Përveç kuorumit e votave, Vjosa Osmani duhet ta plotësojë edhe një kusht për Presidente

Aktuale

Përveç kuorumit e votave, Vjosa Osmani duhet ta plotësojë edhe një kusht për Presidente

Më: 31 mars 2021 Në ora: 16:12
Vjosa Osmani

Çështja e zgjedhjes së Presidentit është tema më e “nxehtë” aktualisht në skenën politike.

Vjosa Osmani deri më tani është kandidatja e vetme për pozitën më të lartë shtetërore, i ka votat e Vetëvendosjes, Listës së saj dhe mbështetjen e kryesisë së LDK-së.

Anipse ka deputetë në LDK që janë të “hidhëruar” me të dhe nuk dihet nëse do ta votojnë.

Por cila është procedura që duhet të ndiqet në ditën kur të mbahet seanca për zgjedhjen e Presidentit?

Njohësi i kushtetutës, Mazllum Baraliu, ka thënë se përveç që Osmanit i duhen të paktën 61 vota, në raundin e tretë, duhet patjetër të ketë edhe një apo më shumë kundërkandidat.

“Duhet të ketë më shumë se një kandidat domosdoshmërish”, ka thënë Baraliu.

E kandidati për President duhet t’i marr 30 nënshkrime të deputetëve që të jetë zyrtarisht në garë për të parin e shtetit, por i njëjti deputet nuk mund të nënshkruaj për 2 kandidatë.

“Mundet edhe qytetari, jo vetëm partitë politike u duhen të paktën 30 nënshkrime të deputetëve dhe deputetët duhet të jenë të tillë që nuk nënshkruajnë për një kandidat tjetër, por vetëm për atë kandidat”, shprehet ai.

“Në raundin e parë dhe të dytë duhet të jetë prania e 80 deputetëve 2/3 dhe votimi pro ose kundër pa marrë parasysh apo abstenim dhe nëse nuk zgjidhet njëri prej kandidatëve atëherë në herën e tretë nga 2 kandidat që kanë marrë më shumë vota në herën e dytë mund të zgjidhet njëri ose njëra me shumicë të thjeshtë nga 61 deputetë dhe  në këtë mënyrë përfundon procedura e zgjedhjes së presidentit”, ka thënë Baraliu.

Media ka provuar të kontaktoj edhe me zëdhënësin e Lëvizjes Vetëvendosje, për t’i pyetur nëse kanë një emër tjetër për të plotësuar procedurën e nevojshme, por që kontakti me të ka qenë i pamundur.

Deri më tani Vjosa Osmani nuk ka një kundërkandidat dhe nuk dihet nëse partitë opozitare do të propozojnë dikë tjetër, por që sipas njohësit të çështjeve kushtetuese duhet t’i mbledhin 30 nënshkrime.

Nëse PDK-ja dhe AAK-ja bëhen bashkë të propozojnë një kundër kandidat u duhet bashkëpunimi edhe i partive të tjera pasi bashkë bëhen 27 deputetë, pamjaftueshëm për të propozuar një emër tjetër.

Kujtojmë se në ditën kur u zgjedh Hashim Thaçi President kundërkandidat e kishte deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Rafet Ramën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat