​Bislimi kundërshton akuzat për mostransparencë lidhur me dialogun: Në komision erdha nga Klinika

Aktuale

​Bislimi kundërshton akuzat për mostransparencë lidhur me dialogun: Në komision erdha nga Klinika

Më: 14 korrik 2021 Në ora: 14:16
Pamje nga mbledhja e Komisionit për Integrim Evropian

(E plotësuar 15:20) - Zëvendëskryeministri i parë Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka deklaruar se në takimin e javës së kaluar në Bruksel nuk janë hapur tema të reja, por është diskutuar vetëm për implementimin e marrëveshjeve të arritura më herët.

Bislimi i ka kundërshtuar akuzat për mostransparencë, derisa tha se sot në Komisionin për Integrimeve Evropiane ka ardhur direkt nga Klinika ku kishte qenë për të marrë infuzione.

Ai tha se në takimin e parë që ishte mbajtur në Bruksel, i kishin njoftuar se çka është diskutuar edhe të gjithë liderët e partive politike opozitare, e një gjë të tillë tha se do ta bëjnë edhe pas kthimin nga takimi që do të mbahet e 19 korrik.

Bislimi: Ne vetëm kemi raportuar për implementimin e deritanishëm, nuk kemi hapur tema të reja

“Në Bruksel në takimin e javës së kaluar nuk kemi dialoguar asgjë, kemi raportuar për implementimet e deritanishme në marrëveshje dhe brengat e secilës palë. Ne kemi thënë në 11 prej marrëveshjeve Serbia nuk i ka zbatuar obligimet e saj, BE-ja ka thënë pajtohemi me ju nuk i ka zbatuar, përveç te marrëveshja për tabelat e veturave ku BE ka thënë që Kosova nuk i ka përmbushur komplet obligimet e saj, për arsye se ka qenë një periudhë e cila është dashur të përfundojë me 15 shtator 2021 për vlefshmërinë e tabelave KS, ndërkaq me vendim të qeverisë në shtatorin e vitit të kaluar është ndërpre shtypja e tabelave KS[...]Ne vetëm kemi raportuar për implementimin e deritanishëm, nuk kemi hapur tema të reja, kështu që edhe nuk ka pasur substancë për të raportuar dhe kryetarëve, liderëve politik në Kosovë. Pas takimit të datës 19 ne prapë do të informojmë liderët politik se çka ka ndodhur, çfarë tema janë hapur dhe pse janë hapur”, thotë ai.

Ai tha se sot do të takohet edhe me Andin Hotin, Kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, për ta njoftuar atë se çka është diskutuar për temën e të pagjeturve në Bruksel.

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Rrezarta Krasniqi, tha se deri më tani transparenca për çështjen e dialogut është zero, përderisa ka kërkuar të dijë se çfarë strategjie ka qeveria për takimin e 19 korrikut.

Krasniqi: Transparenca për çështjen e dialogut është zero

“Me 19 korrik mbahet takimi i kryeministrit në Bruksel, atëherë dua ta di çfarë platforme, çfarë strategjie keni për atë takim. Me sa e dini transparenca për çështjen e dialogut është zero, ndoshta kish qenë më mirë me ardhë me raportu në Kuvend jo vetëm në komision”, tha ajo.

Asaj i është përgjigjur zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili tha se ai nuk ka pasur ftesë për të raportuar në asnjë prej komisioneve për takimin që ka zhvilluar në Bruksel.

Bislimi: Prej ditës së enjte jam me infuzione, këtu kam ardhur direkt nga Klinika

“Nuk është në rregull me thënë që ka pasur ero transparencë, unë prej ditës së enjte jam me infuzione, këtu kam ardhur direkt nga Klinika, nuk mendoj që është në rregull me thënë që nuk po i përmbushni obligimet”, tha ai.

Nga kryetarja e Komisionit Rrezarta Krasniqi, Bislimi është pyetur edhe për deklaratat e ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, se “Kosova nuk i ka plotësuar kushtet për pranimin në BE dhe si pasojë nuk ka arsye për t’u fajësuar BE-ja”, të cilën e quajti të pamatur.

Bislimi tha nuk e di se për cilat deklarata po iu referohet ajo, por që tha se për asnjë deklaratë të ministres Gërvalla nuk e përdor klasifikimin të pamatura.

Bislimi: Unë për veti për asnjë deklaratë të znj.Gërvalla nuk e përdori klasifikimin të pamatura

“Sa i përket deklaratave, unë fillimisht nuk po e di se cilave deklarata po iu referoheni ju dhe cili është argumenti pastaj që të njëjtat me i klasifiku si të pamatura, prandaj e kam të pamundur edhe me ju përgjigj[...]Unë për veti për asnjë deklaratë të znj.Gërvalla nuk e përdori klasifikimin të pamatura”, tha ai.

Bislimi tha se Bashkimin Evropian nuk e kanë armik dhe se nuk është krim nëse dikush e mbron atë, përkundrazi një gjë të tillë tha se e sheh si një konfirmim të raporteve të mira që ka Kosova me BE-në.

Ai tha se është fakt që Kosova ka plotësuar kushtet për liberalizim të vizave qysh në vitin 2018 dhe se problemi i vetëm është votimi në Këshillin e Evropës ku disa shtete kanë brenga sa i përket sundimit të ligjit. Në funksion të kësaj, ai tha se janë duke punuar gradualisht me shtetet të cilat kanë hezitime, por në të njëjtën kohë u shpreh se janë duke punuar me shtetet mike që ta sensibilizojnë opinionin për nevojën që BE të mbajë premtimin në raport me liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në këtë komision, zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi, ishte ftuar për të prezantuar “Marrëveshjen Financiare IPA 2020, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, që mori miratimin e të gjithë anëtarëve të komisionit.

Bislimi bëri të ditur se nga IPA 2020 Kosova përfiton nga Bashkimi Evropian 90.2 milionë euro, që janë të ndara në pesë sektorë.

Bislimi: Në tonësi fondi që ne përfitojmë nga BE 90.2 milionë euro

“Në tonësi fondi që ne përfitojmë nga BE 90.2 milionë euro, mirëpo kësaj pastaj i bashkohen edhe grante tjera nga institucione financiare ndërkombëtarë në shumën 13 milionë euro, po edhe nga GIZ gjerman 300 mijë euro dhe një pjesë e njëjtë 300 mijë euro nga UNICEF. Në pikëpamje sektoriale shumë prej 90.2 milionë euro është ndarë në pesë sektorë, në demokraci dhe qeverisje, sundim të ligjit dhe të drejta fundamentale, mjedis dhe veprim klimatik, konkurrueshmëri dhe inovacion, si dhe pjesa e fundit arsimi, punësimi dhe politika sociale. Tek pjesa e parë demokracia dhe qeverisja pjesa më e madhe ka të bëjë me menaxhimin e pandemisë dhe ka formën e rezervës së paalokuar, e cila mund të përdoret edhe për luftimin e pasojave të pandemisë, kjo kap shumën e 10.6 milionë euro. Ndërkaq, pjesa e dytë brenda këtij sektori që është diku gjysmë milioni euro kryesisht ka të bëjë me pagesën e anëtarësisë së Kosovës në mekanizmat e BE-së Erasmus+, Evropa kreative”, tha ai.

Bislimi tha se nga viti 2014 kur ka filluar IPA II, Kosova është dashur të përfitojë 645 milionë euro, mirëpo kjo shumë gjatë viteve ka pësuar rënie për shkak se vendi ynë nuk ka arritur t’i përmbushë disa obligime karshi BE-së.

Komisioni për Integrime Evropiane ka miratuar edhe projektligjin për Automjete dhe ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.

***

Në mbledhjen e Komisionit për Integrim Evropian, kryesuesja e Komisionit Rezarta Krasniqi i ka parashtruar pyetje zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi, sa i konsideron të pamatura deklaratat e ministres Donika Gërvalla.

Krasniqi pyeti lidhur me deklarimin e Gërvallës që BE-ja nuk është fajtore për izolimin e Kosovës, ngase institucionet nuk i kanë kryer detyrat e shtëpisë.

“Kemi parë disa deklarata të pamatura nga zonja Gërvalla a janë qëndrime të qeverisë ato. Ajo e ka mbrojtur BE-në. Me 19 korrik mbahet takime në Bruksel, çfarë strategjie e keni”.

Mirëpo zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se asnjë deklaratë të Gërvallës nuk e konsideron të pamatur.

Bislimi ka reaguar ndaj kryesueses së Komisionit pasi që ajo ju drejtuar që është jotransparentë, e ky i fundit tha se nga katër infuzione në ditë i  po i merr prej kur është kthyer nga Brukseli.

“Sa i përket deklaratave nuk po e di cilave po i referoheni ju, dhe e kam të pamundur me ju përgjigj. Asnjë deklaratë të zonjës Gërvalla nuk e klasifikoj të pamatur. Ne BE-në nuk e kemi armik dhe nuk është krim nësendikush e mbron BE-në. Franca dhe Holanda nuk është se kanë votuar kundër”.

Bislimi ka folur edhe për vizitën e fundit në Bruksel, e që tha se atje nuk kanë dialoguar por vetëm kanë raportuar në lidhje me implimentimin e marrëveshjeve.

“Nuk po më duket korrekte me thënë ka zero transparencë unë kam raportuar në Komisionin për Politikë të Jashtme dhe kemi pasur debat në parlament”.

“Unë jam kthyer të mërkurën në Kosovë, por nuk kam pasur ftesë për të raportuar dhe unë nuk mund të vijë të raportoj vet sepse nuk ka pasur as seancë as kryesi, është i gabueshëm edhe indinjim pse unë nuk kam dal të flasë në medie është se unë dua që në Bruksel të dal dhe të nxjerr marrëveshje të mira, ne në Bruksel nuk kemi dialogu sepse kemi raportuar për implementimin e marrëveshjeve të secilës parë dhe prej 11 marrëveshjeve Serbia nuk i ka zbatuar”.

“Prej ditës së enjte jam me infuzione, nga katër në ditë, dhe këtu kam ardhur direkt nga Klinika”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat