Ja rrëfimet e të helmuarve në Deçan, shkaktar e lënë ujin

Aktuale

Ja rrëfimet e të helmuarve në Deçan, shkaktar e lënë ujin

Më: 13 korrik 2021 Në ora: 11:47
Foto ilustrim

Numri i qytetarëve që kërkuan ndihmë mjekësore në Deçan pas helmimit është goxha i lartë, mbi 400.

Shkaktari zyrtarisht akoma nuk dihet.

Por, Erion Shala, që është njëri nga të helmuarit, thotë se simptomat iu shfaqën pas konsumimit të ujit.

“Diku rreth 3 ose 4 orë. Kanë fillu disa simptoma si dhimbje barku dhe lodhje. Pastaj kanë fillu edhe të vjellurat, të cilat janë shoqëruar edhe me barkqitje”, tregoi Shala.

Terapinë e djeshme, ky, po e merr edhe sot.

Por, simptomat s`është se i kanë kaluar.

“Po kam marramendje e lodhje, edhe sot”, tha shkurt ai.

Situatën të njëjtë e ka edhe e helmuara tjetër E.SH, që foli në kushtet anonimiteti.

“Kam marrë infuzion, kam pasë dhimbje barku, diarre. Dhimbje lukthi, maramendje, kokëdhimbje. Instituti dje më ka thirrë në telefon me më vet çka kam honger, a mos ka honger najsen jashtë shpisë, ama unë kërkund nuk jam kanë përveç se në shpi”, deklaroi ajo.

Ndryshe dyshime për këtë helmim të qindra banorëve të Deçanit fillimisht ka qenë nga uji i pijes.

Por Drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani ka thënë se uji që vinte nga Hidrodrini nuk ka qenë i kontaminuar. Mirëpo sipas tij duhet të pritet deri në rezultatet përfundimtare.

Në lidhje me këtë rast ka reaguar edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e cila ka kërkuar veprim të autoriteteve përgjegjëse.

Në anën tjetër, Prokuroria e Pejës, ka njoftuar se ka nisur hetimet lidhur me shkaqet e këtij helmimi ndërsa Ministria e Shëndetësisë, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Deçanit që të mos konsumojnë ujin nga “Hidrodrini” derisa të përcaktohet shkaku i helmimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat