Kryetari i Komunës së Dragashit do të dëshmojë në rastin ku shefi i zyrës së prokurimit akuzohet për korrupsion

Aktuale

Kryetari i Komunës së Dragashit do të dëshmojë në rastin ku shefi i zyrës së prokurimit akuzohet për korrupsion

Më: 2 qershor 2021 Në ora: 16:13
Ilustrim

Kryetari i Komunës së Dragashit, Shaban Shabani, do të dëgjohet në cilësi të dëshmitarit në rastin ku shefi i zyrës së prokurimit në këtë komunë, Nuro Ismaili, po akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Një vendim i tillë u mor në seancën e së mërkurës, pas propozimit të të akuzuarit.

Ismaili propozoi që përveç Shabanit, në cilësi të dëshmitarit të dëgjohet edhe juristi Fadil Sinani, i cili punon në kuadër të zyrës së tij.

Në seancën e parë të shqyrtimit kryesor për këtë rast, pasi i akuzuari Ismaili u deklarua edhe një herë tjetër i pafajshëm për akuzën që i vihet në barrë, palët në procedurë dhanë fjalët e tyre hyrëse.

Prokurori Mehdi Sefa tha se aktakuzën e ka ngritur në bazë të provave të cila i konsiderojnë të pranueshme për gjykatën. Sipas tij, me administrimin e tyre do të vërtetohet fajësia e të akuzuarit.

Kurse përfaqësuesi i autorizuar i Komunës së Dragashit, Islam Rexhepllar, kërkoi nga gjykata një afat kohor për fjalën e tij hyrëse, me arsyetimin se nuk ka mundur të marr mendimin e kryetarit të Komunës dhe autorizimin e veçantë për përfaqësimin e këtij rasti. Këto tha se i duhen në mënyrë që të mund të deklarohet lidhur me faktin nëse i bashkëngjiten ndjekjes penale, nëse parashtrojnë kërkesë pasurore juridike, si dhe atë nëse Komuna e Dragashit është e dëmtuar.

Në anën tjetër, i akuzuari Ismaili tha se pretendimet lidhur me aktakuzën i ka shpjeguar në kërkesën e tij për hudhjen e së njëjtës. Andaj, ai kërkoi nga gjykata që të vazhdohet me procedurën e provave.

Ismaili propozoi që në cilësi të dëshmitarëve të dëgjohen kryetari i Komunës së Dragashit, Shaban Shabani dhe juristi Fadil Sinani, ku për këtë të fundit tha se punon në zyrën e tij.

Mirëpo, prokurori Sefa u pajtua vetëm me propozimin për dëgjimin e kryetarit Shabani, por jo edhe atë për dëgjimin e juristit Sinani. Kjo pasi sipas prokurorit, i akuzuari është menaxher dhe shefi i zyrës së prokurimit, në kuadër të së cilës punon edhe Fadil Sinani, andaj dhe deklarata e tij mund të jetë e ndikuar nga Ismaili.

Megjithatë, gjykatësja Raima Elezi aprovoi dy propozimet e të akuzuarit.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më 8 korrik, në ora 09:00.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 30 nëntor 2020, e të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, Nuro Ismaili po akuzohet se nga 18 marsi 2019 e deri më 28 qershor 2019, si person përgjegjës-menaxher i zyrës së prokurimit në Komunën e Dragashit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitoj dobi pasurore për operatorin ekonomik “Avni Murtezi” B.I.

“Në cilësinë e menaxherit në zyrën e prokurimit vepron në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik nr.04/L-042 konkretisht neni 57 par.1 ashtu që dështon të konfiskon sigurinë e tenderit i dt. 05.05. 2019 në shumë prej 3000 (tre mijë) euro për furnizim me dru dhe pelet nga Operatori ekonomik “Avni Murtezi” B.I. i cili nuk arrin të siguroj një vërtetim nga ATK që ka paguar tatimin dhe nga Gjykata Ekonomike që nuk është gjykuar si person juridik, dhe kështu lidhet kontrata me operatorin më të shtrenjtë për 25,680 euro duke dëmtuar buxhetin e Komunës”, thuhet në dispozitivin e aktit akuzues.

Me këto veprime, Nuro Ismaili po akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3, nën paragrafi 3.2 të KPRK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat