Personat që kanë vetëm lejeqëndrim, a mund të vaksinohen?

Aktuale

Personat që kanë vetëm lejeqëndrim, a mund të vaksinohen?

Më: 13 korrik 2021 Në ora: 23:08
Foto ilustrim

Po bëhen afro dy vite që nga shfaqja e rasteve të para të të infektuarve me COVID-19 në Kosovë.

Pavarësisht kësaj periudhe të gjatë të përballjes me koronavirus, Kosova nisi mjaftë vonë vaksinimin antiCOVID.

Tani për tani në kuadër të vaksinimit nga Ministria e Shëndetësisë kanë bërë të ditur se janë vaksinuar gjithsej 270 mijë e 641 qytetarë.

Nga i gjithë ky numër i të vaksinuarve, 72 mijë e 476 kanë pranuar dozën e dytë të vaksinës.

Por në 24 orëshin e fundit janë vaksinuar 6 mijë e 503 qytetarë, ndërsa nga përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë është bërë thirrje vazhdimisht që të pranohet vaksina AstraZeneca.

Këto thirrje u bënë për shkak se shumë prej qytetarëve kanë refuzuar të marrin dozën e vaksinës së këtij lloji.

Derisa në Kosovë është duke u realizuar procesi i vaksinimit, shumë prej qytetarëve të cilët kanë lejeqëndrim në vend nuk janë informuar nëse ekziston mundësia që të njëjtit të vaksinohen në Kosovë dhe të mos kenë nevojën të udhëtojnë drejt vendit ku edhe kanë shtetësinë.

Lidhur me këtë, në një përgjigje të dhënë për lajmi.net nga Ministria e Shëndetësisë është theksuar se personat me lejeqëndrim në Kosovë, por që nuk janë qytetarë të Kosovës mund të kryejnë vaksinimin.

“Personat me lejeqëndrim të rregulluar në Kosovë, që nuk janë qytetarë të Kosovës por që janë rezidentë këtu, duhet të lajmërohen në Qendrën Klinike të Mjekësisë Familjare ku banojnë dhe aty regjistrohen për marrje të vaksinës”, u tha në përgjigjen e MSH-së.

Por lidhur me këtë nuk janë deklaruar nga Ministria e Punëve të Brendshme, të cilët merren saktësisht me rregullimin e lëshimit të lejeqëndrimit.

Një numër i madh i qytetarëve të cilët janë kthyer nga Lugina e që vazhdojnë të jetojnë në Kosovë kanë probleme sa i përket pajisjes me dokumente të Kosovës, e të njëjtit posedojnë vetëm lejeqëndrim.
Saktësisht janë mbi 6 mijë adresa të cilat janë pasivizuar nga Qeveria e Serbisë, e që shpesh herë u bëhet problem për pajisje me dokumente edhe në vendin tonë.

Por pavarësisht kësaj, ata të cilët tashmë posedojnë lejeqëndrim do të mund të vaksinohen edhe në QKMF-të e Kosovës.

Tani për tani situata e përballjes me koronavirus në vend është me e qetë dhe ka vetëm 108 raste aktive.
Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 32  persona ndërsa nuk pati asnjë të vdekur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat