​Haradinaj: Nëse dështon zgjedhja e presidentit mund të shkojmë prapë në zgjedhje

Aktuale

​Haradinaj: Nëse dështon zgjedhja e presidentit mund të shkojmë prapë në zgjedhje

Më: 13 janar 2021 Në ora: 15:10
Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se nuk kanë vija të kuqe për asnjë subjekt politik, meqë një gjë e tillë sipas tij do të bllokonte krijimin e institucioneve të reja që do të dalin pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Ai në një konferencë për media ka bërë të ditur se po garon në këto zgjedhje me synim postin e presidentit, teksa ka folur edhe për programin e partisë për këto zgjedhje që siç tha ai kanë paraparë fondin 1 miliard euro për rimëkëmbje ekonomike.

Ramush Haradinaj, i cili synon të marrë postin e presidentit të vendit në pranverën e këtij viti, tha se zgjedhjet e 14 shkurtit ‘janë ndryshe’.

Haradinaj: Nëse dështon zgjedhja e presidentit mund të shkojmë prapë në zgjedhje

“Jemi të vetëdijshëm që këto zgjedhje janë ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme dhe çelësi i suksesit të tyre është edhe zgjedhja e presidentit të vendit. Nëse kjo dështon, e dimë po ashtu që krejt procesi zgjedhor dhe vendi mund të shkojë prapë në zgjedhje, andaj duke udhëhequr me vendin si president në këtë kohë të sfidave, po ashtu kemi marrë përgjegjësi të jemi edhe gardian i të gjitha çështjeve të interesit kombëtar të shtetit të Kosovës”, tha ai.

Haradinaj tha se AAK është në përfundim të përpilimit të listës me kandidatë për deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Haradinaj: Sot përmbyllim listën me kandidatë për deputetë

“Aleanca në këto zgjedhje hyn më e përgatitur se ndonjëherë më parë, e kemi përfunduar programin e partisë i cili është një program i jashtëzakonshëm dhe i fokusuar në përgjigje konkrete për situatën ekonomike, gjendjen me pandeminë. Po ashtu, në program kemi fondin e rimëkëmbjes prej 1 miliard euro dhe jemi në proces të përmbyllim sot listën e kandidatëve për deputet për Parlamentin e Kosovës”, tha Haradinaj.

Ndërsa nuk do të ketë koalicion parazgjedhor për garën e 14 shkurtit, kreu i AAK-së ka lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me të gjitha subjektet e tjera politike.

Haradinaj: Pas zgjedhjeve nuk kemi vija të kuqe me asnjë subjekt politik

“Pas zgjedhjeve nuk kemi vija të kuqe me asnjë subjekt politik për shkak se e dimë që këto vija të kuqe do të pengonin krijimi ne institucioneve, sepse kërkohet një shumicë, dy të tretat në Kuvend dhe kësisoj ne do të bllokonim vendin. Kushdo që merr pozicion të vijave të kuqe, ai e ndihmon bllokimin e institucioneve pas zgjedhjeve dhe rrezikon vazhdimësinë institucionale të Kosovës”, tha ai.

Ndryshe, në konferencën për media Haradinaj i ka bërë thirrje mërgatës që më 14 shkurt të marrin pjesë në zgjedhje. Ndër të tjera, ai ka prezantuar edhe një kandidate nga diaspora, Arbnora Hasani, e cila jeton në Gjenevë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat