Vetëvendosje pa prijës liste në zgjedhje, rirenditje s’bën as AAK-ja e as Nisma

Aktuale

Vetëvendosje pa prijës liste në zgjedhje, rirenditje s’bën as AAK-ja e as Nisma

Më: 30 janar 2021 Në ora: 16:28

(E plotësuar 18:22) - Sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur mbledhjen e radhës.

Në këtë mbledhje u bë e ditur se administratorët e KQZ-së kanë telefonuar gjithësej 48 mijë e 712 mërgimtarët për t’i verifikuar si votues.

Nga ky numër 8 mijë e 466 persona nuk  i janë përgjigjur telefonatave.

KQZ ka bërë të ditur se të njëjtit do të tentohet që përsëri të verifikohen përmes telefonatave të radhës.

Në këtë mbledhje po ashtu u bë e ditur se Vetëvendosje nuk e ka ndryshuar listën e kandidatëve për deputetë, që i bije se kjo parti shkon në zgjedhje pa bartës liste.

***

Lëvizja Vetëvendosje do të jetë pa prijës në listës e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 14 shkurtit, pasi partia nuk ka bërë rirenditje të kandidatëve në listë, pasi Gjykata Supreme vendosi për moscertifikim të disa kandidatëve të kësaj partie, përfshirë kryetarin e saj Albin Kurti që ishte numri një në listë.

Në mbledhjen e së shtunës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që pasi partitë s’kanë vendosur për rirenditje, nuk i takon këtij institucioni të bëjë ndryshime nëpër lista.

Tek Vetëvendosje, pos numrit 1, atij të Albin Kurtit, janë hequr nga lista edhe emrat e Albulena Haxhiut dhe Bajram Mavriqit.

Rirenditje s’kanë pranuar të bëjnë as Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Nisma Socialdemokrate.

(17:47) - Sekretariati i KQZ-së është në procesin e vlerësimit të zotësisë juridike të votuesve të cilët kanë aplikuar për të votuar si votues nga jashtë vendit.

Kryeshef Ekzekutiv i këtij institucioni, Burim Ahmetaj, ka dhënë shifrat për votuesit e regjistruar deri më tani dhe ata që janë verifikuar.

“Nga baza aktuale e të dhënave janë 178,026 aplikues nga jashtë vendit, ndërsa vlerësimi i zotësisë juridike është bërë për 13,657 aplikues apo 77,88 për qind të aplikacioneve që janë të regjistruara. Të aprovuara janë 127,639 aplikacione dhe në pritje për aprovim janë 10,964”.

Ai në mbledhjen e KQZ-së ka treguar se nga qendra e thirrjeve janë realizuar 48, 712 thirrje deri më tani dhe se nga kjo shifër 41,131 janë të konfirmuara. 115 aplikues kanë deklaruar se s’janë ata që figurojnë në data bazë.

Ahmeti njoftoi se 8466 persona s’e kanë hapur telefonin, por se janë në proces e sipër për provuar t’i kontaktojnë sërish.

Për këtë punë janë shtuar linja telefonike dhe tani janë në funksion 33 linja telefonike.

***

Yll Buleshkaj nga Zyra për Regjistrim të Partive dhe Certifikim ka bërë të ditur se Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, nuk kanë bërë rirenditje të kandidatëve në listat garuese për deputetë të Kosovës, pasi Gjykata Supreme nuk i certifikoi të plota këto lista.

Ai ka thënë se në numrat në broshura, ku mungojnë emrat e kandidatëve, do të hijezohen për të mos lejuar gabime nga qytetarët.

***

Ka nisur mbledhja e KQZ-së, ku pritet të vendoset për listat me kandidatët për deputetë, pas vendimit të Gjykatës Supreme.

***

Komisioni Qendror Zgjedhor mban mbledhjen e radhës sot në ora 17:00. Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, konfirmoi se ky institucion ka njoftuar partitë politike se deri në ora 16:00, ato mund të njoftojnë KQZ-në për ri-renditjen e kandidatëve për deputetë.

“KQZ, përmes Zyrës për regjistrimin e certifikimin e subjekteve politike, i ka njoftuar subjektet politike, që janë pjesë e Aktgjykimeve të Gjykatës Supreme dhe vendimeve të PZAP-it, se deri sot në orën 16:00 mund të njoftojnë KQZ-në lidhur me ri-renditjen e kandidatëve për deputetë”, ka thënë ai.

Dje Gjykata Supreme ka vendosur për ankesat e subjekteve politike, ku nga pesë ankesat të subjekteve politike, dy prej tyre janë pranuar pjesërisht.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka mbetur jashtë listës. Mbetet të shihet se si do të ri-radhiten emrat në listat e kësaj partie dhe partive tjera meqë në numrat e mbetur të zbrazët, sipas vendimit të gjykatës, nuk mund të vendosen emra të tjerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat