Muhamet Hamiti sqaron idenë e Përparim Ramës për ndërtimin e liqenit

Aktuale

Muhamet Hamiti sqaron idenë e Përparim Ramës për ndërtimin e liqenit

Nga: M.L. Më: 22 shtator 2021 Në ora: 21:52
Muhamet Hamiti

Ideja e kandidatit për kryetar të komunës së Prishtinës nga radhët e LDK-së, Përparim Rama për shndërrimin e stadiumit “Fadil Vokrri” në liqen nxiti reagime të shumta në opinion.

Muhamet Hamiti, anëtar i kryesisë së LDK-së, ka sqaruar opinionin lidhur me këtë ide. Ai ka thënë se Përparim Rama dhe LDK-ja nuk e kanë paraparë projektin e ‘liqenit’në Programin 2021-2025.

Përpjekje për të sqaruar keqkuptimet rreth ‘liqenit’ në Prishtinë. Ka shkaktuar keqkuptime një ide e Përparim Ramës, kandidat për kryetar të Prishtinës, që e shpalosi ai në një intervistë televizive, për mundësinë e ndërtimit të një liqeni artificial (park) në Prishtinë në një të ardhme jo të afërt, në pjesën e kryeqytetit ku gjendet aktualisht Stadiumi “Fadil Vokrri”. Do vënë në pah se Përparim Rama dhe LDK-ja nuk e kanë paraparë projektin e ‘liqenit’në Programin 2021-2025, me të cilin garojnë në zgjedhjet e 17 tetorit, siç mund ta shohë kushdo që e ka lexuar ose e lexon këtë program, që është bërë tashmë publik për të gjithë. Ka në këtë Program të Përparim Ramës projekte të mëdha që do ta transformojnë kryeqytetin dhe gjithë komunën e Prishtinës, por aty nuk është ideja e përfolur për keq - do të doja të besoja, pa të keq - mbasi komentet kanë qenë tallëse nga disa komentatorë”, ka shkruar Hamiti në Facebook.

Sipas Hamitit, Rama në deklaratën për liqenin ka paraparë vizionin e tij për të ardhmen e Prishtinës.

Për t’u kthyer te deklarata e Përparim Ramës. Pas pyetjes së gazetarit, ai ka thënë në emisionin në fjalë se në vizionin e tij, një ditë në të ardhmen, mbasi të jetë ndërtuar qendër e sporteve në periferi të qytetit, duke përfshirë edhe Stadiumin, do të mund të mendohej që në atë vend (te Sadiumi Fadil Vokrri) të mund të bëhet liqen artificial. Sigurisht jo i madh, një liqen me karakter rekreacional, ka menduar ai, siç ka në qytete të tjera në Evropë dhe gjetiu. (Shembuj: Hyde Park dhe Regent’s Park në Londër, do të shtonim ne). Pse liqen i tillë artificial (park) mu aty? – shtrohet pyetja. Sepse bri Stadiumit aktual, në anën veriore të tij, bëhen bashkë lumenjtë Vellusha dhe Prishtina (‘Prishtevka’), aktualisht lumenjë nëntokësorë, sepse janë mbuluar. Uji i këtyre dy lumenjve do të furnizonte liqenin rekreacional, i cili do të ofronte mundësi për rekreacion të qytetarëve në një hapësirë disahektarëshe në zemër të qytetit”, shkroi Hamiti.

Ai potencoi se një ide e tillë do të realizohej po të kishte pëlqimin e qytetarëve të Prishtinës, pasi të jetë ndërtuar hapësirë më e madhe dhe më e përshtatshme për futboll e sporte të tjera në periferi të qytetit, një lloj kampusi i sporteve, duke përfshirë ndërtimin e Stadiumit të Prishtinës, të cilin e kishte paraparë komuna jonë në planin e vet strategjik, ndërsa Qeveria e Kosovës ka ndarë tashmë lokacionin për të.

Besoj se qytetarët e Prishtinës do të kenë rastin ta lexojnë Programin zgjedhor të Përparim Ramës e të dëgjojnë për të, edhe nga vetë kandidati për kryetar, në javët në vijim. Duke e parë këtë Program dhe duke njohur njeriun që do të marrë besimin për ta realizuar – duke e krahasuar edhe me programe të kandidatëve të tjerë - votuesit do të mund të bëjnë zgjedhjen që ofron zgjidhje për problemet e Prishtinës, në qytet e në fshatra”, përfundoi Hamiti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat