Merovci: Sikur Serbia ta nënshkruante Marrëveshjen e Rambujesë, a thua do të ishte kjo pavarësi?

Aktuale

Merovci: Sikur Serbia ta nënshkruante Marrëveshjen e Rambujesë, a thua do të ishte kjo pavarësi?

Më: 17 mars 2021 Në ora: 22:04
Adnan Merovci

Adnan Merovci, që ishte pjesë e Rambujesë si njeriu i afërt i ish-presidentit Ibrahim Rugova, ka të botuar një ditar nga Konferenca e Rambujesë me titullin “Kështjella e (Mos)Marrëveshjes”.

Ai, duke folur për 22 vjetorin e kësaj konference, ka treguar edhe arsyen pse libri i tij titullohet kështu.

“Ai titull ka pak edhe domethënie poetike. Çështja është se në Rambuje është zhvilluar një takim që është pretenduar të rezultojë me një marrëveshje. Marrëveshja në kuptim të vetin nënkupton pajtimin e palëve të mosmarrëveshur në sytë e të huajve që manifestohet me një nënshkrim dhe kjo do të ishte një marrëveshje finale dhe e realizuar. Meqë ajo nuk ndodhi, por ka ndodhur një pajtim i shqiptarëve me të huajt karshi tekstit të marrëveshjes që ka ekzistuar dhe nuk është nënshkruar nga serbët që kanë qenë partner me shqiptarët, atëherë edhe këtu konsideroj se ka qenë një kështjellë dhe mosmarrëveshje”.

Ai, ka ngritur një çështje shumë interesante – a do ta kishte Kosova këtë pavarësi nëse Serbia do ta nënshkruante Marrëveshjen e Rambujesë?

Merovci ka thënë se këtë dilemë e ka ngritur edhe në një librat e tij duke e pasë parasysh se sikur Serbia ta vinte firmën në Marrëveshjen e Rambujesë atëherë do të pranonte edhe një humbje të sovranitetit dhe kjo mund të sillte një situatë krejt tjetër për Kosovën.

“Që të shterret rruga politike duhej edhe plumbi dhe duhej të ndodhte një luftë e kontrolluar. Pse i them e kontrolluar? E kontrolluar për t’iu shmangur involvimit të Shqipërisë që të mos klasifikohej si luftë mes dy shteteve të Kombeve të Bashkuara – Shqipëri dhe ish-Jugosllavi – ku një luftë e tillë do të ndalej për dy orë dhe e cila do ta trajtonte çështjen e Kosovës si shkaktare dhe cenim i të drejtave të njeriut – dhe nuk do të bëheshim shtet kurrë”.

“Ndodhi Rambujeja e cila ka ardhur si rezultat i krejt asaj çka ka ndodhur më përpara. Në Rambuje nëse flasim për parimet e panegociueshme që kanë qenë diku 10, ku njëra ka qenë për integritet, në takimin e parë [Hashim] Thaçi ka insistuar në një mocion për armëpushim dhe derisa nuk i është qit ndër mend nga amerikanët që ta lë këtë punë se serbët po ta kushtëzojnë me pranim të parimeve të panegociueshme që i bie që konferenca i ka pasë në parim ato, por fakti se serbët e kanë ditur që ato nuk mund të jenë të zbatueshme e kanë kushtëzuar palën shqiptare që t’i pranojë parimet dhe këtu është stepur Thaçi dhe është tejkaluar kjo”.

“A guxojmë të mendojmë që a thua nëse pala serbe sikur do ta kishte nënshkruar sot a do të ishte më mirë për Kosovën dhe shqiptarët? Për herë të parë në histori, që s’ka ndodhur ende, Serbia nënshkruan diçka në raport me Kosovën dhe e brishtëson sovranitetin e saj, për mos të thënë heqë dorë. Kosovën Serbisë ia kanë marrë me luftë, sepse Marrëveshja e Kumanovës është marrëveshje teknike. Sikur Serbia ta nënshkruante një marrëveshje, a thua do të kishte qenë kjo pavarësi – që fatkeqësisht ende nuk është 100 % funksionale?”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat