Cili është skenari për procesin e Vettingut në Kosovë? Flet ministrja Haxhiu

Aktuale

Cili është skenari për procesin e Vettingut në Kosovë? Flet ministrja Haxhiu

Më: 11 gusht 2021 Në ora: 12:27
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu gjatë një mbledhjeje të qeverisë.

(E plotësuar) - Ministrja e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Albulena Haxhiu tha se institucioni që ajo udhëheq ende nuk ka vendosur për skenarin me të cilin do të bëhet procesi i vetting-ut në sistemin e drejtësisë.

Gjatë një konference për media të mërkurën, pas mbledhjes së qeverisë, Haxhiu tha se janë duke punuar me intensitet që të bëhet vetting-u, pasi siç tha, ky proces është “kërkesë shoqërore”.

“Ende nuk kemi vendosur se cilin skenarë do ta ndjekim, por nëse nuk shkojmë me ndryshime kushtetuese do ta kemi edhe planin B, që nëse në Kuvendin e Kosovës dështojnë ndryshimet kushtetuese ta kemi edhe planin B përmes ndryshimeve ligjore. Kemi thënë se jemi duke punuar me ekspertë që të shohim që të mos bëjmë ndonjë gabim në këtë drejtim”, tha Haxhiu.

Ministrja Haxhiu tha se shumë shpejt do të dalin me skenarin për vetting, por shtoi se për këtë duhet që të ketë konsensus politik.

“Besoj që shumë shpejt do të dalim me skenarin dhe në këtë drejtim unë mendoj që është i rëndësishëm edhe konsensusi politik, gjegjësisht planifikoj që shumë shpejt t’i takoj edhe grupet e tjera parlamentare, në mënyrë që ta kemi mbështetjen e tyre për një proces që është shumë i rëndësishëm dhe në shërbim të qytetarëve”, tha ajo.

Vetting-u është proces i rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ka për qëllim rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndikimin e krimit të organizuar, politikës apo elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë.

Haxhiu: S’mund t’i mbështes KPK-në dhe KGJK-në nëse i mbyllin sytë para skandaleve

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se lidhur me konferencën e djeshme të zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu ka pasur reagim nga Këshilli Prokurorial të Kosovës, ndonëse sipas saj, është i paqartë ai reagim.

Sipas saj, vetë Këshilli Prokurorial i Kosovës i kishte kërkuar ish-ministres së Drejtësisë Dhurata Hoxha të ndërmerrte veprime për nxjerrjen e një udhëzimi për çështjen e pagesave për ekspertët mjekoligjorë, sepse sipas saj ai udhëzim ishte i bazuar në një ligj të vjetër.

Haxhiu ka shtuar se pretendimet e Ministrisë së Drejtësisë janë të vërteta dhe të bazuara në ligjin në fuqi.

“Dje kemi bërë të ditur se me këtë rast është duke u marrë edhe Hetuesia. Relacionet mes Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Prokurorial dhe atij Gjyqësor padyshim që do të jenë të mira në momentin kur duam të bëjmë punë të mira. Unë nuk dua t’i mbështesë këto këshille kur ata duan t’i mbyllin sytë përballë skandaleve. Në momentin kur nuk ka reagime si ajo e incizimeve, natyrisht që do të kritikohen nga Ministria e Drejtësisë. Edhe sot paralajmëroj Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorial nëse nuk duan të punojnë bashkërisht për kthimin e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë”, ka thënë ajo.

Ndërkaq ajo ka thënë sa i përket vettingut, Këshilli Prokurorial dhe ai Gjyqësor nuk kanë dashur të jenë pjesë e grupit të ekspertëve për vetting. Por ajo thotë se në mandatin e dytë të Qeverisë Kurti janë bërë pjesë e këtij grupi.

Haxhiu ka thënë se vettingu është kërkesë e qartë dhe këtë e kanë thënë qytetarët gjatë zgjedhjeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat