Edi Rama fsheh enigmën e frikshme për planin mbi Kosovën

Aktuale

Edi Rama fsheh enigmën e frikshme për planin mbi Kosovën

Më: 11 qershor 2021 Në ora: 16:06
Edi Rama

Milan Kuçan është padyshim një nga politikanët më të mëdhenj të Ballkanit. Ishte i pari, që duke qenë udhëheqës i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, në vitin 1989 kundërshtoi Sllobodan Milosheviçin pas deklaratës së tij të frikshme në Fushë-Kosovë.

Largoi me kurajo delegacionin e Lidhjes Komuniste të Sllovenisë nga Kongresi i LKJ-së, dhe lejoi e hapi në Slloveni gazeta e shoqata nga më të rëndësishmet që promovonin të drejtat e shqiptarëve të Kosovës. Që nga Forumi për të Drejtat e Njeriut, revistat “Alternativa” e “Republika” e të tjera e të tjera.

Natyrisht me përkrahjen e Helmut Kohlit siguroi që nuk do të shkrehë asnjë pushkë për të ndaluar pavarësinë e Sllovenise dhe e bëri këtë fakt i pari.

Por, edhe pse me Jugosllavinë i mbaroi punët me ca lëvizje prej një talenti të madh dhe pa i prekur asnjë flok popullit të tij, Kuçan mbrojti fort boshnjakët e shqiptarët. Kur Milosheviç e Tugjman bënin paktet e tyre të frikshme për ndarjen e Bosnjës, apo kur Sllobo nisi masakrat në Kosovë.

Milan Kuçan, ka ikur prej kohësh nga politika, sapo vendi i tij hyri në rrjedhën e pavarësisë, e mbylli misionin dhe merrej me jetën e tij, si një gjysh i mirë, por edhe si njeri i së majtës demokratike e progresive, në detyrën e këshilltarit e publiçistit.

Vendin e drejton Janes Jansha, ish-gazetari i “Mladina-s” së famshme, revistës që publikoi dokumentet e frikshme të ushtrisë Jugosllave për të gjakosur Ballkanin, dokumente, të cilat ja dha Milan Kuçani.

E sot, Janes Jansha, kryeministër i Sllovenisë, ka publikuar ‘Non Paper’-in që ka tronditur Ballkanin që flet për ndarjen e gadishullit.

Kuçan, që e njeh mirë Janesin, i cili në thelb ka mbetur ai gazetari që nuk të fal në publikimin e scoop-eve, ka deklaruar për radion “Europa e Lirë” se “Brukseli e di kush është autori i atij ‘Non Paper’-it”.

Sipas Kuçanit, autori i asaj letre që po bën çorap Ballkanin është as më pak e as më shumë por Emanuel Macron, jo se e ka shkruajtur vetë ai, por shërbimet sekrete franceze dhe që Presidenti i Francës i ka dhënë ‘OK’-in.

Por Kuçan, thekson me forcë se nuk do të zbatohet asnjë pikë e asaj shkrese që sipas tij, “s’ka asnjë gjasë as të diskutohet në ndonjë forum”.

Me aftësinë e tij politike dhe mënyrën çarmatosëse të logjikës, Kuçan tha për “Europa e Lirë” se

“Sllovenia nuk mund të ketë një pozicion të ndryshëm nga ai me të cilin ajo filloi procesin e pavarësisë së saj shtetërore, se të gjitha republikat kanë të drejtën e tyre dhe se shpërbërja e Jugosllavisë duhet të përfundojë brenda kufijve ekzistues. Pra, asnjë rishikim i kufijve nuk është i mundur”. Dhe këtu burri i shtetit më i suksesshëm në Ballkan i ka vënë vulën.

Por, gjithsesi, e gjithë kjo parantezë e gjatë, që natyrisht sjell në aktualitet një intrigë që frikshëm përfshin Kosovën, na sjell tek një pikëpyetje e madhe pa përgjigje.

Përse Emanuel Macron e thirri Edi Ramën në Elysee përpara zgjedhjeve të 25 prillit. Ku i dha një mbështetje të fortë elektorale me atë takim në Pallatin numër dy të Europës?

Edi Rama deklaroi atëherë se Macron i ka kërkuar që të ndikojë që të nisin negociatat Serbi-Kosovë dhe ai nuk pranoi. Ndërkaq, siç po del tashmë, Macron nuk e ka thirrur aspak Edi Ramën për të ulur Albin Kurtin me Aleksandër Vuçiçin. Atë Macron e bën vetë, pasi me të dy palët ka pasur kontakt të vijueshëm, madje me Vetëvendosjen e ka bërë edhe përpara Angela Merkelit, madje pikërisht kur Ramushi i tha ‘Jo’ Macronit në Berlin për heqjen e taksës dhe shau me ‘libër shpie’ Edi Ramën.

Macron, duket qartë se ka një plan për Kosovën, e ky plan është realisht enigma më e madhe e të gjithëve.

Duket, që shkëmbimi i territoreve, deri tani është opsioni më pak i kuotuar. Për fakt se Gjermania e Angela Merkelit i ka thënë fuqishëm ‘Jo’ këtij projekti.

Merkel, edhe pse drejt largimit, e që duket i ka dhënë një dorë protagonizmit të Macron për ta marrë në dorë ‘pataten e nxehtë’ Prishtinë-Beograd, ka dërguar një sinjal të fortë para takimit Biden-Putin që mbahet të mërkurën e ardhshme.

Duket që mbi shkëmbimin e veriut për Preshevën që mesa duket ishte një provokacion i madh, ka fituar Asocacioni i Komunave Serbe. Një mënyrë tjetër e pushtetit të zgjatur të Beogradit në Kosovë. Po si do të konfigurohet ai. Edi Rama, deri tani është i vetmi që mund të dijë diçka, meqë e ka takuar Macronin, që siç duket ka kërkuar nga Babloku që të bindë Erdoganin që të mos e kundërshtojë. Dhe misioni i Ramës në Ankara ka pasur pikërisht këtë qëllim, që të sigurojë një qetësi deri në takimin Kurti-Vuçiç. Por Edi Rama ka detyrimin kushtetues e moral që ta verë në dijeni Albin Kurtin se çfarë di ai për planin e ri të Kosovës. Çdo sjellje e tij prej “rrufjani”, rrezikon çdo moment lëvizjet strategjikë që shqiptarët duhet të marrin për të parandaluar ndarjen e re që pritet të bëhet njëherë nga Biden-Putin, e më pas nga Macron e Merkel.

Jemi sipas të gjitha gjasave para një ‘Jalte’ të re.

Biden dhe Putin në radhë të parë mblidhen për Ukrainën, por ka shumë gjasa të diskutojnë edhe për Kosovën. Nëse nuk do të ketë ‘deal’, do të ketë luftë. Nëse do të ketë ‘deal’, sipas të gjitha gjasave ka edhe marrje por edhe dhënie.

Por cilat janë opsionet?

Edi Rama di më shumë nga të gjithë për këtë sipas të gjitha gjasave, e duhet të nxisë debatet për të parandaluar skenarin më të rrezikshëm. Heshtja e tij, më shumë ndihmon Serbinë, e cila po i diskuton në opinion të gjitha opsionet, e ne nuk dimë asgjë çfarë do të ndodhë me ne të mërkurën e ardhshme, por edhe në fund të muajit…/Pamfleti

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat