Deklaratat e Malcolm Simmons dhe rreziku i paralajmëruar vite më parë

Aktuale

Deklaratat e Malcolm Simmons dhe rreziku i paralajmëruar vite më parë

Nga: N.Sh. Më: 12 korrik 2021 Në ora: 16:06
Malcolm Simmons

Ish-kryetari i asamblesë së gjykatësve të EULEX-it, Malcolm Simmons sot ka dëshmuar para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Ai ka thënë se nuk i beson Gjykatës Speciale dhe se niveli i tij i besimit në Dhomat e Specializuara është i barabartë me besimin që ai e ka në gjyqësorin e Rusisë apo Iranit.

“Në Gjykatën Speciale kam po aq besim sa do të kisha pasur në një gjykatë në Rusi apo në Iran. Ky është niveli i besimit që unë e kam në Dhomat e Specilizuara të Kosovës”, tha Simmons.

“Ka shqetësime të mëdha në nivel të komunitetit ndërkombëtar në lidhje me nivelin e kompetencave të Gjykatës dhe në lidhje se si po administrohet drejtësia”, tha Simmons.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të reagojë pasi tha se Gjykata Speciale “është aty vetëm për t’i ndëshkuar ish-komandantët e UÇK-së”.

E pas këtyre deklaratave ka reaguar edhe Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate.

Sipas tij, ata që insistonin të krijojnë Gjykatën Speciale kishin argumenin e tyre kryesor se nëse nuk bëhet në Kosovë, atëherë krijohet në OKB dhe luftën e UÇK-së do ta gjykojë Rusia e Kina.

Sherifi shton se duke u bazuar edhe në dëshminë e Simmons ky rrezik akoma nuk është shmangur.

“Argumenti kryesor i atyre që insistonin në krijimin e Gjykatës Speciale ishte pikërisht frikësimi se nëse nuk e bëjmë ne do ta bëjë OKB-ja, rrjedhimisht përmes një gjykate të krijuar nga OKB-ja luftën e UÇK-së do ta gjykojë Rusia dhe Kina!

Fatkeqësisht, bazuar në dëshminë e ish-kryetarit të Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it Malcolm Simmons del që ky rrezik nuk është shmangur!”, shkruan Sherifi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat