Pas afro 3 vitesh nga seanca e fundit, sërish deklarohen të pafajshëm dy mjekët për marrje ryshfeti

Aktuale

Pas afro 3 vitesh nga seanca e fundit, sërish deklarohen të pafajshëm dy mjekët për marrje ryshfeti

Më: 26 maj 2021 Në ora: 17:24
Seanca

Pas afro 3 vitesh nga seanca e fundit, të akuzuarit Petrit Xhaka dhe Liridon Mehmeti sërish janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat për korrupsion.

Një deklarim të tillë të akuzuarit e kanë bërë pas leximit të aktakuzës nga prokurori Zejnullah Gashi,  në gjykimin që filloi rishtazi për veprat penale “keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrja e ryshfetit”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Seanca e fundit në këtë rast ishte caktuar në nëntor të vitit 2018, por ishte shtyrë në mungesë të dëshmitarit Gazment Halili, prezenca e të cilit nuk kishte arritur të sigurohej.

Ky dëshmitar është babai i pacientes S.H, për të cilën dy të akuzuarit po dyshohen se i kishin kërkuar para për përcjelljen e saj me autoambulancë për shërim në Tiranë.

Pasi ky rast ka filluar rishtazi dhe trupi gjykues është ndërruar, tani si kryetare e trupit gjykues është caktuar gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica kurse anëtarë Agim Kuqi dhe Medie Bytyqi.

Pas deklarimit të palëve lidhur me fajësinë e tyre, seanca ka vazhduar me fjalën hyrëse, ku prokurori Gashi ka deklaruar se qëndron  në tërësi pranë aktakuzës së vitit 2014 kundër të akuzuarve Xhaka dhe Mehmeti.

Sipas prokurorit Gashi, këto vepra penale do të vërtetohen pas administrimit të provave të cilat gjenden në shkresat e lëndës.

Palët e akuzuara në këtë seancë mbrojtjen e kanë bërë pa mbrojtës, e më vonë pas konsultimit të trupit gjykues atyre iu caktuan mbrojtës sipas detyrës zyrtare.

Në fjalën e tij hyrëse, i akuzuari  Xhaka deklaroi se aktakuza është e pabazë dhe si të tillë, ai e ka kundërshtuar.

Sipas të akuzuarit Xhaka, pala e dëmtuar ka manipuluar me policinë dhe inspektoratin dhe nuk e ka paraqit rastin siç ishte.

“Mendoj që aktakuza është e pabazë, ngjarja është nxjerrë nga konteksti sepse pala denoncuese ka manipulu edhe me inspektoratin edhe me policinë duke mos e paraqit rastin qysh ishte”, tha i akuzuari Xhaka.

Sipas tij, ai posedon edhe një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, si provë se ju lejohet mjekëve të angazhohen edhe jashtë orarit të punës në punë të tjera.

Në shqyrtimet që pritet të mbahen, Xhaka ka propozuar që të dëgjohen edhe si dëshmitar gjyshi i fëmijës Halil Halili dhe disa prej kolegëve të tyre.

E i akuzuari Mehmeti, në fjalën e tij hyrëse ka deklaruar se e kundërshton aktakuzën dhe se i njëjti tha se ka qenë jashtë detyrës zyrtare në momentin kur i ka kryer këto veprime.

“Unë në kohën kur jam njoftu për rastin kam qenë në detyrë, e kundërshtojmë këtë aktakuzë, në këtë rast unë kam qenë jashtë detyrës zyrtare e kjo nuk mundet me u qujtë keqpërdorim i detyrës zyrtare”, tha i akzuari Mehmeti.

Sa i përket parave që ata kishin marrë lidhur me këtë rast e për të cilat po akuzohen, i akuzuari tha se nuk i ka kërkuar ato të holla por ato i ka pranuar si shpërblim nga i dëmtuari Gazmend Halili.

“Në aspektin e marrjes se mitos nuk është e vërtetë që na kemi kërku të holla për transport, flasë unë personalisht edhe atë shumë që ma ka dhënë Gazmendi e kam marrë vetëm si shpërblim për punën që e kam bo at ditë” shtoi Mehmeti

Tutje, kjo seancë ka vazhduar me propozimin e provave, ku prokuroi Gashi ka propozuar që deklaratën e dhënë në polici të të dëmtuari Halili dhe dëshmitares të konsiderohen të lexuara, me arsyetimin e ekonomizimit të procedurës.

Lidhur me mungesën e të dëmtuarit Halili, gjykatësja Krasniqi- Jashanica ka thënë se për të do të përsëris edhe njëherë ftesën, pasi sipas saj, fillimisht ftesën e kishte pranuar babai i tij, pasi i dëmtuari Halili gjendej në Gjermani.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 28 qershor 2021, në ora 13:00.

Prokuroria Themelore në Prishtinë në shtator të vitit 2014, kishte ngritur aktakuzë ndaj Petrit Xhakës dhe Liridon Mehmetit, për veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “marrje e ryshfetit”.

Sipas prokurorisë, Xhaka në cilësinë e mjekut, ndërsa Mehmeti në cilësinë e infermierit, kishin marrë 100 euro ryshfet, nga i dëmtuari Gazmend Halili, babai i pacientes S.H, për përcjelljen e saj me autoambulancë për shërim në Tiranë.

Ky rast ishte lajmëruar në polici nga vet i dëmtuari Halili, ndërsa dy të akuzuarve policia u kishte konfiskuar dy kartëmonedha në vlerë prej 50 eurosh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat