U largua nga gara për Skenderajn në respekt të familjes Jashari/Liri Loshi i ka “dy fjalë” me Hysni Mehanin

Aktuale

U largua nga gara për Skenderajn në respekt të familjes Jashari/Liri Loshi i ka “dy fjalë” me Hysni Mehanin

Nga: M.L. Më: 19 gusht 2021 Në ora: 16:51
Liri Loshi

Ish kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet, Liri Loshi i është drejtuar me një shkrim Hysni Mehanit, që u tërhoq nga kandidatura për postin e kryetarit të Skenderajt, si shenjë respekti ndaj familjes Jashari.

Sipas Loshit, të mos i hysh një gare politike për motiv respekti ndaj kundërshtarit politik, është njeri nga justifikimet më absurde.

“Në garë nuk hyhet vetëm për të fituar, por edhe për të shpërfaqur vizionin tënd politik dhe për t’i dhënë fuqi partisë politike që ti i përket. Humbja e një beteje nuk është dështim, por është kalitje për rrugëtimin politik që zakonisht është i gjatë dhe me kthesa, përpjetëze e teposhtëze të shumta”, u shpreh Loshi.

Ai tha se dëshmorët kanë rënë për një Kosovë të lirë dhe sa më të mirë që është e mundshme.

“ E tillë bëhet vetëm atëherë kur secili jep çdo gjë nga vetja, nga kapaciteti i vet intelektual, politik a financiar. Dhe, kjo arrihet më së miri kur konkurrenca mes individëve është e fuqishme dhe sa më e denjë, duke mos kursyer asnjë individ. Nuk është lojë fer as për ty as për kundërshtarin kur ti i jep gol vetes! Në momentin kur në lojë thyhen rregullat, ajo më nuk është lojë, por është kaos. Dhe t’i kontribuosh kaosit nuk është punë fort e moralshme”, u shpreh ai.

Loshi i ka thënë Mehanit se mundja eventuale e Bekim Jasharit në Skenderaj do t`i bënte nder Mehanit, por edhe familjes Jashari.

“Ta mundesh Bekim Jasharin në garën për kryetar të Skenderajt është nderi më i madh që do t’i bëje atij personalisht, po edhe familjes Jashari. Edhe të humbësh ndaj tij nuk është turp, por është nder përseri. Dorëzimi i garës nuk ka të bëjë asgjë me respektin ndaj familjes Jashari. Heqja dorë nga gara politike e dëmton vetë individin, e dëmton subjektin politik, e dëmton vendin dhe e dëmton demokracinë. Një akti të tillë nuk di t’i vë një emër tjetër pos naivitet politik. Nëse nuk është hipokrizi. Shumë sinqerisht dhe me shumë dashamirësi ndaj mikut tim dhe bashkë veprimtarit politik, Hysni Mehanit”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat