Flet për herë të parë bashkëluftëtari i Adem Jasharit: Ky është rreziku më i madh që i kanoset luftës së UÇK-së

Aktuale

Flet për herë të parë bashkëluftëtari i Adem Jasharit: Ky është rreziku më i madh që i kanoset luftës së UÇK-së

Më: 30 dhjetor 2020 Në ora: 17:56
Jakup Nura, bashkëluftëtar i Adem Jasharit

Jakup Nura, bashkëluftëtar i Adem Jasharit është rrëfyer për herë të parë për luftën e përbashkët me Adem Jasharin qysh nga vitet e 80’ta. Nura theksoi se rreziku më i madh që i kanoset luftës së UÇK-së është nga pushtuesi me të cilin u përballën në luftën e fundit në Kosovë.

“Kjo është e kuptueshme. Interesimi më i madh për njollosjen e ushtarëve të UÇK’së është pushtuesi që e kemi pasur në vijën e frontit. Mund të ndodh edhe ndonjë aleat i tyre sepse ata kanë pasur shumë miq. Jam i lumtur sepse me pastërtinë e luftës sonë e kemi bërë gjithë bashkësinë ndërkombëtare që të protestojë dhe të na përkrahë neve“, ka thënë ai në emisionin “Frontal”.

Nura tha se ishin me fat që gjenerata e luftës së fundit korri fitore në luftën ndaj armikut.

“Si aktivitet populli shqiptar për liri nuk është ndalur kurrë. Ka pasur me dekada e me vite që ka luftuar për liri. Ne si gjeneratë na ra të përpiqemi të vijmë deri këtu dhe deshi fati si gjeneratë korrëm fitore që kishte munguar deri tash. Organizimet atëherë ishin më të dobëta dhe mungonte një bashkëveprim i popullit tonë“, ka deklaruar më tutje ai.  

Ai foli edhe për njohjen me komandantin legjendar, Adem Jashari dhe vazhdimin e rrugës bashkë më të për lirinë e vendit.

“Veprimtaria ime nis qysh në shkollën fillore. Pastaj në shkollën e mesme jam burgosur një muaj burg për disa kaseta që ata i cilësonin me përmbajtje armiqësore. Isha në vitin e tretë të shkollës së mesme. Adem Jasharin e njoha në fund të viteve të 80’ta dhe shumë shokë të tjerë që pastaj e kemi vazhduar rrugën e kemi ardhur deri këtu”, ka thënë ai.

Një frikër që ka mbizotëruar anëtarët e Lëvizjes Popullore të Kosovës, përfshirë edhe Adem Jasharin ka qenë edhe mos njohja me shumë njerëz.

“Ne ishim një grup të cilët ishim anëtarësuar ose ishim pjesë e Lëvizjes Popullore të Kosovës. Ata ishin Adem Jashari, Adem Nura, Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Fatmir Istogu, Naim Kerolli…Gjatë gjithë kohës sa kemi vepruar në legalitet ne e kemi pasur dëshirën dhe frikën që mos me njoft shumë njerëz. I kemi njohur vetëm ata që duhet dhe që nuk bën pa i njohur. Sa më shumë njerëz të njohësh rreziku ka qenë më i madh”, ka pohuar ai.

Bashkëluftëtari i Adem Jasharit, foli edhe për parullat që i kanë shkruar së bashku në organizime e në demonstrata. Ndër to ishte edhe thirrja “Kosova Republikë”.

“Atëherë ka qenë koha kur u zhbë Kushtetuta e Kosovës. Ne u dashke me e mbrojt atë dhe me avancu me të jo me zbrit një shkallë më poshtë,. Ne i mbronim liderët tani siç ishte Adem Demaçi. Patrullat ishin “Kosova Republikë”, e të tilla. Këto i kemi shkruar në rrugë të asfaltuara, në duvare të shtëpive. Atë kohë e kemi mbuluar një pjesë të Drenasit, një pjesë të Mitrovicës dhe Skenderajt”, ka rrëfyer ai.

Më tutje Nura, tha se asokohe bashkë me Adem Jasharin dhe bashkëluftëtarët e tjerë kanë qenë vazhdimisht në shënjestër të armikut.

“Tani është e vështirë me e sqaru rrezikun e asaj kohës. Ne si grup që kemi vepruar në atë kohë kemi qenë të rrezikuar. Kemi vepruar gjysmë ilegalisht. Disa veprime i kemi bërë edhe haptazi. Jemi rrezikuar në çdo aspekt. Kemi qenë në shënjestër të armikut dhe shumica nga ne kemi qenë të identifikuar nga ta. Bashkë me Adem Jasharin kemi qenë edhe pjesë e Lëvizjes Popullore të Kosovës”, ka potencuar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat