Kosova në prag të zgjedhjeve, partitë politike nisin t’i çojnë njëra-tjetrës oferta publike për koalicione

Aktuale

Kosova në prag të zgjedhjeve, partitë politike nisin t’i çojnë njëra-tjetrës oferta publike për koalicione

Më: 24 dhjetor 2020 Në ora: 17:44
Ilustrim

Krahas përgatitjeve për zgjedhje, partitë politike janë edhe para vendimeve, nëse do të garojnë të vetme apo në koalicione. Në PDK janë të hapur për koalicione, por me kushte.

“Në koalicionin me Nismën apo koalicion me çfarëdo partie tjetër, mund ta diskutojmë, mirëpo gjithnjë duke konsideruar se PDK ka një subjektivitet të saj të cilin e ruan dhe për këtë kohë, asnjë lloj vendimi nuk e kemi në atë drejtim. Natyrisht partitë që kanë dëshirë të flasin me PDK, jemi të hapur”, tha Uran Ismaili, sekretar Organizativ në PDK.

Të gatshëm për koalicion por duke ruajtur partinë nga mundësia e shkrirjes, janë edhe në Nismën Socialdemokrate.

“Nisma është subjekt politik. Nuk do të shkrihet asnjëherë në asnjë subjekt tjetër politik. Nisma do të vazhdojë të qëndrojë si subjekt politik, Nisma Socialdemokrate. Nisma mundet, ashtu siç bëjnë të gjitha partitë tjera politike në botë, të bëjë koalicione me subjekte të tjera varësisht nga marrëveshjet”, shprehet Endrit Shala nga Nisma Socialdemokrate.

Ndryshe nga partitë tjera, Alternativa që drejtohet nga Mimoza Kusari Lila, tashmë e ka ndarë mendjen për koalicion.

“Bashkëpunimin që e kemi filluar me LVV, besoj pa dyshime do ta vazhdojmë në zgjedhjet e radhës. Kësaj here në një marrëveshje zyrtare në mes të subjekteve, jo të individëve, do të thotë jo unë si kandidate për deputete bashkë me një përfaqësues të Alternativës por si subjekte politike”, tha Mimoza Kusari-Lila, kryetare e Alternativës.

Me Vetëvendosjen, gatishmërinë për koalicion e ka shprehur edhe AKR e Behgjet Pacollit. Por në Vetëvendosje deklarojnë se ende është herët për koalicione.

“Deri më tani nuk kemi hapur tema për koalicione parazgjedhore. Rrjedhimisht nuk kemi qëndrim akoma për këtë çështje”, thotë Artan Abrashi nga VV.

E në LDK janë të bindur se kjo parti do të dalë e para në zgjedhje, qoftë edhe e vetme. E gjithë kjo bazohet ndër të tjera edhe në 31 vitet e ekzistencës së saj.

VOXLDK i dha vendit dy presidentë e tre kryeministra. LDK që drejtoi nga qershori i këtij viti koalicionin qeverisës, është e gatshme të sprovohet me subjektet tjera në zgjedhjet e lira demokratike sepse për ne, LDK-në, zëri i sovranit, zëri i qytetarit të Kosovës është më i rëndësishmi”, u shpreh Isa Mustafa, kryetar i LDK-së.

Në krejt këtë situatë, ata që nuk mendojnë për koalicione për shkak se kanë vendet e garantuara janë minoritetet jo serbe.

“Si komunitet jo shumicë i kemi vendet e garantuara kështu që garojmë veç e veç, edhe nëse nuk mund të hyjmë në koalicion me asnjë parti tjetër”, shprehet Fikrim Damka, grupi parlamentar 6 Plus.

Gatishmërinë për koalicione e kanë shprehur hapur edhe AAK e Ramush Haradinajt, ndonëse nuk janë deklaruar ende se me cilën parti.

Historiku i lidhjes së koalicioneve mes forcave politike në Kosovë është shumë i pasur. Ato kanë arritur të lidhin koalicione edhe atëherë kur nuk pritej. Prandaj edhe për këto zgjedhje të parakohshme, pritet që të ketë koalicione ndoshta edhe mes forcave politike të cilat janë shumë rivale njëra me tjetren. Koalicione këto që mund të arrihen para apo pas zgjedhjeve”.

Sidoqoftë, forcat politike ende kanë edhe pak kohë, pasi data e zgjedhjeve të parakohshme nuk është shpallur. Për këtë arsye, edhe afatet ligjore për certifikim në KQZ të partive apo koalicioneve, ende s’kanë filluar të rrjedhin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat