Krime, drogë, vrasje/ Gazeta franceze zbulon se si lulëzuan bandat mafioze nga Beogradi në Tiranë

Aktuale

Krime, drogë, vrasje/ Gazeta franceze zbulon se si lulëzuan bandat mafioze nga Beogradi në Tiranë

Nga: M.L. Më: 9 gusht 2021 Në ora: 18:17
Aleksandër Vuçiq

Ish Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka publikuar një shkrim në profilin e tij në Facebook, ku tregon se si gazeta e madhe franceze Le Monde denoncon banditokracine e Serbisë, Shqiperisë etj.

“Mafie, krime, droge, vrasje nga Beogradi ne Tirane”, shkruan Berisha.

Për më tepër, ju sjellim shkrimin e plotë të gazetës Franceze të publikuar nga Berisha në Facebook:

“Nga Serbia në Shqipëri/ Le Monde: Bandat mafioze janë në qendër të sistemit shtetëror”

Nga Le Monde

Që pas rënies së komunizmit dhe luftërave në ish-Jugosllavi, mafia ballkanike është rritur kaq shumë, sa tani konsiderohet një aktor kryesor në krimin e organizuar ndërkombëtar. Bandat shqiptare, serbe dhe malazeze, që nisën të lulëzojnë tre dekada më parë nga trafiku i armëve dhe cigareve, tani janë në zemër të kokainës që mbërrin në Evropë nga Amerika e Jugut.

Po ashtu ata trafikojnë heroinë dhe prodhojnë marijuanë dhe drogë sintetike. Përfitimet e tyre janë kaq të mëdha, sa kanë investuar në pjesë të madhe në ekonominë e ligjshme.

Grupet serbe dhe malazeze kanë në dorë trafikun e drogës nga Amerika e Jugut, duke u bërë lojtarë kyç në krimin e organizuar në Europë. Një rritje në pushtet është arritur prej lidhjeve me qeverinë, përpara se të shpërthente një luftë vrastare mes klaneve.

Arsyet e shpërthimit të dhunës vitet e fundit mes gangsterëve nga Serbia dhe Mali i Zi ndonjëherë mbeten mister. Vrasje në kafene, shpërthime makinash, trupa të gjetur në rrugët e Beogradit, Kotorit dhe Podgoricës, pa përmendur këtu një numër personash të humbur: shtatë vite me luftë bandash, ekzekutim dhe hakmarrje kanë shkaktuar të paktën 50 viktima.

Arsyet që provokuan këtë gjë dihen dhe kanë ndodhur në vitin 2014. Nga një anë bëhet fjalë për zhdukjen e të paktën 200 kg me kokainë në portin spanjoll të Valencias, që ndau kartelin e drejtuar nga Darko Sariç, çka solli shpërthimin e Luftës së Kotorit, mes dy bandave rivale, Klanit Skaljari dhe Klanit Kavac. Nga ana tjetër, arrestimi i Sariç vetë shkaktoi një luftë për pasimin e tij mes më të besuarve- që drejtojnë një perandori teksa ai është në burg- dhe personave që ëndërrojnë për më shumë autonomi dhe përfitime.

Lufta e bandave mori një tjetër hov dy vite më vonë, në vitin 2016, pas vrasjes së Aleksander Stankoviç, i njohur edhe si Sale Mutavi, lider i bandës së Jeniçerëve, i formuar nga një grup me mbështetës të flaktë (ultras) të ekipit të Partizanit të Beogradit. Tradicionalisht, në Serbi, grupet e ultrasve kanë shërbyer si një terren për botën e nëndheshme, sikundër edhe për milicinë paraushtarake gjatë luftërave të viteve ’90.

Ikona e kësaj bote paralele- gjatë sundimit të presidentit dhe zotit të luftës, Slobodan Milosheviç- ishte Zeljko Raznatoviç, i njohur edhe si Arkani, lider i mbështetësve të Yllit të Kuq, klubit tjetër të futbollit në Beograd. Në atë kohë Tigrat e Arkanit, një grup paramilitar, vepronte nën urdhrat e policisë sekrete serbe. Arkan, i akuzuar njësoj si Millosheviç për krime kundër njerëzimit nga drejtësia ndërkombëtare, u vra në Hotel Interkontinental në Beograd, pak përpara rënies së presidentit serb. Ai u vra nga një killer, i cili njësoj si ai, kishte një armë mafioze në një dorë dhe një distinktiv policie në dorën tjetër.

Nëse kriminelët nga Shqipëria fillimisht e morën ndikimin e tyre nga lidhjet me mafian italiane, ata nga Serbia dhe Mali i Zi, kanë pasur një ‘aset’ origjinal, që mund të gjendet në këtë nivel vetëm në Rusi: Lidhjet e tyre të ngushta me Shtetin. Këto lidhje të krijuara në kohët e komunizmit nga policia sekrete jugosllave, u forcuan gjatë kohës së luftës nga shërbimi sekret i Millosheviçit dhe vazhdojnë të mbeten të forta. Ekspertët madje pyesin veten nëse Serbia dhe Mali i Zi mund të quhen shtete mafioze, duke pasur parasysh fuqinë financiare të fituar nga bota e krimit të organizuar, dhe nëse janë gangsterët në shërbim të shtetit, apo nëse tani janë këto dy shtete në shërbim të gangsterëve.

Në Serbi mund të vihen re tre periudha të ndryshme. “Millosheviçi ishte kumbari i kriminelëve dhe i paraushtarakëve. Më pas, në vitin 2000, kryeministri Zoran Xhinxhiç tentoi të rregullonte problemin, kështu që ata e vranë në vitin 2003,” thotë Vuk Cvijiç, një gazetar investigativ i revistës Nin. Gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike, mes viteve 2000 dhe 2012, teksa kishte akoma korrupsion, nuk kishte një lidhje mes qeverisë serbe dhe krimit të organizuar, beson gazetari. Dy operacione të mëdha policore u zhvilluan në atë kohë, në bashkëpunim me shërbimet e huaja dhe Interpolin: Operacioni Sabre, kundër Klanit të Zemunit dhe vrasësve të Xhinxhiçit dhe Operacioni Luftëtarët e Ballkanit, kundër kartelit të Darko Sariç.

“Sot, nën presidentin Aleksandër Vuçiç, shteti dhe mafia janë duke bashkëpunuar sërish me njëra-tjetrën deri në atë pikë sa nuk mund të bësh dallimin mes tyre,” thotë Vuk Cvijiç. “Dikush mund të pyesë nëse mafia është bërë më e fortë se shteti”.

Në Mal të Zi, historia është më ndryshe për shkak se i njëjti njeri, Milo Gjukanoviç ka qenë në pushtet që prej rënies së komunizmit në vitin 1991. “Gjukanoviç është bosi. Të gjithë klanet e Malit të Zi kanë të njëjtin punëdhënës: presidentin e vendit,” thotë Jovo Martinoviç, një gazetar i famshëm që ka investiguar krimin prej 20 vitesh. “Dallimi me Amerikën e Jugut është se Pablo Eskobar ishte gangsteri që vepronte kundër shtetit. Në Mal të Zi, Pablo është president”.

Marrëdhëniet e ngushta mes pushtetit politik dhe krimit të organizuar janë të vështira për t’u provuar, edhe nëse ndonjë hetim shkon deri te ndonjë ministër apo biznesmen. “Lidhja organike tradicionalisht kalon përmes shërbimeve sekrete,” thekson një diplomat europian, që prej kohësh e njeh si funksionon Serbia dhe Mali i Zi. “Trafiku orkestrohet nga qeveritë e Malit të Zi dhe Serbisë. Shumë kriminelë kanë distinktivët e policisë ose shërbimit sekret. Dy presidentët punojnë bashkë dhe kanë interesa të përbashkëta,” thotë Jovo Martinoviç.

Ekspertët po ashtu theksojnë edhe rolin e vëllezërve të presidentëve respektivë, të cilët drejtojnë aferat familjare. Andrej Vuçiç, në Beograd dhe Aco Gjukanoviç në Podgoricë, luajnë një rol të rëndësishëm në kryqëzimin mes politikës, biznesit dhe parave të pista. “Droga është një gjë,” thotë diplomati. “Gjukanoviç ka ndërtuar pa dyshim një pasuri të madhe me privatizimet më shumë se me trafikun. Vëllai i tij Aco është miliarder”.

“Askush në skenën ndërkombëtare nuk e di se si të trajtojë çështjen e krimit të organizuar në Serbi dhe Mal të Zi,” thotë Stevan Dojçinoviç, një hetues i faqes serbe Krik. “Kjo për shkak se asnjë nuk e kupton thelbin e problemit: nuk është problem i korrupsionit të individëve, është një problem shtetëror. Kështu ka qenë në kohën e Millosheviçit, kështu vazhdon me Vuçiç dhe Gjukanoviç. Është një operacion shtetëror që është i vështirë për t’u provuar”.

Drejtësia italiane, që ka tetuar disa herë të provojë lidhjet mes politikanëve dhe kriminelëve në Ballkan, veçanërisht në rastin e Milo Gjukanoviç, në çështje që lidhen me mafian e saj, ka thyer dhëmbët këtu. Drejtësitë e vendeve të tjera nuk kanë shkuar kurrë përtej disa trafikantëve të njohur. Ata që kanë hetuar krimin e organizuar në ish-Jugollavi prej kohësh, besojnë se meqë në këto raste është i përfshirë shërbimi sekret, shërbimet e tjera të inteligjencës në SHBA dhe Europë, i mbrojnë ata në shkëmbim të informacioneve, madje edhe përmes marrëveshjeve politike.

Një galaksi kaotike

“Perëndimi po tenton që të sjellë Serbinë në Europë, teksa Aleksandar Vuçiç ka lidhje të ngushta me Moskën dhe marrëdhënie shumë të mira me Pekinin. Dhe Milo Gjukanoviç ka qenë historikisht lideri më pro-perëndimor, më pro-BE dhe më pro-NATO në rajon,” analizon një diplomat europian. “Në emër të gjeopolitikës, ne po e bëjmë një sy qorr për aktivitetet e paligjshme në këto shtete të brishta”.

Përtej çështjes shumë opake të përfshirjes së shërbimeve sekrete në çështjet kriminale, të kuptosh mënyrën se si funksionojnë këto banda është shumë e vështirë për hetuesit. “Krimi i organizuar në Ballkan nuk ka qenë kurrë një mafie si në Itali, me një kapo të të gjithë kapove. Ka qeliza të pavarura, që evoluojnë shpejt, brenda grupeve, që ndahen dhe rikompozohen. Ka të paktën 300 banda kriminale në Ballkan”, thotë Stevan Dojçinoviç. “Nuk ka një kartel Ballkani, është një bashkëpunim mes bandave, detyra kryesore e të cilave është që të transportojnë kokainë nga Amerika Latine drejt Europës,” konfirmon Sasa Djordeviç, nga zyra e Beogradit e organizatës Iniciativa Globale kundër Krimit të Organizuar.

Në Serbi, pas vrasjes së kryeministrit Zoran Xhinxhiç dhe Operacionit Sabre, trafikanti serb me origjinë malazeze, Darko Sariç ia kishte dalë në një farë mënyrë të unifikonte këtë galaksi kaotike. Sariç konsiderohej si bosi më i fuqishëm i drogës që këto vende kishi njohur prej 30 vitesh. Në burg që prej vitit 2014, ai është dënuar me 15 vite për trafik droge dhe 8 vite për pastrim parash, teksa këto akuza janë akoma subjekt apelimi. Ndërkohë në bregun e Adriatikut, patriarku i trafikantëve malazez, Branislav Micunoviç, e ka quajtur veten si koordinatori i fuqishëm i klaneve që mbikëqyrin mbërritjen e kokainës. Ai kalon kohën paqësisht në Budva, duke qëndruar në katin e fundit të hotelit-kazino të tij, Splendid.

Sundimi i Darko Sariç ishte një kohë e bekuar për kriminelët, pavarësisht armiqësisë së qeverisë serbe. “Disa grupe ballkanike kanë ngjitur shkallët në dy dekada, nga kriminelë të vegjël në trafikantë të mëdhenj droge,” thotë në raportin e Iniciativës Globale kundër Krimit të Organizuar për vitin 2020. Grupet ballkanike janë bërë aktorë kryesorë në krimin e organizuar në Europë, Turqi, Amerikën Latine e deri në Afrikën e Jugut dhe në Australi. Për kokainën e Amerikës së Jugut, ata operojnë kryesisht nga Kolumbia dhe Ekuadori, por edhe nga Uruguaji, Peruja dhe Brazili. Për mbërritjen e drogës, ata janë të pranishëm në brigjet spanjolle, italiane, greke, shqiptare dhe malazeze.

Një video ilustron këtë kohë relativisht paqësore, përpara se të niste lufta mes bandave. Videoja nga dasma e Safet Kaliç, një lider i një bande malazeze, tregon të gjithë bosat e bandave kriminale ballkanike, përfshirë Darko Sariç, duke u puthur dhe ngritur dolli. Videoja e postuar në vitin 2010 në internet, shkaktoi skandal për shkak se tregonte edhe praninë e Zoran Lazoviç, i caktuar nga presidenti Gjukanoviç për të luftuar krimin e organizuar brenda shërbimeve sekrete, dhe të Ljubisha Mijatoviç, që më vonë do bëhej kreu i sigurisë. Presidenti e mbrojti veten duke thënë se ishin në mision për të spiunuar kriminelët, pa mundur të bindë askënd.

Politikë, futboll dhe botë e nëndheshme

Pas aferës së Valencias dhe arrestimit- nën presionin amerikan- të Darko Sariç, i cili ishte bërë shumë i fuqishëm, balanca u prish dhe shpërtheu Lufta e Kotorit. Të përfshirë janë klanet e Skaljarit dhe Kavaçit, sipas emrave të dy fshatrave pranë qytetit bregdetar në Mal të Zi. Kotori ka një lidhje të veçantë me botën e trafikut për shkak të detit. Një marinar i ri nuk ka shumë zgjedhje përveçse të bëhet trafikant.

Përveç përplasjeve mes gangsterëve për paratë e drogës, një hipotezë e ekspertëve është se Klani Skaljari u ngrit shpejt pas arrestimit të Darko Sariç dhe nisi të ëndërronte për një autonomi nga shërbimet sekrete serbe dhe malazeze. Beogradi dhe Podgorica më pas favorizuan Klanin Kavaç, të lindur nga një ndarje brenda klanit Skaljari. Njerëzit e Klanit Kavaç janë shumë të lidhur me grupet huligane të lidhura me rrjetet e Vuçiç në Serbi dhe me policinë sekrete te Gjukanoviç në Mal të Zi.

Nga ana e Beogradit, është e qartë se policia ka shënjestruar kryesisht Klanin Skaljari. Lideri i tyre, Jovan Vukotiç u arrestua në vitin 2018 në Turqi, me kërkesë të Serbisë dhe u ekstradua për t’u gjykar për një arsye qesharake, se ka përdorur pasaportë false. Anëtarët e Klanit Skaljari gjurmohen në Serbi dhe janë arratisur nëpër Europë, ku disa janë gjetur dhe vrarë në Spanjë, Gjermani, Austri, Holandë dhe Greqi.

Teksa askush nuk e di se kush e ka vrarë Aleksandar Stankoviç, lideri e Jeniçerëve, i afërt me Klanin Kavaç, zhdukja e tij ka sjellë një rikompozim të botës kriminale në Beograd. Sytë janë kthyer te i fuqishmi Luka Bojoviç, në atë kohë kreu i Klanit të Zemunit dhe i afërt me Klanin Skaljari. Që prej atëherë, Stankoviç është zëvendësuar nga Veljko Belivuk, i njohur edhe si Velja Problemi, dhe Bojoviç, i burgosur në Spanjë, ia ka besuar drejtimin e bandës së tij Filip Koraç, njeriut që ka ngjitur shkallët e karrierës në botën e krimit në Serbi.

Nëse pjesëmarrja e qeverisë serbe në këtë luftë bandash është e vështirë për t’u provuar në gjykatë, Jeniçerët, që e kanë ndërruar emrin në ‘Principi’ nga Belivuk, sipas Gavrilo Princip, serbit që vrau dukën austro-hungarez Franz Ferdinand në vitin 1914 në Sarajevë, kanë fituar pushtet që prej mbërritjes në detyrë të Aleksandar Vuçic në vitin 2012. Jeniçerët u caktuan për sigurinë e Vuçiç gjatë ceremonisë së inaugurimit, ndërsa djali i tij Danilo shfaqet shpesh në publik me anëtarët e bandës.

Një lidhje mes shtetit dhe ‘Principi’ u vendos, sipas hetimeve gazetareske, nga Dijana Hrkaloviç, një ish-oficere e policisë sekrete, e promovuar nga Aleksandër Vuçiç si Sekretare e Shtetit në Ministrinë e Brendshme, deri në dorëheqjen e saj në vitin 2019. Hrkaloviç ishte një mikeshë e ngushtë e liderit të Jeniçerëeve dhe një zyrtari të lartë të xhandarmërisë, Nenad Vuçkoviç, i njohur edhe si ‘Ujku’, një anëtar i klubit të ultrasve të Partizanit dhe një mik i ngusht i pasuesve të bandës. Hrkaloviç, që e përshkruan presidentin Vuçiç si një ‘njeri që na e kalon të gjithëve për nga gjeniaiteti’, ka dhënë dorëherqje dhe që prej atëherë ka qenë subjekt i historive turpëruese.

Në një rast të tillë, në një fermë organike në Vojvodinë u zbulua një fushë me 65 mijë bimë marijuane të fshehur mes domateve, kastravecave dhe qepëve, një laborator droge dhe 600 kg drogë, përfshirë këtu armë dhe pajisje të mbikëqyrjes të teknologjisë së lartë. Pronari i fermës, që vizitohej rregullisht nga zyrtarët qeveritarë, kishte një distinktiv fals policie dhe targa policie, të ofruara nga njerëzit që punonin për Dijana Hrkalovic.

Një tjetër rast ishte kur u zbulua se ‘Ujku’ kishte përdorur poligonët e policisë për t’u stërvitur me anëtarët e bandës si dhe me Novak Nediç, sekretarin e përgjithshëm të qeverisë së Vuçiç.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç e njeh mirë këtë botë që sillet rreth politikës, futbollit dhe krimit. Në moshë të re ai ka qenë mbështetës i Yllit të Kuq në kohën e Arkanit. I angazhuar në politikë përkrah Vojisllav Sheshelit, liderit të ekstremit të djathtë dhe i një milicie paraushtarake si ajo e Arkanit, Vuçiç ka qenë ministër i Millosheviçit. Sot ai duket se po i përdor ultrasit e Partizanit, një klub i lidhur tradicionalisht me policinë sekrete, për shkak se i përket shtetit.

Megjithatë, dy zhvillime kanë ndodhur këtë vit në botën kriminale serbo-malazeze. Në Beograd, policia ka arrestuar Veljko Belivuk dhe rreth 20 anëtarë të Jeniçerëve në shkurt, duke habitur këdo. Drejtësia e akuzon ‘Veljko Problemin’ për vrasje, rrëmbim, zhvatje dhe trafik droge. Që prej arrestimit të tij, mediat pranë qeverisë kanë botuar dëshmi të familjeve të të të zhdukurve të bandës. “Nuk dihet se përse shteti vendosi t’i japë fund kësaj bande pas vitesh të tëra mbrojtje,” komenton Stevan Dojçinoviç. Përveç zbulimit të një vendi ekzekutimi në një shtëpi në rrethinat e Beogradit, një hipotezë sipas një eksperti është se grupi i Belivuk, që ishte në shërbim të shtetit, ka shkuar shumë larg duke u vënë gjoba biznesmenëve pranë qeverisë.

Porcioni fatal i Doktor Vdekjes

Në Mal të Zi, Slobodan Kascelan, kreu i Klanit të Kavaçit, u arrestua në prill. Atje, ky ndryshim i situatës, ka një shpjegim racional: partia e presidentit Gjukanoviç ka humbur zgjedhjet legjislative të vitit 2020, dinosauri i politikës malazeze, edhe pse ruan ndikimin e tij në policinë sekrete dhe në gjyqësor, e ka gjetur veten përballë një qeverie armiqësore ndaj tij. “Shteti nuk kontrollon më krimin e organizuar. Gjukanoviç nuk ka më kompetenca të plota,” thotë Vanja Caloviç Markociç, drejtuese e Këshillit Kombëtar kundër Korrupsionit.

Kascelan u arrestua me urdhër të Dritan Abazoviç, zëvendëskryeministër që koordinon shërbimet e sigurisë. I riu dhe kurajozi Abazoviç zbulon se në prag të ndërrimit të qeverive, Klani i Kavaçit i kishte ofruar atij një takim përmes partiarkut të trafikantëve, Branislav Micunoviç. Kur ai refuzoi, mori një mesazh: “Do e shohim, në një mënyrë apo një tjetër”.

Menjëherë më pas u zbulua një tentativë vrasje nga bisedat e përgjuara telefonike. Plani ishte që të përdorej një snajper, si në rastin e Zoran Xhinxhiç thuajse dy dekada më parë. Dritan Abazoviç thotë se ai është gati që të paguajë çdo çmim për të mposhtur krimin e organizuar. Ai ka shkarkuar Zoran Lazoviç, njeriun që dukej në dasmën e Klanit Kaliç, i cili ishte përgjegjës për luftën ndaj krimit të organizuar në polici. Ai konsiderohej prej kohësh si lidhja mes shtetit dhe krimit të organizuar.

Lidhjet mes njerëzve të pushtetit dhe botës së nëndheshme ndonjëherë marrin kthesa të çuditshme. Një histori e vjetër akoma i bën beogradasit të qeshin me ironi. 20 vjet më parë, një kriminel i vogël, Veselin Bozoviç u sulmua me kallashnikov në Beograd. Ai ishte akoma gjallë kur mbërriti në spital. Edhe gruaja e tij dhe kalimtarë u qëlluan nga plumbat, por mbijetuan. Një mrekulli.

Por kjo pa marrë parasysh doktor Zlatibor Loncar, i cili ishte pushim atë ditë, por u shfaq në spital në dhomën e urgjencave. Një orë më vonë, Bozoviç vdiq. Një hetim policor zbuloi se doktori i kishte injektuar një helm vdekjeprurës. Dhjetë ditë më vonë, mjeku mori një apartament si shpërblim. Ai i mohoi akuzat dhe nuk u hetua kurrë për mungesë provash.

Doktor Loncar punonte për Klanin e Zemunit, në atë kohë banda më e fuqishme në Serbi. Më pas burri, të cilin gazetat tabloide të Serbisë nisën ta quajnë ‘Doktor Vdekja’, u bë një ndjekës besnik i presidentit Aleksandar Vuçiç. Sot ai është ministër i Shëndetësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat