‘Treshja e ekonomisë’ së Kurtit/ Kush janë specialistët e kabinetit të ri qeveritar që pritet të ‘transformojnë’ financat publike

Aktuale

‘Treshja e ekonomisë’ së Kurtit/ Kush janë specialistët e kabinetit të ri qeveritar që pritet të ‘transformojnë’ financat publike

Më: 23 mars 2021 Në ora: 15:38
Albin Kurti

Kuvendi i Kosovës ka votuar në 22 Mars qeverinë e re të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit.

Partia fituese në këto zgjedhe, Vetëvendosje ka përcaktuar si mandatar për kryeministër, Albin Kurtin, i cili përpara Kuvendit ka prezantuar kabinetin qeveritar dhe planin e tij të punës për objektivat kryesore që dëshiron të arrijë në çdo sektor.

Ajo që vihet re në kabinetin qeveritar është se një vëmendje e madhe do t’i kushtohet ekonomisë, teksa janë caktuar tre ministri që në mënyrë indirekte lidhen me zhvillimet financiare dhe ekonomike të vendit. Në qeverinë e kaluar Kurti është shprehur se do të merrte disa nisma ekonomike mjaft të guximshme, ku njëra prej tyre është thithja e parave të Diasporës për t’i investuar në vend dhe jo për ti përdorur vetëm si remitanca.

“Drejtuesit e Kosovës shpesh e kanë parë diasporën si një burim parash, por ne duam t’i shohim kosovarët jashtë vendit si investitorë, të cilët mund të presin kthime financiare.”

Në programin e prezantuar përpara Kuvendit mbi platformën e tij, Kurti është shprehur se një tjetër reformë e rëndësishme do të jetë krijimi i një zinxhiri që do ofrojë më shumë mundësi në financa për ndërmarrjet:

“Ndërmarrësve tanë do t’u ofrojmë qasje në financa që janë aq të nevojshme për të përballur rritjen e prodhimit.Për këtë do të krijojmë partneritet të fuqishëm mes pesë shtyllave që së bashku e garantojnë daljen relativisht të shpejtë nga recesioni i tanishëm: ndërmarrjet – shteti – sistemi bankar – Fondi Kosovar për Garantimin e Kredive – dhe komuniteti i donatorëve e i kredidhënësve ndërkombëtarë.”

Kështu pra edhe përbërja e kabinetit përfshin eksperiencën dhe të arsimuarit jashtë vendit, që pritet të sjellin një dinamikë të re në zbatimin e këtyre reformave të thella ekonomike.Kurti ka vendosur që nga kabineti i kaluar i qeverisë së tij, të emërojë sërish Rozeta Hajdarin në krye të Ministrisë së Tregtisë. Një emër i njohur për bashkëpunimet e shumta me organizatat ndërkombëtare në këtë fushë dhe autore e publikimeve të ndryshme.

Kryeministri i ri i Kosovës ka sjellë edhe dy emra të rinj në kabinet. Emri i parë është Artane Rizvanolli që do të drejtojë Ministrinë e Ekonomisë:

Një specialiste me eksperiencë në fushën e Ekonomiksit dhe e arsimuar jashtë vendit ajo ka mbaruar studimet në Ekonomiks në Universitetin e Prishtinës, dhe më tej ka vazhduar studimet Master në Ekonomiks për analizë biznesi në Universitetin Staffordshire në Mbretërinë e Bashkuar. Në vitin 2012 ka doktoruar në fushën e Ekonomiksit në Universitetin Staffordshire me hulumtimin e fokusuar në lidhjen në mes kapitalit njerëzor dhe investimeve të huaja direkte në ekonomitë evropiane në tranzicion. Pas angazhimit gjashtëvjeçar si hulumtuese në Institutin Riinvest, ajo e ka vazhduar punën e saj si hulumtuese dhe këshilltare për analiza dhe politika ekonomike në kuadër të organizatave të ndryshme kosovare dhe ndërkombëtare në fushat si punësimi, zhvillimi i sektorit privat, efektet e diasporës në ekonomi, financat publike, etj.

Emri tjetër që pritet të mbajë në këmbë Financat e vendit është një njeri shumë i përgëzuar nga Kurti për dituritë e tij. Ai është Hekuran Murati dhe njihet si një avokat i zellshëm në opinionet publike mbi çështje kryesore ekonomike në Kosovë, ku ka dalë hapur kundër qeverive në pushtet.

Hekuran Murati studimet i ka mbaruar për Menaxhimin e Biznesit në Universitetin Amerikan në Kosovë. Studimet master i ka vazhduar për Menaxhimin e Investimeve në Hochschule Bremen & University of North Carolina Wilmington, me specializim në Financa Ndërkombëtare.Ai ka punuar në Ministrinë e Financave si Shef i Divizionit të Borxhit Publik, dhe pastaj si konsulent në Bankën Botërore. Po ashtu ka punuar edhe në Bankën Qendrore të Kosovës.

“Është shumë i ri, por shumë i ditur. Këtë e tregon puna e madhe, përvoja e gjerë dhe performanca cilësore që e ka bërë.” – është shprehur Kurti.

Kjo ndarje ku Tregtia, Ekonomia dhe Financa cilësohen si sektorë të veçantë duket një zgjedhje interesante nga kryeministri Kurti për të adresuar një nga problemet kryesore që Kosova ka hasur në 13 vite pavarësi, pikërisht luftimi i korrupsionit dhe keqmenaxhimi i fondeve publike.

Vetëvendosje dhe programi politik i saj kërkon një ndarje më të drejtë midis privatizimit dhe shtetëzimit. Siç është shprehur më herët në ligjërimet e tij publike, Kurti mendon se Kosovës do t’i përshtatej më shumë modeli socialdemokrat i vendeve Skandinave ku shteti është më shumë pjesëmarrës në shpërndarjen e barabartë të pasurisë dhe ku burimet natyrore të vendit nuk privatizohen. Besimi i tij është se institucionet kryesore duhet të mbeten publike dhe problemi qëndron në bordet e tyre të menaxhimit, që nuk prodhojnë eficencë.

“Një ekonomi, nga progresi i së cilës përfitojnë shumë më shumë nga ne, një ekonomi pa monopole, e me ndërmarrje publike që funksionojnë mirë e operojnë suksesshëm.” – siç është shprehur ai në prezantimin e programit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat