Osmani e Hoti shkelin Ligjin për AKI’në, institucioni pa drejtor

Aktuale

Osmani e Hoti shkelin Ligjin për AKI’në, institucioni pa drejtor

Më: 5 shkurt 2021 Në ora: 15:04
Osmani e Hoti

Presidenca dhe Kryeministria ende nuk janë dakorduar për pozitën e kryeshefit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI). Fundit i janarit ishte afati i fundit ligjor, kur ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti do të duhej të emëronin bashkërisht drejtorin e ri të AKI’së.

Bazuar në Ligjin për AKI’në, në nenin 5.3 përcaktohet se “presidenti i Republikës së Kosovës së bashku me kryeministrin, emërojnë së bashku drejtorin e AKI-së brenda 20 ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë”.

Lexo Edhe:

5 të vdekur dhe 284 raste të reja me COVID-19 në Kosovë

Nga Zyra e Kryeministrit kanë thënë që ende nuk ka asnjë zhvillim të ri në këtë drejtim.

“Nuk ka asnjë zhvillim të ri në këtë drejtim”, thuhet në përgjigjen e Antigona Baxhakut, zëdhënëse e Qeverisë.

Në ndërkohë nga kabineti i u.d së Presidentit, nuk janë deklaruar lidhur me këtë çështje pavarësisht insistimit të gazetës.

Vjosa Osmani e Avdullah Hoti me emra të ndryshëm për shef të AKI’së

Janë bërë pak më shumë se dy muaj qysh kur ish-shefit i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Kreshnik Gashi, i’u kërkua lirimi i detyrës pas më shumë se një viti shërbim.

Pavarësisht që kryeministri në detyrë Avdullah Hoti, ka propozuar që zëvendësdrejtori i këtij institucioni Latif Merovci, të jetë shefi  AKI’së, nga Presidenca nuk është pranuar një propozim i tillë.

Ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani ndryshe nga Hoti ka propozuar një emër tjetër për kryshef të AKI’së. Këshilltari për media i u.d së Presidentit, Bekim Kupina, më herët pati thënë se për momentin emri i të propozuarit nga Presidenca nuk mund të bëhet publik për shkak të konfidencialitetit.

“Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ka deklaruar se ka qenë iniciativë e tij shkarkimi i drejtorit të AKI-së, Kreshnik Gashi. U.d. Presidentja Osmani e ka propozuar një emër për shef të AKI-së. Meqë ky proces duhet të mbetet tërësisht konfidencial nuk mund ta bëjmë publik emrin tash për tash.  Presim nga Kryeministri që edhe ai të pajtohet me propozimin tonë”, ka thënë Kupina.

“Mosemërimi i shefit të AKI’së ka pasoja në aspektin e funksionimit të institucionit”

Lidhur me ngecjen e procesit për emërimin e shefit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se sipas juridiksionit për Osmanin e Hotin nuk ka sanksione.

“Në aspektin kushtetues dhe ligjor nuk ka pasoja juridike në raport me Presidentin dhe Kryeministrin për mos përmbushjen e obligimeve lidhur me emërimin e Drejtorit të AKI-së brenda afatit ligjor.  Për arsye se nuk ka mekanizëm apo sanksion penal qe do të obligonte institucionet e ndjekjes për të filluar procedura penale në raport me Presidentin apo Kryeministrin për mos përmbushjen e obligimeve të tyre Kushtetuese apo ligjore”, ka thënë ai.

Mirëpo kjo vonesë, sipas Miftarajt ka pasoja në aspektin e funksionimit të institucioneve të sigurisë dhe kredibilitetin e institucioneve qendrore në Kosovë

 “Në aspektin e funksionimit të institucioneve të sigurisë ka pasoja për vet institucionin e AKI dhe kredibilitetin e institucioneve qendrore në Kosovë, respektivisht liderëve institucional të cilët edhe në raste të tilla bëjnë politika ditore, nuk arrin pëlqim dhe bashkëpunim institucional për të pasur institucione që udhëhiqen në bazë të Kushtetutës dhe Ligjit. Edhe ky është një ndër ato rastet, ku dëshmohet se liderët institucional premtojnë institucione me kredibilitet, qeverisje të mirë dhe sundim të ligjit, përderisa në mundësinë e parë që iu vie, të njëjtit veprojnë më shumë autoritet kundër këtyre parimeve”, ka thënë më tutje ai.

Në nëntor të 2019, Kreshnik Gashi ishte emëruar shef i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI).

Në krye të Inteligjencës, Gashi erdhi nga pozita e kryetarit të bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).

Gashi zuri vendin e Shpend Maxhunit, i cili kishte dhënë dorëheqje. Por, edhe Kreshnik Gashit nuk i zgjati shumë posti i kryespiunit.

 Pas 1 viti e 22 ditësh në krye të AKI-së atij, sot, iu kërkua largimi nga detyra. Kërkesa erdhi nga kryeministri Avdullah Hoti, në dakordin me u.d. presidenten, Vjosa Osmani.

Të dy këto institucione, të cilat emërojnë dhe shkarkojnë drejtuesit e AKI-së, nuk patën ndonjë sqarim se pse u kërkua lirimi nga detyra i Gashit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat