Hetuesit policorë do të obligohen të deklarojnë pasurinë

Aktuale

Hetuesit policorë do të obligohen të deklarojnë pasurinë

Më: 18 gusht 2021 Në ora: 20:16
Ilustrim

Vetëm zyrtarët që janë në pozitat kyçe në Policinë e Kosovës obligohen aktualisht ta deklarojnë pasurinë.

Por me strategjinë e re për sundimin e ligjit, Ministria e Drejtësisë po planifikon të ndryshojë legjislacionin në mënyrë që të gjithë hetuesit policorë të cilët janë të ngarkuar me hetime penale të nivelit të lartë të obligohen ta bëjnë të njëjtën gjë.

Deklarimi i pasurisë sipas ish drejtorit të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka pasur ndikim në integritetin e këtij institucioni të sigurisë dhe ka shtuar një kujdes më të madh te zyrtarët policorë

Ai vlerëson se për deklarimin e pasurisë duhet të obligohet çdo zyrtar policor pavarësisht pozitës.

Por nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë thonë se sfida më e madhe qëndron te mënyra se si do të menaxhohet ky proces.

Ministria e Drejtësisë në një përgjigjeje ka thënë se deklarimi i pasurisë së hetuesve policorë do të rregullohet me ligin për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Dhuratave, i cili më 10 gusht është proceduar për konsultime paraprake.

“Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar që procesi i hartimit të politikave dhe i legjislacionit të bëhet në pajtim me legjislacionin përkatës në fuqi, duke siguruar proces gjithëpërfshirës dhe transparent, andaj posa të përfundojë faza e konsultimet paraprake, Projektligji do të publikohet në platformën e konsultimeve me publikun ku të gjitha palët e interesuara mund të ofrojnë komente dhe propozime e tyre lidhur me këtë Projektligj” , thuhet në përgjigjejen e ministrisë.

Ligji aktual për deklarimin e pasurisë i obligon vetëm drejtorin e përgjithësim të Policisë, drejtorët rajonalë, drejtorët e departamenteve dhe zëvendësdrejtorët.

Policia e Kosovës sipas barometrit të sigurisë nga QKSS-ja, është vlerësuar si një ndër institucionet më të besueshme në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat