Gjyqësori i Pavarur dhe i Paanshëm është Gurthemel i Qeverisjes Demokratike

Aktuale

Gjyqësori i Pavarur dhe i Paanshëm është Gurthemel i Qeverisjes Demokratike

Më: 3 shtator 2021 Në ora: 12:48
Forumi i Tetë Rajonal i Shtetit të së Drejtës

“Një gjyqësor i pavarur dhe i paanshëm garanton mbrojtjen e të gjitha të drejtave dhe lirive. Pandemia e Covid-19 ka shtuar më tej rëndësinë e kësaj teme, sepse kufizimet e mëdha të të drejtave të njeriut në përpjekje për të përmbajtur pandeminë duhet pa tjetër të shqyrtohen imtësisht nga një gjyqësor i pavarur dhe i paanshëm.” Këto ishin fjalët me të cilat u hap Forumi i Tetë Rajonal i Shtetit të së Drejtës për Evropën Juglindore, i mbajtur më 3 dhe 4 shtator 2021.

Forumi ka sjellë së bashku gjyqtarë/e aktualë/e dhe ish-gjyqtarë/e të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe përfaqësues/e të institucioneve gjyqësore nga shtatë juridiksione të Evropës Juglindore. Këtë vit Forumi i kushtohet Pavarësisë dhe Paanshmërisë Gjyqësore.

Në konferencën qendrore në Dubrovnik po merr pjesë z. Robert Spano, Kryetari i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, i cili tha se Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut nuk mund të funksionojë pa gjyqtarë/e të pavarur/a dhe të paanshëm/e.

“Ata/ato përbëjnë gurthemelin e shtetit të së drejtës. Qeverisja e vërtetë demokratike nuk është e mundur pa një gjyqësor të pavarur,” shtoi Kryetari Spano.

Forumi është organizuar nga Qendra AIRE dhe Mbrojtësit e të Drejtave Civile, me mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe Qeverisë së Suedisë dhe Fondacionit Konrad Adenauer.

Në fjalën e saj hyrëse, Biljana Braithwaite, Drejtoreshë e Programit të Qendrës AIRE për Ballkanin Perëndimor, tha se ekzistenca e një gjyqësori të pavarur dhe të paanshëm është thelbësore në mënyrë që autoritetet e Shtetit të japin llogari dhe të sigurojnë mbrojtjen efektive të të gjitha të drejtave të ngërthyera në Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

“Pandemia e Covid-19 ka shtuar më tej rëndësinë e kësaj teme, sepse kufizimet e mëdha të të drejtave të njeriut në përpjekje për të përmbajtur pandeminë duhet pa tjetër të shqyrtohen imtësisht nga një gjyqësor i pavarur dhe i paanshëm. Prandaj, këtë vit Forumi zhvillohet në një kohë të përshtatshme për të lehtësuar dialogun mes Gjykatës së Strasburgut dhe gjyqësorëve kombëtarë në lidhje me mënyrat se si mund të mbrohet dhe si duhet të mbrohet ky parim i rëndësisë jetike,” shtoi Drejtoresha Braithwaite.

Goran Miletic, Drejtor i Mbrojtësve të të Drejtave Civile për Evropë dhe për Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore (MENA), tha se Forumi po krijon mundësinë që gjyqtarët/et e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut të diskutojnë me ekspertët/et e rajonit dhe me shoqërinë civile në lidhje me disa prej çështjeve më urgjente që kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës.

“Tema këtë vit, pavarësia dhe paanshmëria gjyqësore, është posaçërisht me rëndësi në kontekstin e Evropës Juglindore duke pasur parasysh ndërhyrjet gjithnjë e më të mëdha në çështje gjyqësore të aktorëve politikë dhe të tjerëve. Formati ynë i organizimit të qendrave në kryeqytetet e rajonit, paralelisht me konferencën qendrore në Dubrovnik, mundëson përfshirjen e pjesëmarrësve/eve në diskutime më të gjera rreth këtyre çështjeve,” shtoi Drejtori Miletic.

Gjyqtarët/et aktualë dhe ish-gjyqtarët/et e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut që marrin pjesë në konferencën qendrore po diskutojnë kriteret kyçe për përcaktimin e pavarësisë dhe paanshmërisë së gjykatave, marrëdhënien mes pavarësisë dhe paanshmërisë dhe neneve të tjera të Konventës Evropiane, rolin e gjyqësorit, mediave dhe degëve të tjera të qeverisë, dhe sfidat kryesore dhe praktikat e mira në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në të njëjtën kohë, kryetarët/et dhe gjyqtarët/et e gjykatave supreme dhe kushtetuese nga shtatë juridiksione të Evropës Juglindore janë mbledhur në qendrat e qyteteve në Beograd, Podgoricë, Prishtinë, Sarajevë, Shkup, Tiranë dhe Zagreb. Ata/ato po marrin pjesë në ngjarje me anë të videolidhjes bashkë me ombudspersona, agjentë/e të shtetit para GjEDNj-së, përfaqësues/e të qendrave gjyqësore, fakulteteve juridike, organizatave joqeveritare dhe ekspertë/e ligjorë/e nga shtatë juridiksionet.

Andrew Page, Kryetar i Departamentit të Ballkanit Perëndimor, pranë Zyrës për Çështje të Jashtme, Commonwealth dhe Zhvillim, theksoi se dy parimet që qëndrojnë në zemër të dialogut të sotëm rrjedhin në venat e politikës së jashtme britanike: shteti i së drejtës si një prej vlerave themelore të shoqërive të hapura demokratike, dhe gjyqësori i pavarur dhe i paanshëm si shtylla kryesore në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive njerëzore.

“Këto janë parimet që udhëheqin vendimet e Mbretërisë së Bashkuar në lidhje me politikat dhe programet që financohen në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ato janë mu në zemër të iniciativave që kemi nisur në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Londër, ku unë jam përfshirë nga afër. Ato mbeten gurthemelet e promovimit nga qeveria britanike të shoqërive të hapura anembanë globit. Është mrekulli që Forumi i Shtetit të së Drejtës për Evropën Juglindore po e pasuron më tej këtë dialog. Forumit i uroj punë të mbarë, dhe pres me padurim rekomandimet e tij,” tha Page.

Forumi i Shtetit të së Drejtës për Evropën Juglindore është një prej ngjarjeve kryesore vjetore për përfaqësuesit/et ligjorë/e, juristët/et dhe përfaqësuesit/et e OJQ-ve në rajon. Forumi synon të promovojë jetësimin e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në nivel shtetëror, të fuqizojë bashkëpunimin rajonal mbi zhvillimin e vazhdueshëm të shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut, dhe të lehtësojë përpjekjet e vendeve të rajonit për hyrje në BE.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat