“Çfarë emri paska liria, UÇK apo Bregoviç?”, Mazrekaj habitet me heshtjen e komandantëve

Aktuale

“Çfarë emri paska liria, UÇK apo Bregoviç?”, Mazrekaj habitet me heshtjen e komandantëve

Nga: M.L. Më: 10 gusht 2021 Në ora: 19:42
Fotoilustrim: Goran Bregoviç, Edi Rama, Hashim Thaçi, Baton Haxhiu

Botuesi i gazetës kombëtare “Bota sot”, Xhevdet Mazrekaj, nëpërmjet një statusi në Facebook, ka reaguar për ftesën që Korça i bëri këngëtarit Goran Bregoviç, për të performuar në festivalin e birrës.

Mazrekaj shprehu habinë se si ish komandantët e UÇK-së nuk reaguan karshi kësaj ftese.

“Kush mund të na thotë se çfarë emri paska liria, UÇK apo Bregoviç? Ku janë komandantët që nuk e thonë as edhe një fjalë të vetme për ftesën që Shqipëria e “vëlla” Edit ia bëri frymëzuesit të masakrave në Kosovë, famëkeqit Goran Bregoviç”, shkroi Mazrekaj në Facebook.

Madje ai tha se për dikë mund të jetë e çuditshme se si Baton Haxhiu që mbante të veshur bluzën me sloganin “Liria ka emër” të jetë pro Bregoviçit. Mirëpo sipas tij, fakti se ai ishte këshilltar i Edi Ramës e Hashim Thaçit i jep kuptim kësaj mbështetjeje.

“Ndoshta për dikë mund të jetë e çuditshme se si një njeri si Baton Haxhiu, që mbante të veshur bluzë me sloganin “Liria ka emër”, të jetë pro ardhjes së kantautorit të “Kallashnikovit” në Korçë. Por, për ata që e njohin Batonin e Stanishiqit, kjo nuk është çudi! Baton Haxhiu ishte këshilltar i Edi Ramës e Hashim Thaçit për vite me radhë dhe kjo i jep kuptim heshtjes së komandantëve”, potencoi ai.

Sipas Mazrekajt, për hir të të vrarëve, të të pagjeturve dhe grave shqiptare që u dhunuan gjatë luftës, komandantët është dashur ta kundërshtojnë ardhjen e Bregoviçit.

“I mbuloftë turpi i historisë ata që shërojnë komplekset duke shkelur mbi gjakun e derdhur për liri!”, përfundoi Mazrekaj.

Image
Xhevdet Mazrekaj, botues i gazetës "Bota sot"

 

Postimi i plotë:

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat