Memli Krasniqi zgjidhet kryetar i ri i PDK-së

Aktuale

Memli Krasniqi zgjidhet kryetar i ri i PDK-së

Më: 3 korrik 2021 Në ora: 09:41

(E plotësuar 13:46) - Memli Krasniqi është kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës.

469 delegatë të Konventës së dhjetë zgjedhore të PDK-së e zgjodhën Krasniqin të parin e partisë.

Ndërsa shtatë delegatë ishin kundër zgjedhjes se tij për kryetar.

***

Kandidati për kryetar të PDK-së, Memli Krasniqi në prezantimin e platformës së tij politike para delegatëve të Konventës së dhjetë zgjedhore ka thënë se PDK-ja është shtëpi e çlirimtarëve, intelektualeve, patriotëve e vizionarëve dhe do ta nisë një kapitull të ri siç i ka hije, duke respektuar pafundësisht të kaluarën, të tashmen dhe kontributin e secilit.

Sipas tij, PDK-ja nuk do të ndalet asnjëherë, edhe pse nuk është aspak e lehtë të trasohet tutje rruga e Hashim Thaçit dhe e Kadri Veselit.

Ai ka paralajmëruar hapje të partisë dhe reforma si një prej shtyllave kryesore me të cilat ka synim të rrugëtoj në krye të PDK-së.

Ky është fjalimi i tij i plotë:

Të dashur delegatë të Konventës së Dhjetë të Partisë Demokratike të Kosovës,

Sot, jam këtu para jush, shumë i nderuar dhe falënderues për mundësinë që t’ju drejtohem, dhe i ndërgjegjshëm për barrën e përgjegjësisë që e kërkoj ta marr.

Ndjej përgjegjësi dhe emocion të madh të qëndroj këtu sot para shumë prej themeluesve të familjes sonë politike, kontributi qytetar e kombëtar i të cilëve është vështirë i matshëm. Njejtë ndjehem edhe para të gjithë juve që jeni bashkuar në periudha të ndryshme me partinë tonë, e sidomos para të rejave dhe të rinjve që janë e tashmja dhe e ardhmja e PDK-së.

Kjo për çfarë jemi mbledhur në këtë sallë, nuk ka qenë zgjidhje e jona.

Është imponim i asaj që ka ndodhur nëntorin e kaluar, kur dy liderëve tanë padrejtësisht ua ndalën aktivitetin politik.

Por, ne nuk u ndalëm dhe nuk do të ndalemi asnjëherë, edhe pse nuk është aspak e lehtë të trasohet tutje rruga e Hashim Thaçit dhe e Kadri Veselit.

Një rrugë kjo që nisi kur ata ishin shumë të rinj në luftën për çlirimin e vendit, e të rinj në themelimin dhe udhëheqjen e partisë sonë për ndërtimin e shtetit.

Ua di këtë ndjenjë, ndonëse nga pesha shumë herë më e vogël, se çfarë do të thotë të preokupohesh me politikën e vendit tënd, sepse në këtë moshë, sado që sfidat janë të mëdha, edhe motivi është i madh.

Kur në vitin 2004 iu bashkova PDK-së, unë isha 24 vjeç. Dy vjet më vonë, mora besimin për të udhëhequr Rininë Demokratike, dhe tutje gjithashtu m’u krijua mundësia e m’u dha besimi për të marrë rol të rëndësishëm në shërbim të vendit, brenda partisë dhe në institucione shtetërore.

Kam pas nderin dhe privilegjin e jetës sime që të jem pjesë e fitoreve të mëdha të PDK-së, por edhe e periudhave të vështira në qeverisje e në opozitë.

Por, ky moment – nuk ka qenë asnjëherë ambicia ime, që të dal para jush si kandidat për t’i prirë PDK-së.

Megjithatë, ky moment ka ardhur dhe është shndërruar në përgjegjësi që nuk ka qenë as e drejtë e as e mundur t’i iket.

E këtu ku jemi sot, e ndjej për obligim t’jua them fillimisht dy gjëra.

Unë nuk po kërkoj thjesht një mandat. Por, po e kërkoj besimin tuaj.

Nuk po kërkoj të bëhem thjeshtë udhëheqësi i juaj. Por, i pari në mesin e të barabartëve.

Nëse e fitoj besimin tuaj, për PDK-në, bashkë me ju të gjithë, do të bëj gjithçka që duhet - që ajo të rikthehet aty ku takon. Si partia më e fuqishme dhe me vizionin më të qartë për vendin. Si adresa e parë politike në Kosovë.

Kjo shtëpi e çlirimtarëve, intelektualeve, patriotëve e vizionarëve, do ta nisë një kapitull të ri siç i ka hije, duke respektuar pafundësisht të kaluarën, të tashmen dhe kontributin e secilit. Por, gjithmonë duke shikuar kah e ardhmja.

Të nderuar të pranishëm,

Në mbi dy dekada aktivitet politik të PDK-së, kurrë nuk kemi qenë më të goditur politikisht se sot.

Ish Kryetari ynë, Presidenti Hashim Thaçi, një njeri që ka shënuar epokë historike, me të cilin kemi rrugëtuar dhe jemi krenuar, si dhe Kryetari ynë Kadri Veseli, një njeri që e ka mbajtur atë epokë si mision, me të cilin kemi qëndruar e jemi përpjekur bashkë, sot padrejtësisht po përballen me një proces gjyqësor mbi pretendime të pabaza.

Nuk bëhet fjalë vetëm për dy liderë të PDK-së, por bëhet fjalë edhe për dy liderë të Kosovës.

Sepse, le të thotë kush çka të dojë, por pa këta liderë, nuk do të kishte shtet të Kosovës, as në kohën kur kemi dashur ta kemi, as si kemi dashur ta kemi, e as si duam ta kemi në të ardhmen.

Sepse, ndryshimi i madh politik, social, e ekonomik, çlirimi dhe pavarësia jonë, janë të lidhura edhe me emrin e tyre, e nuk do të zgjidhen kurrë.

Sepse, këtë e ka vulosur historia e UÇK-së. Historia e Pavarësisë. Historia e Shtet-ndërtimit. E historinë e Kosovës, siç kanë thënë edhe Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, nuk mund ta rishkruajë askush.

Prandaj, jo vetëm që jemi lënduar si parti politike, por jemi lënduar edhe si vetëdije politike, edhe si vetëdije kombëtare, edhe si vetëdije shtetërore.

Megjithatë, edhe vetë shembulli i tyre na edukon që të besojmë në drejtësi të paanshme, dhe të presim lirimin e tyre sa më parë, sepse jo vetëm që na duhen neve dhe familjeve të tyre, po i duhen shtetit, shoqërisë dhe mbarë Kosovës.

Të nderuar të pranishëm,

Nuk ka asnjë dyshim, se një prej faktorëve që na ka mbajtur së bashku dhe na ka inkurajuar që të mos ndalemi, pas nëntorit të kaluar, kur PDK u godit rëndë, ka qenë pjekuria politike e profës tonë, Kryetarit në detyrë, z. Enver Hoxhaj.

Ai meriton respektin tonë të thellë e të pamohueshëm për peshën që ka mbajtur mbi supe në këtë periudhë kaq të vështirë.

Meriton respektin tonë edhe për atë çfarë përfaqëson politikisht për PDK-në.

Një intelektual i përmasave evropiane. Një politikan i profilit të lartë. Një qeveritar i suksesshëm dhe një mik nga i cili kemi mësuar gjithmonë dhe vazhdojmë të mësojmë.

Nëse ka diçka për të cilën unë do t’ju kërkoja një duartrokitje të fortë, do ishte pikërisht për të nderuar profesorin Hoxhaj, i cili në momentet më të rënda – u doli përballë vështirësive dhe na inspiroi të qëndrojmë së bashku në sfida.

Respekt të pafund, profesor Hoxhaj.

E kishim vërtet për nder të jemi pas teje në këtë periudhë aspak të lehtë.

Të nderuar të pranishëm,

Unë qëndroj si kandidat para jush, duke besuar në ju, e duke kërkuar besimin tuaj.

Por, para se të vijmë aty, dua të përgjigjem në disa pyetje që na preokupojnë të gjithëve.

Kush është PDK-ja dhe çfarë PDK-je duam?

Partia Demokratike e Kosovës, në ADN-në dhe origjinën e saj e ka Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe kauzën e saj të drejtë për liri e pavarësi.

Është krenari. Është dinjitet. Është identitet me të cilin jemi krenuar e duhet të krenohemi gjithmonë.

Partia Demokratike e Kosovës është parti e të gjithë njerëzve të Kosovës. E çlirimtarëve, veteranëve, mësuesve, profesorëve, mjekëve, intelektualëve, artistëve, sportistëve.

Është parti e grave dhe burrave, e të rejave e të rinjve.

E të gjithëve që punojnë dhe jetojnë ndershëm nga djersa dhe mundi i tyre.

Është parti që na takon të gjithëve, që vepron për të gjithë, e të gjithë së bashku brenda PDK-së punojmë për Kosovën që e kemi synuar e synojmë ta kemi.

Partia Demokratike e Kosovës është parti e ideve, kauzave dhe projekteve të mëdha dhe që mundëson realizimin e tyre.

Kjo ka qenë, është dhe do mbetet e tillë, si para meje, si me mua, si pas meje, pavarësisht se a jemi në pushtet a në opozitë, a jemi para zgjedhjeve a pas tyre.

Partia Demokratike e Kosovës është partia që ka bërë transformimin më të madh në historinë e Kosovës.

Bash asgjë e qëndrueshme, e madhe dhe e rëndësishme nuk ka ndodhur pa PDK-në.

Nëse ka pasur zhvillim, investim, arsim, e rritje të mirëqenies, kjo ka qenë periudha jonë në qeverisje nga 2008 deri në 2017.

Ky është rrëfimi ynë i vërtetë, dhe këtë e dinë qytetarët.

Nuk do të lejojmë që këtë rrëfim ta shtrembërojnë dhe ta errësojnë të tjerët, sepse është i qartë si drita. I matshëm, i prekshëm, real dhe diçka që e ka përjetuar dhe prekur secili.

Sot, për fat të keq, të gjitha këto arritje po rrezikohen me qëllim të keq, nga mentaliteti mohues dhe mosmirënjohjes i qeverisjes aktuale, duke e rrezikuar edhe vetë perspektivën e qytetarit dhe shtetit të Kosovës.

Të nderuar të pranishëm,

Se si duhet të operojë sot PDK, mbi këtë situatë politike, duhet të flasim hapur për disa gjëra, e të mendojmë nga e ardhmja.

Ne sot jemi opozitë.

Kanë qenë edhe gabimet tona, që i kanë kontribuuar kësaj situate.

Ndoshta s’kemi mundur ta lexojmë krejt saktë disponimin e votuesve, prandaj edhe në dy palë zgjedhjet e fundit nuk kemi marrë mjaftueshëm mbështetjen e tyre.

Reflektimi është i domosdoshëm. Nuk mund të vazhdojmë edhe më tutje njejtë.

Në këtë pikë, besoj se pajtohemi të gjithë.

Kështu si jemi sot, nuk mjafton për t’u rikthyer. Por, ne qëllimin e kemi për t’u rikthyer.

Prandaj, është e nevojshme që të çlirojmë gjithë potencialin tonë të brendshëm, por edhe të hapemi. Duhet të hapemi. Duhet të shohim se cila është demografia politike e qytetarëve të Kosovës, në mënyrë që të rikthejmë besimin e tyre.

Na duhet ta rikthejmë mbështetjen e grave dhe të rinjve, që nuk e kemi si në të kaluarën.

Por, nuk kthehet mbështetja e tyre, dhe e asnjë kategorie tjetër shoqërore, nëse ne nuk jemi afër tyre, t’ua kuptojmë ambiciet, nevojat, pritjet, dhe zgjidhjet që u duhen.

Duket si diçka e vështirë, ama e pamundura për PDK-në nuk ekziston.

Veç na duhet unitet, vendosmëri e përkushtim që së bashku ta nisim një agjendë të tillë.

Prandaj, duhet të hapemi.

Dhe kur po flas për të rinjtë, nuk po flas vetëm për moshën.

Po flas për një kombinim gjeneratash, që më së afërti e kupton se çfarë drejtimi duhet të marrë PDK-ja, në mënyrë që të jetë adresa e parë për secilin qytetar.

Dhe hapja jonë është një prej shtyllave kryesore me të cilat unë mendoj të rrugëtoj në krye të PDK-së.

Së dyti, përveç ndryshimeve të nevojshme në strukturën e përfaqësimit të shoqërisë sonë, ne duhet të profilizohemi edhe në rrafshin ideor.

Qytetarët e Kosovës, mbështetësit dhe votuesit tanë, duhet ta mësojnë dhe kuptojnë drejt se kur të flasin për partinë e tyre, PDK-në, po flasin për një parti që angazhohet për mundësi të reja dhe të barabarta.

Për hapjen e mundësive për individin. Për familjen. Për Republikën.

Për zhvillimin ekonomik që administrohet nga qytetarët për interesin e tyre.

Për një trup politik shtetëror ku pushteti është i kufizuar, i ndarë dhe i kontrolluar nga ligji.

Ku barazia para ligjit është morali që i mban në këmbë institucionet tona.

Një parti që, mbi të gjitha, çmon vlerat dhe dinjitetin e njeriut. Që beson në barazinë e shanseve dhe lirinë e zgjedhjes.

Që angazhohet për një shtet që shërben e nuk shërbehet.

Për një shtet të drejtë - ku ligji është mundësi, e jo vetëm kufizim.

Ku zyrtari e qytetari u nënshtrohen rregullave të njëjta, e ku privilegji i pamerituar nuk ka vend.

Ku asnjë rajon, as qytet, as fshat, as lagje - nuk mbetet mbrapa nga mundësitë që krijon shoqëria jonë.

Dhe ku qytetarët, të rejat dhe të rinjtë, gratë dhe burrat, jo vetëm që kanë mundësi të zgjedhin e të zhvillojnë potencialin e tyre, por edhe të jetojnë shëndetshëm dhe të kenë jetë cilësore.

Për t’u rikthyer, nuk duhet të harrojmë kush jemi, por të transformohemi në atë që duam të bëhemi, në atë që do të na rikthejë si bindje politike te qytetarët e Kosovës.

Për t’i arritur këto, unë jam i vetëdijshëm se kemi shumë punë.

Por, unë besoj në PDK-në dhe në secilin prej jush.

Në ata që janë, e ata që do vijnë tani e tutje për të ndarë rrugëtimin bashkë me ne, drejt fitores.

Sot na duhet një front me i gjerë për betejën politike.

Nuk është koha që disa prej nesh t’i kemi nga dy e tri pozicione. Aty ku jemi, duhet ta japim maksimumin, dhe duke u bërë më shumë - arrijmë suksese më shumë.

Na duhet të koncentrohemi që të bëjmë më të mirën, aty ku jemi, pa e pasur të domosdoshme që të jemi gjithkund.

Beteja kryesore sot është në Kuvendin e Kosovës. Andaj, në bindjet e mia, në vizionin tim, deputetët duhet ta kenë tërë vëmendjen dhe angazhimin e tyre vetëm në Kuvend, derisa Kryesia duhet të jetë trup ekzekutiv i përbërë nga zyrtarët e partisë që nuk kanë angazhime të tjera institucionale në këtë kohë.

Unë aspiroj ta ndërtoj një Kryesi të re, jo vetëm me njerëz të rinj, por edhe me ata që organikisht janë rritur në PDK.

Me vajza e djem të PDK-së, me të cilët kemi filluar shumë kohë më parë, e që sot janë gra dhe burra të gatshëm për të marrë përgjegjësi udhëheqëse.

Duhet ta formojmë edhe Kabinetin për Qeverisje të Mirë, për ta formësuar vizionin tonë për qeverisjen e ardhshme për një Kosovë më të mirë.

Vetëm duke e çliruar dhe mobilizuar gjithë potencialin që e kemi dhe duke i shtuar atij vlerë me njerëz që do na bashkohen, ne mund të rikthejmë PDK-në tek fitoret e mëdha.

Vetëm kështu dhe të gjithë së bashku do ta vëmë në lëvizje këtë projekt të ri politik, aq të nevojshëm për ne, por edhe për Kosovën.

Nëse e marr besimin tuaj, zotohem se nuk do të ju lëndoj e as anashkaloj, me qeëllim apo pa të. Unë besoj në meritokraci dhe në konkurrencë edhe brenda nesh.

Politika është e mirë kur ndryshon shoqërinë dhe jetërat e qytetarëve për të mirë. Por, shpesh ajo i ndryshon edhe politikanët. Unë do të mbetem i njejti. Do të vazhdoj të jem i hapur me secilin dhe bashkëpunues për të gjithe. Do të përpiqem fort të jem familjari i përkushtuar, shoku besnik dhe bashkëpunëtori korrekt. Për këtë e pres edhe ndihmën tuaj, në këtë rrugëtim të përbashkët.

Na priftë e mbara e dalshim faqebardhë, së bashku për PDK-në e për Kosovën.

Ju falemnderit!

***

Memli Krasniqi edhe zyrtarisht është kandidati i vetëm për kryetar të PDK-së.

Kjo është bërë e ditur në Konventën Zgjedhore të kësaj partie e cila po vazhdon edhe më tej.

Aktualisht, Krasniqi është duke prezantuar platformën e tij për qeverisje të PDK-së.

​Hoxhaj: PDK-ja ka nevojë të reflektojë, të reformohet dhe të modernizohet më tutje

Ish-udhëheqësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se me thirrjen e konventës së insistuar nga vet ai, ka synuar që gjenerata e re ta marrë drejtimin e partisë. Ai ka theksuar se tetë muaj sa ka udhëhequr këtë parti nuk kanë qenë të lehta dhe se u kanë borxh anëtarëve të ri që PDK të rikthehet në vend të parë.

Ai në fillimin e konventës zgjedhore ka kujtuar Hashim Thaçin e Kadri Veselin, të cilët tash e sa muaj po mbahen në Hagë.

Hoxhaj: E kam marrë udhëheqjen e përkohshme të PDK-së në një situatë të vështirë sa për vendin

“E kam marrë udhëheqjen e përkohshme të PDK-së në një situatë të vështirë sa për vendin, edhe për vet PDK-në. Ende nuk më largohet nga mendja shikimi i Kadriut më 5 nëntor të vitit të kaluar kur më tha: ‘Dost, duhet me i pri partisë. Ky është vendimi final’. Nuk mund t’i harroj as fjalët e Hashimit kur shkuam së bashku me Hajredinin për t’u përshëndetur dhe na tha: Po më vjen keq që po ju lëmë kështu…!Besoj që sot ju kemi borxh të dyve, por edhe anëtarëve të PDK-së dhe gjithë elektoratit që na ka mbështetur këto vite që ta rikthejmë PDK-në në vendin e parë”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, Partia Demokratike e Kosovës nuk është themeluar në zyre të ngrohta e kafene moderne.

Hoxhaj: PDK ka lind nga lufta e shenjtë e UÇK-së

“Ka lind nga lufta e shenjtë e UÇK-së, një parti e cila ka lind nga burgjet e ftohta dhe të errëta të Serbisë. Ne nuk jemi parti e cila është krijuar në zyre të nxehta apo në kafene moderne. Po më vjen shumë mirë që po shoh themeluesit e partisë, të cilët tashmë më në moshë, por asnjëherë nuk janë dorëzuar dhe kanë besimin e njëjtë dhe të madh në PDK. Po shoh edhe shumë të rinj dhe të reja, të cilët e shohin PDK-në jo vetëm si një parti në të kaluarën në histori, por si një parti që e ka vizionin për një Kosovë më të mirë”, ka deklaruar Hoxhaj.

Para delegatëve të PDK-së, ai theksoi se e di që shumë prej tyre janë zhgënjyer me vendimin e tij për të mos kandiduar për kryetar të partisë, por sipas tij, synimi i tij ka qenë që gjenerata e re të marrë drejtimin e partisë.

Enver Hoxhaj tha se beson që ish-krerët e UÇK-së do të kthehen faqebardhë.

Hoxhaj: Jam i bindur që kryetari Kadri Veseli dhe presidenti Hashim Thaçi do të kthehen fitimtarë faqebardhë

“Jam i bindur që kryetari Kadri Veseli dhe presidenti Hashim Thaçi do të kthehen fitimtarë faqebardhë pasi që lufta jonë ka qenë e drejtë, e pastër dhe që ka pasur mbështetjen e gjithë botës demokratike. Ata do t’i kthehen familjeve të tyre, ata do t’i kthehen edhe familjes tonë demokratike, PDK-së. Sikurse kthehen heronjtë në legjendat e moçme. Ne miqtë dhe bashkëpunëtorët e tyre që kemi rrugëtuar gjatë së bashku, në fazat më jetike dhe më kritike për vendin, jemi shumë krenarë me ta me të arriturat e tyre dhe me sjelljen prej burrështetasi. Ata kurrë nuk e vendosën interesin personal apo partiak, para interesit interesat e Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

Më tej, Hoxhaj ka thënë se nuk kanë qenë të ndikuar nga ambiciet personale dhe interesat e ngushta partiake.

Hoxhaj: PDK-ja ka nevojë të reflektojë, të reformohet dhe të modernizohet më tutje

“Jemi mbledhur në këtë Konventë me qëllime të matshme, konkrete dhe të arritshme sepse PDK-ja ka nevojë të reflektoj, të reformohet dhe të modernizohet më tutje. Ne kemi qenë çdo herë në reforma edhe duke qeverisur. Çdo herë kemi ditur që ta gjejmë rrugën përpara, ti mobilizojmë kapacitetet më të mira, ta zgjojmë një vullnet të ri dhe të ripërtërihemi me njerëz të ri. Por që të ndodhë sërish kjo – neve na duhet një koncept i ri politik dhe organizativ. Kjo mund të arrihet përmes një hapje përmbajtjesore dhe kadrovike të PDK-së që do ti reflektonte edhe ndryshimet në politikë, shoqëri dhe ekonomi. Nga kjo konventë presim që ta forcojmë edhe më shumë identitetin tonë si parti shtet-formuese, por edhe si parti e djathtë. Të dalim me qëndrime të qarta dhe të shpejta për ta mbrojtur demokracinë, lirinë, ekonominë e tregut dhe lirinë e shprehjes”, ka deklaruar ai.

Ish-udhëheqësi i PDK-së, Enver Hoxhaj tha se për shkak të problemeve që ka vendi, si opozitë do të jenë bashkë që t’i shërbejnë një fronti të përbashkët opozitar kundër populizmit dhe mashtrimit.

Hoxhaj: Vendi ka rrëshqitur në një iluzion të thellë, dhe po kërcënohet nga një izolim me jashtë

“Kjo konventë të shërbej për një pozicionim të ri të partisë sonë. Për një PDK të re që do të përballet me sfidat e një qeverie autokratike dhe pa përvojë. Një Qeverie që nuk ka asnjë prioritet, dhe as një objektiv. Një qeveri që erdhi duke magjepsur shumë qytetarë me populizma e premtime të rrejshme për ndryshime radikale. Por mjerisht në këto 100 ditë, vendi ka rrëshqitur në një iluzion të thellë, dhe po kërcënohet nga një izolim me jashtë dhe degradimit nga brenda. Është në kufijtë e prishjes me miqtë tanë të përhershëm sikurse Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sot qytetarët po presin me ankth nga PDK-ja. Prandaj, t’iu tregojmë edhe njëherë se jemi parti e shpresës, besimit dhe optimizmit, por edhe e vendimeve të mëdha dhe ndryshimit”, ka përfunduar Hoxhaj.

Ai ka përmendur edhe zgjedhjet lokale, për të cilat tha se PDK ka njerëzit më të mirë në komunat e Kosovës. Kështu, sipas tij do të tregohet para qytetarëve modeli me i mirë i qeverisjes.

Enver ​Hoxhaj kërkon mbështetje për Memli Krasniqin: Na duhet një koncept i ri

Ish-ushtruesi i detyrës se kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj ka deklaruar se Konventa e Jashtëzakonshme zgjedhore do t’i shërbejë modernizimit dhe reformimit të partisë.

Në konventën zgjedhore, Hoxhaj tha se koncepti i ri i PDK-së do ta forcojë partinë si shtetformuese.

“Ne jemi partia që ka ditur t’i përshtatet kohës dhe rrethanave të qytetarëve. PDK ka nevojë që të reflektojë, reformohet dhe modernizohet. Neve na duhet një koncept i ri, një hapje dhe ta forcojmë edhe më shumë identitetin tonë si parti shtetformuese dhe të djathtë”, tha ai.

Mbajtjen e kësaj konvente, Hoxhaj përmendi edhe dy ish-liderët e kësaj partie, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.

“Kjo konventë është e pazakontë sepse është pa kryetarin Veseli dhe presidentin Thaçi, e të cilët jam i bindur se do të kthehen faqebardhë dhe fitimtarë. Ne jemi krenar me ta, me të arriturat e tyre. Prandaj nga kjo konventë duam t’i falënderojmë se sa krenar jemi me ta. Me këtë konventë nuk po i zëvendësojmë liderët tanë historik, por një PDK e fortë do të thotë një UÇK e fortë”, shtoi ai.

Edhe gjatë kësaj konvente, Hoxhaj kritikoi Qeverinë Kurti, ku e quajti arbitrare.

Mungesën e kandidaturës së tij për kryetar të PDK-së, Hoxhaj tha se qëllimi ka qenë të ruaj unitetin e partisë dhe ta merr në dorë gjenerata e re PDK-në.

Kësisoj ai kërkoi mbështetje për kandidaturën e Memli Krasniqit.

Konventa Zgjedhore e PDK-së, Ismaili jep porosinë e Veselit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili ka hapur Konventën e dhjetë të partisë, ku pritet të zgjidhet kryetari i ri.

Ismaili nisi fjalimin e tij duke nderuar themeluesit të PDK-së, Hashim Thaçin e ish-kryetarin, Kadri Veseli.

Ai gjatë fjalimit të tij para delegatëve citoi porosinë e ish-kryetarit të partisë, Kadri Veseli që siç tha ai ua ka dhënë gjithmonë.

“Kur ndalet PDK, ndalet Kosova. Ruajeni njëri-tjetrin dhe mos u ndalni. Po e përsëris disa herë sepse kjo porosi është që na e ka dhënë gjithmonë ish-kryetari Kadri Veseli dhe është aq kuptimplotë”, citoi Ismaili ish-kreun e PDK-së, Kadri Veselin.

Ai shtoi se, “PDK-në nuk mund ta gjunjëzojë askush përballë krenarisë për vlerat që i kemi”.

“Dy themeltarët dhe frymëzuesit jo vetëm të PDK-së, por edhe të Kosovës, presin këtë nga ne, ashtu siç do t’i presim edhe ne ata, me punë e përkushtim, të bashkuar. UÇK-ja është prejardhja jonë dhe të gjithë e dinë peshën e saj. Në kohën e një errësire të plotë, UÇK-ja e shihte dritën dhe na tregonte rrugën. PDK-ja si trashëgimtare e saj nuk mund të ishte ndryshe”, u shpreh ai.

Ai u shpreh se, “Për ne qëllimi dhe vlera kanë qenë gjithmonë bashkë dhe sado që e tashmja është e vështirë, PDK0-ja e sheh të ardhmen. Një PDK e fortë që rikthehet aty ku e meriton, ku e presin qytetarët, që e lidh Kosovën me një të ardhme më të mirë”.

Nis Konventa Zgjedhore, PDK pritet të zgjedh kryetarin e ri

Ka nisur Konventa Zgjedhore e Partisë Demokratike të Kosovës në të cilën pritet të zgjedhet kryetari i ri i këtij subjekti.

Në këtë konventë, marrin pjesë 794 delegatë pjesëmarrës.

Konventa e PDK-së/​Delegatët fillojnë të mblidhen, mund të këtë edhe kandidatë të tjerë përpos Krasniqit

Në rast se sot dikush shpreh gatishmërinë të kandidohet për kryetar të PDK-së, i mbetet konventës që të vendosë për një gjë të tillë. Deri më tani është vetëm Memli Krasniqi, kandidat i vetëm për këtë pozitë. Por, Betim Gjoshi nga kjo parti nuk ka përjashtuar mundësinë që do të ketë edhe kandidatë të tjerë.

Ai pak para fillimit të konventës së dhjetë të PDK-së, para medieve ka thënë se janë inkurajuar të gjithë që të kandidojnë për udhëheqjen e kësaj partie.

Gjoshi: Ne që nga fillimi e kemi inkurajuar garën

“Ne që nga fillimi e kemi inkurajuar garën, konventa është organi më i lartë i partisë, ka drejtë që të ndryshoj edhe rregullat e partisë. Nëse ka rast të tillë nëse dikush shpreh gatishmërinë që të garoj, ai ka mundësi që të pyes konventën dhe të prezantojë nënshkrimet e punës edhe kryesia e punës e konventën edhe mandej mund të kemi më shumë se një kandidat”, tha Gjoshi.

Më tej, ai nuk ka bërë të ditur se në çfarë forme do të votohet për Memli Krasniqin, veç se potencoi se për tu zgjedhur kryetar partie duhet të marrë gjysmën e votave të delegatëve.

Gjoshi: Kryetari i PDK-së zgjidhet ai që merr më shumë se gjysmën e votave të delegatëve

“Kryetari i PDK-së zgjedhet ai që merr më shumë se gjysmën e votave të delegatëve. Nëse ka votim të fshehtë, por edhe të hapur... Nuk është që e kemi pyetur, por është konventa që vendos, pra ka detyrim kryesia e punës që të pyes konventën se për cilën mënyrë të votimit është e përcaktuar”, ka shtuar ai.

Ndryshe, dy ditë më parë, ish-ushtruesi i detyrës së PDK-së, ka bërë të ditur se nuk do të kandidojë për të parin e partisë. 

***

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka bërë të gjitha përgatitje e nevojshme për mbajtjen e Konventës së 10-të ku do të zgjedhet kryetari i ri.

Kandidat i vetëm për këtë pozitë është Memli Krasniqi, por që nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe kandidatë të tjerë ka bërë të ditur në një konferencë për medie, Betim Gjoshi nga kjo parti.

Sipas tij, nëse dikush shpreh gatishmërinë të kandidohet i mbetet delegatëve të vendosin nëse do ta lejojnë një gjë të tillë.

Ai më tej ka shtuar se edhe për mënyrën e votimit do të vendoset gjatë punimve dhe se në rënd ditë jenë 16 pika.

Në zgjedhjen e kryetarit të ri të PDK-së d të marrin pjesë 794 delegatë.

Ndërsa ish-ushtruesi i detyrës së PDK-së, Enver Hoxhaj dy ditë më parë përmes një konference për media bëri të ditur se nuk do të kandidojë për të parin e partisë.

Kjo është hera e parë që Partia Demokratike e Kosovës, mban konventën zgjedhore pa praninë e dy ish-liderëve Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, të cilët po gjykohen në Hagë si të akuzuar për krime të luftës.

​Delegatët fillojnë të mblidhen në Konventën e PDK-së

Kanë filluar të mblidhen delegatët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Konventën e jashtëzakonshme për të zgjedhur kryetarin e partisë.

Në konventën e dhjetë, rreth 794 delegatë të PDK-së nga e gjithë Kosova do të vendosin se kush do të udhëheq partinë në dy vitet e ardhshme.

Deri më tani është vetëm një kandidaturë zyrtare për kryetar, ajo e Memli Krasniqit, derisa nuk dihet nëse do të aprovohet ndonjë kandidaturë tjetër.

Ndërsa, ish-ushtruesi i deritanishëm i kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj ditë më parë bëri te ditur se nuk do t’ia mësyjë garës për të parin e PDK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat