11 vite që kur Kosova “shqelmoi” Serbinë përfundimisht, çka tash?

Aktuale

11 vite që kur Kosova “shqelmoi” Serbinë përfundimisht, çka tash?

Nga: Mimozë Lakna, Bota sot Më: 22 korrik 2021 Në ora: 10:34
Foto nga GJND

Sot bëhen 11 vite nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ku u dëshmua edhe ligjërisht se Kosova pati të drejtë dhe nuk bëri asnjë shkelje kur e shpalli pavarësinë e saj.

Një entuziazëm i paparë do të kaplonte qytetarët e Republikës së Kosovës. Të gjithë e prisnin vendimin e madh, prisnin që pavarësia e Kosovës, që ishte kulmi i arritjes së idealit kombëtar të legjitimohej përfundimisht. Njëherë e mirë do t`i thuhej stop Serbisë, e cila çka nuk kishte provuar për të shfarosur popullin e Kosovës.

Ajo që e prisnin të gjithë ndodhi. Kosova edhe ligjërisht ishte shtet më vete dhe natyrisht se sfida e radhës ishte shtet ndërtimi. Si një fëmijë që fillon nga zeroja, e që prindërit duhet të ia mësojnë gjërat fillestare e ta orientojnë në rrugët e jetës.

Fatkeqësisht, Kosova pati prindër të këqij që përfituan pamëshirshëm në krah të saj.

Këto 11 vjet pas vendimit të GJND-së tregojnë për një histori jo të mirë të shtet ndërtimit, të përshkuar me korrupsion, keqpërdorime, zgjedhje të shpeshta, e protesta të shumta.

Në fakt, po të mendohet me logjikë e arsye, mund të themi se ishin protestat e vazhdueshme që nuk lejuan të ndodhnin shumë kompromise të dhimbshme për shtetin e Kosovës.

Fusha e vetme ku Kosova përfaqësohej denjësisht ishte ajo e sportit, artit, filmit dhe kulturës. Nga ana tjetër, politika me politikanë matrapazë ia zinte frymën zhvillimit të vendit.

Aq keq u bë gjendja sa të rinjtë filluan të kërkonin jetë më të mirë nëpër vendet e perëndimit, mu sikur para luftës.

Autobusët që transportonin migrantë ilegalë mbusheshin plot me njerëz, kryesisht të rinj që iknin për një jetë më të mirë.

Kosovën ua lanë në dorë politikanëve zhvatës, pasi shpresa se një ditë do të bëhej mirë ishte venitur.

Ato skena të dhimbshme në stacion të autobusëve tregonin mjaft për imazhin e shtetit më të ri në botë.

Me raste, për të parë situatën në stacionin e autobusëve dilte edhe ndonjë politikan që i shkonin “lot krokodili” për fytyre.

Nuk e themi pa arsye termin “lot krokodili”. Kjo pasi pak vite më vonë këta politikanë erdhën në krye të shtetit nëpërmjet kauzave të rrejshme, ndërsa nga skandalet e tyre gjatë qeverisjes, Kosova vuan edhe sot.

Revolta ndër qytetarë filloj të rritej. Zgjedhjet e njëpasnjëshme tregonin se vota e qytetarit po ndërronte kahje.

Partitë zhvatëse ishin në rënie e sipër. Populli ishte lodhur dhe donte një ndryshim të madh.

pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Kosova ka ndryshuar tërësisht.

Të paktën për nga mentaliteti politik. Shpresa e qytetarëve është rikthyer.

Ndonëse është herët për të folur për arritjet. Megjithatë, gjithë këto vite na kanë dëshmuar se populli i Kosovës di të vlerësoj, por di mjaft mirë edhe të ndëshkojë..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat