“Tregoje veten Albin,vërja drynin këtyre “qendrave të masazhit”!”

Aktuale

“Tregoje veten Albin,vërja drynin këtyre “qendrave të masazhit”!”

Nga: M.L. Më: 9 shtator 2021 Në ora: 17:09
Foto ilustrim

Ditë më parë u publikua një video-incizim ku shiheshin tri vajza duke u sulmuar nga një burrë. Për ngjarjen e cila kishte ndodhur në mes të ditës në kryeqytet, pati reagime të shumta. Madje, sulmuesi edhe u arrestua më vonë.

Lidhur me këtë rast reagoi sot publicisti Liri Loshi, i cili komentoi një deklaratë të njërës prej vajzave të sulmuara, që dolën të ishin punëtore në një qendër masazhi. Ajo kishte deklaruar se prindërit e tyre nuk e dinin për punën që bënin.

“Lexojeni këtë pjesë të deklaratës së masazhistes në Prishtine, e cila thotë se ajo dhe shoqet e saj të punës u kërcënuan nga klienti, pasi ai kërkoi favore seksuale pas masazhes! “Kur ka dal na ka kërcënuar për me dal me to. Na ka kërcënuar për me shku me to jashtë. Na ka kërcënuar që na i publikon videot që na i ka bo me telefon të vetin. Mua më pengon kjo përderisa familjet tona nuk e dinë që punojmë këtu..." Njeriu ka kërkuar favore seksuale në një qendër masazhi në Prishtinë!!!”, shkruan Loshi në Facebook.

Ai thotë se sipas kësaj deklarate që ka dhënë vet masazhistja, po del se kjo qendër ofroka diçka me shume se masazhe.

“Ndryshe, pse familjet e masazhisteve nuk e ditkan që ato punojnë aty dhe pse ato i penguaka ky fakt?! A ka në këtë qendër masazhistë edhe meshkuj, apo vetëm femra? A janë të kualifikuara këto masazhiste për punën që bëjnë?”, shton ai.

Liri Loshi thekson se puna e masazhisteve është punë krejt normale.

“Unë bëj masazhe njëherë në muaj dhe nuk kam asnjë konflikt me masazhisten time, madje shërbimin e saj ma paguan sigurimi shëndetësor 80 për qind. Vetëm në Kosovë ndodh që masazhistja dhe klientët mos me u marr vesh mes vete. Ndoshta edhe në ndonjë vend tjetër të botës së tretë”, shprehet ai.

Për këtë arsye, publicisti Loshi i bën thirrje kryeministrit Albin Kurti që t`i mbyllë qendrat e masazhit.

“Albin, vërja drynin këtyre "qendrave të masazhit"! Krijo një ambient të ri dhe një kulturë të re në Kosovën tonë të dashur që njerëzit të mund të rrisin fëmijët dhe të jetojnë me nder në vendin e tyre. E kuptoj se keni vështirësi të zbatoni ligjet në Veriun e Kosovës, por në qendër të Prishtinës të zhvillohen veprimtari të tilla të pista e të jashtëligjshme dhe ju të mos merrni masa, nuk e kuptoj. Albin, a je ti ndryshe nga të tjerët dhe a është qeveria jote ndryshe?! Tregoje veten, Albin! Mosni bre kështu, se na bëtë horë!”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat