Kaq persona janë vaksinuar me AstraZeneca për dy ditë në Prishtinë

Aktuale

Kaq persona janë vaksinuar me AstraZeneca për dy ditë në Prishtinë

Më: 1 prill 2021 Në ora: 18:00
Prishtinë

Të martën në Kosovë ka filluar edhe zyrtarisht vaksinimi kundër Covid-19 me vaksinat e AstraZeneca-s.

Kjo pasi që të dielën e 28 marsit Kosova ka pranuar 24 mijë doza të vaksinës nga programi COVAX.

E, të parët që do të vaksinohen janë punëtorët shëndetësorë të Klinikës Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Ndërsa, i pari që mori vaksinën e AstraZeneca-s, në Kosovë ishte kryeministri i vendit Albin Kurti, të hënën.

Media ka kërkuar përgjigje në Ministrinë e Shëndetësisë që të dijë se sa persona janë vaksinuar deri më tani pas arritjes së kësaj vaksine.

Në këtë dikaster kanë thënë se vetëm për dy ditë numri i personave që janë vaksinuar ka arritur në 800.

“Dy ditët e para, pa i llogaritur vaksinimet e sotme, janë vaksinuar rreth 800 persona në Prishtinë”, thuhet në përgjigjen e Ministrinë së Shëndetësisë.

Të pyetur se çfarë do të ndodhë me mjekët të cilët dozën e parë të vaksinës e kanë marrë në Shqipëri, në MSh kanë deklaruar se dozën e dytë të njëjti do të mund ta marrin ose në Shqipëri por edhe në Kosovë.

“Mjekët të cilët e kanë marrë dozën e parë në Shqipëri, do ta marrin edhe të dytën sipas kalendarit të vaksinimit, qoftë në Shqipëri apo në Kosovë”, thuhet më tutje në përgjigjen e këtij dikasteri.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në Kosovë janë dikund rreth 13 mijë e 600 person shëndetësor në sektorin publik.

Por, në këtë ministri nuk kanë dhënë përgjigje të saktë se kur pritet të përfundojë vaksinimi me 24 mijë dozat e vaksinës se AstraZeneca-s.

“Vaksinimi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim dhe pasi të përfundojë java e parë do të mund të jepen detaje dhe parashikime për sa do të jepen të gjitha dozat”, kanë thënë nga Ministria e Shëndetësisë.

Kurse, në mëngjesin e ditës së nesërme do të nisë vaksinimi i personelit shëndetësor edhe në Pejë, ku tashmë në këtë komunë kanë arritur një mijë vaksina.

Ndërsa, një ditë më parë është konfirmuar që Kosova do të furnizohet edhe me vaksina nga Pfizer-BioNTech.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ka njoftuar se ka marrë konfirmimin që nga kjo kompani do të vijnë edhe 100.620 vaksina anti-Covid.

“Nga komunikimi i fundit që arriti sot nga COVAX, ( për sigurimin e radhës së vaksinës Pfizer-BioNTech) komunikim të cilin ia përcolla Ministrit Vitia për ta vazhduar atë zyrtarisht, konfirmohen 100.620 vaksina anti Covid-19 në qershor, për qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Zemaj.

E, sot në një përgjigje pikërisht për këtë çështje janë deklaruar nga Pfizer dhe BioNTech.

Ursa Lakner, një zyrtare e lartë e kompanisë Pfizer, ka thënë se kjo kompani është e përkushtuar që të ndihmojë me këtë vaksine, pa dashur të jep më shumë detaje se kur do të vijnë dozat e para të kësaj vaksine në Kosovë.

“Pfizer dhe BioNTech janë të përkushtuar për të sjellë këtë vaksinë për të ndihmuar në përmbushjen e nevojës globale të shëndetit publik”, ka thënë Ursa Lakner.

E, pyetur se a do të vijnë të gjitha dozat në të njëjtën kohë ajo ka shtuar se janë duke diskutuar me Qeverinë e Kosovës.

“Ne jemi duke diskutuar me Qeverinë në Kosovë për të siguruar qasje në vaksinë”, është shprehur zyrtarja e lartë e kompanisë Pfizer, Ursa Lakner.

Vetëm në 24 orët e fundit në Kosovë kanë vdekur 12 persona nga Covid-19, ndërsa nga 5 mijë e 10 mostra të marra 975 raste kanë rezultuar pozitive.

Gjatë 31 ditëve të muajit mars në Kosovë janë konfirmuar 21 mijë e 59 raste të reja me koronavirus, ndërkaq numri i të vdekurve në këtë muaj ka qenë 273.

Sipas statistikave të publikuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës në baza ditore, numri i të shëruarve gjatë marsit 2021 ka qenë 14 mijë e 564 persona.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat