Bleu 7 cent arin dhe ia shiti shtetit 7.000% më shtrenjtë/ Ish-agjenti i SHIK-ut: Edhe Lushtakut ia kaluan, ja sa ia shiti Samiu tokën Kosovës

Aktuale

Bleu 7 cent arin dhe ia shiti shtetit 7.000% më shtrenjtë/ Ish-agjenti i SHIK-ut: Edhe Lushtakut ia kaluan, ja sa ia shiti Samiu tokën Kosovës

Nga: N.Sh. Më: 2 korrik 2021 Në ora: 14:53
Sami Lushtaku

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj disa zyrtarëve shtetërorë, të cilët dyshohen për keqpërdorime të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Një ndër të akuzuait është edhe ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasanin dhe kryetari i Malishevës, Ragip Begaj.

Pas këtij lajmi kishte reaguar zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka.

Ai përmes një postimi në facebook, ka thënë se prona shoqërore në Malishevë është shitur për 7 cent te personi privat dhe është planifikuar të blihej nga shteti sërish 7.000% më shtrenjtë.

E për këtë skandal ka reaguar edhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari i cili thotë se kjo ka ndodhur nga mafia politike me sekserët e tyre në AKP.

Ai përmes një postimi në facebook, ka theksuar se, këta ia paskan kaluar edhe ish-kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtakut.

Sipas tij, Lushtaku e kishte ble 50 euro një ari tokë, por ia kishte shitur shtetit 7 mijë euro pastaj të njëjtën.

"Toka e budallve shkon edhe falë!

Blej 7 cent arin e tokës të shtetit-popullit nga mafia politike me sekserët e tyre në AKM- AKP dhe shitja prapë shtetit 7000% ma shtrenjtë.

Këta hajdutët e Malishevës ia paskan kalu edhe haverit, kusherinit të tyre Sami Lushtakut i cili së paku arin e tokës e kishte pagu 50 euro e ia kishte shitur shtetit 7000 euro arin (si e ka pronësuar Samia kanë dal burime të naftës dhe ari në atë tokë)!", ka shkruar Miftari.

Kurse, Sami Lushtaku kohë më parë kishte treguar për pasurinë që e kanë pasur para luftës dhe pasurinë që e kanë krijuar pas luftës.

“Unë para luftës i kam pasë 3 shpia. I kemi pasë dy lokale tona. Një lokal në Skenderaj dhe një market në fshat. I kena pasë edhe dy kerre”, ka thënë Lushtaku.

“Mas luftës, unë kam një shtëpi në Skenderaj. E kemi privatizu me një shok temin një lokal në Skenderaj që ka kushtu diku 65 mijë euro. E kam privatizu shumë herët. Nuk e di sa metra lokali ka qenë. Unë kam hy në kredi me marrë. Kur jam kanë unë në burg, jemi detyruar me shit lokalin. Nuk e di sa e kemi shitë”, ka theksuar Lushtaku.

Ai ka treguar edhe për privatizimin e 50 hektarëve tokë në fshatin Komoran të Drenasit.

“E kam një tokë 50 hektar që e kam përgjysmë me një mik, në Komoran. Tani e kam shit shtëpinë në Skenderaj. Vitin kur e kam ble tokën nuk e di. E kam ble me privatizim. E kemi privatizu diku 200 e diçka mijë euro, sa ka kushtu ari nuk e di. Jemi hy në kredi për me ble. Ma kanë dhanë kredinë 200 mijë euro”, kishte rrëfyer Lushtaku për pasurinë e tij.

Ajo tokë që Lushtaku e kishte privatizuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit ishte shpronësuar disa vite më vonë për ndërtimin e autostradës.

Madje me çmim shumë herë më të shtrenjtë.

“Toka është afër autostradës. Një pjese e tokës është shpronësuar. Diku rreth 50 euro arin e kemi ble. Kur është shpronësuar, nuk e di saktë, po diku 5, 6 ose 7 mijë euro ka qenë çmimi”, kishte treguar Sami Lushtaku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat