Katër propozimet në Bruksel, Komisioni Evropian i përgjigjet Albin Kurtit

Aktuale

Katër propozimet në Bruksel, Komisioni Evropian i përgjigjet Albin Kurtit

Më: 15 qershor 2021 Në ora: 18:58
Komisioni Evropian

Komisioni Evropian nuk ka një përgjigje të qartë ndaj propozimit të kryeministrit Albin Kurti për të rimodeluar marrëveshjet ekzistuese të tregtisë së lirë dhe asaj që pritet të ndodhë për lëvizje të lirë brenda rajonit, në një marrëveshje të vetme, e cila do të kishte raporte të njëjta me BE-në sikurse vendet anëtare të EFTA-s (Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra), që kanë me bllokun evropian.

Zëdhënësja e KE-së, Ema Pisonero, i ka thënë portalit dtt-net.com se Marrëveshja aktuale e Tregtisë së Lirë për Evropën Qendrore (CEFTA) është “korniza aktuale” e tregtisë në Ballkanin Perëndimor, duke bërë me dije se ide për përmirësimin e saj të mëtejmë duhet të diskutohen nga gjashtë shtetet anëtare.

Megjithatë, ajo nuk pati një përgjigje konkrete rreth propozimit të Kurtit për SEFTA-n (Marrëveshja e Evropës Juglindore për Tregti të Lirë).

“Komisioni, bashkë me Këshillin për Bashkëpunim Rajonal (RCC) dhe Marrëveshjen për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), mbështet liderët e Ballkanit Perëndimor në zbatimin e përkushtimeve të marra në Samitin e Sofjes nga BP6 drejt ndërtimit të një Tregu të Përbashkët Rajonal. Shpresojmë të shohim rezultate të prekshme gjatë Samitit të Berlinit (5 korrik)”, tha Pisonero.

Vlera e shtuar e marrëveshjeve ose vendimeve të arritura brenda kornizave përfshirëse të bashkëpunimit rajonal, sipas saj, është se ato sjellin përfitime për të gjithë qytetarët e rajonit.

Marrëveshja do të përfshijë Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë e Hercegovinën, Malin e Zi dhe Serbinë “si anëtarë të barabartë me të drejta të barabarta”.

Sipas propozimit të Kurtit, SEFTA do të krijojë një zonë ekonomike të përbashkët të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në kuadër të saj do të krijohet një këshill, komitet i përbashkët, gjykatë, sekretariat dhe autoriteti i mbikëqyrjes.

Propozimi parashikon që pasi të krijohet SEFTA, BE-ja do të lidhë një marrëveshje me të për të zgjeruar katër liritë – lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, personave dhe kapitalit – në të gjithë vendet e SEFTA-s.

Marrëveshja me BE-në do të parashikonte gjithashtu një mekanizëm mbikëqyrjeje, i drejtuar dhe operuar në kuadër të Bashkimit Evropian për të siguruar që të gjithë anëtarët e respektojnë Marrëveshjen.

Një marrëveshje e ngjashme me propozimin e Kurtit, që është aktualisht në fuqi, është Marrëveshja për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), e cila parashikon krijimin e një zone të lirë ekonomike, ku Ballkani trajtohet në mënyrë preferenciale në raportet ekonomike nga BE-ja.

Por CEFTA nuk ka sjellë rritjen e pritshme të tregtisë rajonale mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kurti ka kundërshtuar modelin aktual të CEFTA-s pasi, sipas tij, ai e trajton si të pabarabartë Kosovën.

Një propozim tjetër rajonal është “Schengeni Ballkanik”. Në dallim nga SEFTA dhe CEFTA, “Schengeni Ballkanik” bazohet në vullnetin politik të anëtarëve të tij për vendosjen e 4 lirive të BE-së mes tyre pa mekanizma mbikëqyrës nga jashtë. Ky propozim u kundërshtua nga Bosnja dhe Kosova. Prishtina pretendoi se ajo nuk njihet si shtet i pavarur nga Beogradi brenda kësaj marrëveshjeje.

Propozimet për bashkëpunim rajonal në Ballkanin Perëndimor vijnë në kuadër të Procesit të Berlinit. Kjo është një iniciativë e nisur nga kancelarja Merkel, e cila kërkon që vendet e Ballkanit Perëndimor para integrimit në BE të integrohen rajonalisht duke u bazuar në legjislacionin e kërkuar nga Brukseli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat