​IKD: Gjykata e Apelit ka vepruar drejt kur ka trajtuar rastin e Ivan Todosijeviq

Aktuale

​IKD: Gjykata e Apelit ka vepruar drejt kur ka trajtuar rastin e Ivan Todosijeviq

Më: 26 gusht 2021 Në ora: 17:03
Ivan Todosijeviq.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) konsideron se Departamenti Special i Gjykatës së Apelit ka vepruar drejt kur në kolegj të rregullt e ka gjykuar rastin e Ivan Todosijeviq.

Sipas IKD-së, Marrëveshja për Normalizimin e Marrëdhënieve, Rregullorja e KGJK-së dhe praktika gjyqësore dëshmojnë se Divizioni i Gjykatës së Apelit në Mitrovicë nuk ka pasur kompetencë në rastin konkret.

IKD përkujton se me Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve është përcaktuar themelimi i një divizioni të Gjykatës së Apelit, e cila do të trajtojë të gjitha rastet e komunave me shumicë serbe.

Në këtë rast, e rëndësishme është të theksohet fakti se kjo Marrëveshje nuk i referohet nacionalitetit serb, por i referohet komunave si entitet, përkatësisht komunave me shumicë serbe. Ndaj nuk mund të vlejë argumenti se individët e nacionalitetit serb duhet të gjykohen vetëm nga divizioni i Gjykatës së Apelit në Mitrovicë, pasi që Marrëveshja i referohet rasteve brenda juridiksionit të atyre komunave, e jo çdo individi të nacionalitetit serb që vjen nga ato komuna, thuhet në komunikatë.

Kjo marrëveshje është materializuar me Rregulloren e KGJK-së, e cila ka listuar komunat me shumicë serbe dhe juridiksionin në shkallë për ato komuna, duke theksuar se Divizioni i Apelit në Mitrovicë do të trajtojë vetëm rastet të cilat vijnë nga gjykatat e shkallës së parë të këtyre 10 komunave me shumicë serbe. E njëjta Rregullore ishte hartuar dhe miratuar në koordinim dhe bashkëpunim të plotë në mes të KGJK-së dhe partnerëve ndërkombëtarë, me theks të veçantë ekspertet e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Rasti i deputetit Ivan Todosijeviq nuk është i kësaj natyre. Ky rast, sipas aktakuzës së PSRK-së, është gjykuar nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe jo nga një gjykatë e shkallës së parë në ndonjë prej komunave me shumicë serbe, thuhet më tej në komunikatë.

Për këtë arsye, IKD vlerëson se Apeli ka vendosur drejt kur ka gjykuar këtë rast, për shkak se në rastet të cilat gjykohen nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë në shkallë të parë, kompetent është Departamenti Special i Gjykatës së Apelit si shkallë e dytë dhe jo Divizioni i Gjykatës së Apelit në Mitrovicë, duke qenë se rasti i gjykuar në shkallë të parë nuk është në komunë me shumicë serbe.

IKD i bën ftesë Bashkimit Evropian që të ketë kujdes të shtuar në reagimet publike lidhur me zbatimin e marrëveshjes së Brukselit, me theks të veçantë në Marrëveshjen e Brukselit për Drejtësi. Reagimet e ngutshme, të pabazuara dhe duke akuzuar njërën palë pa të drejtë, cenojnë rëndë besimin e publikut në këto marrëveshje, inkurajojnë qytetarët e komunitet serb për mos integrim në sistemin kosovar të drejtësisë dhe i hapin mundësi palës serbe për të ndërhyrë padrejtësisht në këtë proces. Për më tepër, reagime të kësaj natyre inkurajojnë palën tjetër për të reaguar publikisht dhe promovuar krimet e luftës ne Kosovë, si ishte rasti me presidentin Aleksandar Vuçiq, i cili masakrën në Reçak e cilësoi si “trillim”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat