UP sqarohet rreth konkursit për pranim të studentëve në studimet e doktoratës

Aktuale

UP sqarohet rreth konkursit për pranim të studentëve në studimet e doktoratës

Më: 8 prill 2021 Në ora: 17:25
UP

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka bërë të ditur se ende nuk është përmbyllur procedura e pranimit të kandidatëve në studimet e doktoratës në Fakultetin e Mjekësisë dhe Fakultetin Ekonomik, pasi që ende nuk janë shpallur rezultatet përfundimtare dhe nuk janë miratuar listat përfundimtare nga Senati i UP-së, siç parashihet me rregulloren për studimet e doktoratës.

Rrjedhimisht, në këto dy fakultete ende nuk ka kandidatë të pranuar në studimet e doktoratës për vitin akademik 2020/21.

Vendimi i fundit i Senatit lidhur me këtë çështje parasheh përsëritjen e provimit pranues në fakultetet e lartpërmendura, për shkak të shkeljeve procedurale të raportuara në realizimin e konkursit, e jo për arsye të tjera, siç janë konflikti i interesit e të ngjashme.

Lidhur me pretendimet e ngritura në opinion rreth konfliktit të interesit, respektivisht të drejtës së konkurrimit, UP-ja nuk ka nxjerrë ndonjë konstatim, por ka kërkuar sqarim te Agjencia Kundër Korrupsionit dhe Zyra e Avokatit të Popullit, në mënyrë që këto çështje të sqarohen para se të procedohet me ri-testimin e kandidatëve.

Ndërkohë, UP ka pranuar opinionet përkatëse, të cilat janë të njohura edhe për opinionin publik dhe të cilat japin sqarim vetëm sa i përket konfliktit të mundshëm të interesit dhe të drejtës së kandidimit.

Këto dy institucione nuk kanë trajtuar shkeljet procedurale në procesin e konkursit të doktoratës në këto dy fakultete dhe rrjedhimisht në asnjë rrethanë nuk e kanë kufizuar mundësinë e ri-testimit të kandidatëve.

Përkundrazi, AKK-ja ka dhënë rekomandime për mënyrën e organizimit të provimit pranues, të cilat gjithsesi do të merren në konsideratë, thuhet në një sqarim për media të UP “Hasan Prishtina”.

Ndryshe, sot para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” kanë protestuar kandidatët e pranuar për studime të doktoratës në Fakultetin Ekonomik dhe Fakultetit të Mjekësisë.

Doktorantët e pranuar kanë deklaruar se nuk do të pranojnë që të ri-testohen, ndërsa nëse për një gjë të tillë vendos Senati ata do ta bojkotojnë ri-testimin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat