkollore.

Pra, shpërndarja e teksteve është bërë në respektim të plotë të kërkesave që kanë ardhur nga Drejtoritë Komunale të Arsimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat