Para e pas zgjedhjeve – Kush me kë do të bëjë koalicion në Kosovë? Nuk përjashtohet bashkëpunimi LVV – PDK

Aktuale

Para e pas zgjedhjeve – Kush me kë do të bëjë koalicion në Kosovë? Nuk përjashtohet bashkëpunimi LVV – PDK

Më: 23 dhjetor 2020 Në ora: 22:58
Foto ilustrim

Gjykata Kushtetuese e ka dërguar Kosovën në zgjedhje të parakohshme duke e shpallur të pavlefshme votën e deputetit Etem Arifi e cila ishte determinuese për formimin e qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Avdullah Hoti dhe këto zgjedhje duhet të mbahen brenda 40 ditësh.

Partitë politike do të kenë kohë të shkurtër që të organizojnë kampanjat e tyre zgjedhore dhe gjithashtu do të ketë pak kohë që të formohen koalicione të mëdha para-zgjedhore

Por kësaj, subjektet të cilat do të garojnë në zgjedhje e me theks të veçantë partitë më të mëdha në vend, Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës zhvillojnë një diskurs jo-miqësor ndaj njëra-tjetrës.

E në këtë drejtim, cilat mund të jenë koalicionet para dhe pas zgjedhore? Kush me kë do të bëhet bashkë për të formuar mazhorancën e re në Kuvendin e Kosovës?

Analisti dhe njohësi i çështjeve politike, Shkodran Ramadani në një prononcim për media është shprehur se në këto zgjedhje do të ketë koalicione para dhe pas zgjedhore.

Sipas tij, dy koalicione parazgjedhore pothuajse të sigurta janë bashkimi i Lëvizjes Vetëvendosje me listën e Vjosa Osmanit dhe bashkimi i Nismës me Partinë Demokratike të Kosovës.

“Do të ketë koalicione para dhe pas zgjedhore. Parazgjedhore është gati i sigurtë bashkimi i Lëvizjes Vetëvendosje me listën e Vjosa Osmanit dhe po ashtu shumë i gjasshëm, bashkimi i PDK-së me Nismën, këto dyja janë në nivel parazgjedhor dhe natyrisht nuk përjashtohen parti të tjera që mund t’i bashkohen këtyre koalicioneve ose të bëjnë ndonjë listë për të hyrë bashkërisht në garë për zgjedhje.”, tha Ramadani 

Sa i përket koalicioneve paszgjedhore, Ramadani e sheh si koalicionin më të mundur atë midis Lëvizjes Vetëvendosje dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, por shprehet se mund të ketë edhe një koalicion midis Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

“Pas zgjedhjeve, rritja e LVV-së e ka bërë më të lehtë shmangjen e LDK-së dhe PDK-së e gjithashtu përballja me LVV me LDK ka vendosur një vijë të kuqe mes tyre. I mundshëm është koalicioni Vetëvendosje – PDK, mirëpo koalicioni më i mundshëm sipas të gjitha gjasave është ai i LVV-së me AAK-në. Për mendimin kjo është hierarkia e mundësive. LVV – AAK, pastaj LVV – PDK, dhe në fund LVV – LDK. Vetëvendosja e ka hequr vijën e kuqe për PDK-në, por nuk e favorizon bashkëpunimin.”, tha Ramadani.

Ramadani shprehet se varet nga rezultati nëse do të ketë koalicion midis PDK-së dhe LVV-së.

“Kjo varet shumë nga rezultati. Nëse VV i merr përmbi 35 për qind nuk do të ketë nevojë për PDK-në, nëse merr shembull 30 për qind, atëherë nuk do të mundet që vetëm me AAK-në ta bëjë një shumicë, sepse AAK-ja do të ketë rreth 9 për qind. Kështu që, kjo varet prej rezultatit.”, shprehet tutje ai.

Në pyetjen lidhur me ndikimin që mund të ketë bashkëpunimi i Vjosa Osmanit me Lëvizjen Vetëvendosje, Ramadani shprehet se më shumë se vota në Vetëvendosje, Osmani do të dërgojë entuziazëm tek votuesit e Vetëvendosjes.

“Është një pjesë e elektoratit të LDK-së më e afërt me VV-në, por kjo nuk është masë e mjaftueshme që të kalohet pragu. Ajo është e detyruar të hyjë në listën e VV-së. Vota do të mund të dërgonte, por jo shumë, por sinergjia do të ishte pika kryesore, do të krijonte entuziazëm se VV-ja po rritet me figura të fuqishme. Kjo do të jetë më stabile për VV-në sesa numri i votave sepse Osmani nuk ka ditur të sillet me votuesit e LDK-së dhe është parë si jo-besnike”, tha ai.

Në fund, Ramadani shprehet se Nisma PDK-së mund t’ia sigurojë 1-2 për qind më shumë në rezultatin e përgjithshëm.

“Për 1-2 për qind do ta ndihmojë PDK-në të distancohet nga LDK-ja me përqindje të votuesve. Por do të jetë e pamjaftueshme për ta zvogëluar dallimin e madh me VV-në”, tha Ramadani në fund.

Më tutje, analisti Rasim Alija shprehet se është më e lehtë të arrihen koalicionet parazgjedhore sesa ato pas zgjedhjeve. Sipas tij, i vetmi koalicion që mund të ndodh para zgjedhjeve është rikthimi i Nismës në PDK.

“Shumë më e lehtë është të arriten koalicionet parazgjedhore sesa ato pas zgjedhjeve, sepse para zgjedhjeve mund të ndërtohet një bashkëpunim në bazë të analizave. Në këtë frymë, aktualisht koalicioni i vetëm parazgjedhor që mund të bëhet do të ishte ai ndërmjet Nismës dhe PDK-së, një bashkim, ose një rikthim i Nismës në taborrin e tyre, në trupin elektoral prej ku kanë dalë. Ky bashkëpunim mund të jetë, por gjasat që secili subjekt të shkojë veç e veç në zgjedhje janë të mëdha. Për dallim prej pas rezultatit zgjedhor ose certifikimit të zgjedhjeve kur nevojiten votat që të formohet legjislatura e re dhe qeveria, ndryshojnë matematikat, edhe subjektet që potencialisht kanë vendosur vija të kuqe ndaj njëra-tjetrës do të mund t’i shihnim bashkë, por deri në fund të koalicioneve paszgjedhore nuk iu dihet. Në vitin 2017 kemi pasur një koalicion të momenteve të fundit, pra koalicioni PAN.”, tha Alija.

Më tutje, Alija shprehet se nevoja për numër të lartë të deputetëve do t’i detyrojë partitë politike që të bëjnë koalicione mes vetit sepse koalicioni i radhës duhet t’i ketë 70 deri në 80 vota në mënyrë që të mund të zgjidhet edhe presidenti.

Ai shprehet se pas zgjedhjeve mund të kemi situatën ku vendi të shkojë për së dyti në zgjedhje nëse nuk sigurohet mazhoranca e dëshiruar nga partitë politike që të evitojnë ngërçin në zgjedhjen e presidentit dhe proceset e tjera.

“Raste të tilla ka gjasë të përsëriten, por me pak probablitet por si mundësi hipotetike ekziston. Inercioni i caktuar i koalicioneve të tjera mund të nxisë koalicione të tjera ose të përsëritet viti 2017, por si mundësi ka pak gjasa të ndodh. Edhe njëherë po them, sa i përket pjesës së koalicioneve pas rezultateve zgjedhore, gjithçka është e mundshme sepse do të nevijtej shumica dhe partitë politike do të donin ta arrinin një shumicë stabile, she një shumicë stabile nuk mund të rrihet me kuotën përfundi 70 votave, por duhet të arrihen koalicione të tilla që të arrihet 70 deri në 80 vota që të jetë edhe mundësia e zgjedhjes së presidentit, por edhe këto shihen si hipotetike dhe të largëta në kuptimin se gjithçka mund të ndryshojë, madje mund të ishim në aso pozita ku në pamundësi të krijimit të koalicioneve pas zgjedhore, të kishim mundësinë e shpalljes së zgjedhjeve të reja, ndoshta edhe nga pamundësia e zgjedhjes së presidentit, sepse nëse nuk zgjidhet presidenti e çon vendin në zgjedhje me automatizëm. Pra, do të jetë një cikël sa sfidues, do të jetë edhe interesant të shihet, pas rezultatit zgjedhor ku secili subjekt i merr votat e caktuara dhe e di fuqinë e vet elektorale.”, tha Alija.

Alija shprehet se nuk do të ketë koalicione tradicionale. Sipas tij, pas zgjedhjeve do të jetë e vështirë arritja e koalicioneve për shkak të ndarjes së pushtetit ose pazareve politike midis subjekteve të ndryshme.

“Koalicionet e tipit si i kemi parë deri më tani janë gati gati vështirë të arritshme duke parë qëndrimet aktuale të subjekteve politike.  Është flitur shumë për koalicion LVV – LDK, por sipas deklaratave të fundit të zyrtarëve të VV-së ka shumë pak mundësi të arrihet kjo, ani pse këto deklarata shfrytëzohen në fushatë që të dëmtojnë një parti të caktuar politike. Në parim do të jetë e vështirë arritja e një koalicioni për ta ndarë plaçkën politike sepse ajo që quhet pazar politik, në realitet është ndarja e pozitave të caktuara, pa çka asnjë subjekt politik nuk e pranon këtë por quhet marrëveshje për ndarje të pozitave në bazë të programit të tyre.”, shprehet Alija.

Ai krejt në fund, i pyetur lidhur me Vjosa Osmanin shprehet se ajo fillimisht duhet të regjistrojë nismën e saj në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve dhe pastaj t’i bashkohet Vetëvendosjes ose të garojë në zgjedhje.

Por, edhe Alija e sheh si shumë të mundur bashkëpunimin e Osmanit me Lëvizjen Vetëvendosje, por sipas saj kjo do të jetë edhe një goditje ndaj saj pasi do të vërtetohen akuzat e krerëve të LDK-së se ajo ka qenë një filiale e LVV-së brenda LDK-së

“Fillimisht Vjosa Osmani duhet ta regjistrojë listën, inicativën, subjektin në KQZ, nuk është vetëm Vjosa Osmani sepse është bërë praktikë që të bëhen lista të tilla, por rregullat e përcaktojnë që fillimisht quhet të regjistrohesh në KQZ që të mund të arrish pastaj edhe të jesh përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës, mesa e di unë as Alternativa e znj.Kusari nuk është e regjistruar në KQZ, Vjosa Osmani fillimisht duhet ta regjistrojë subjektin e saj në KQZ e pastaj të hyjë në lojë kujt do t’i bashkangjitet ose me kë do të shkojë.  Ne e njohim deklaratën e Osmanit se edhe zogjtë e malit e dijnë afërsinë e saj me z.Kurti dhe mund të themi se destinacioni i saj është në VV. Pozita e saj është më e vështira, sepse po të shkrihej në subjekt politik me LVV-në i vërtetohen të gjitha akuzat nga krerët e LDK-së që ka qenë një filiale e LVV-së në LDK”, tha Alija.

Lidhur me kohën kur do të mbahen zgjedhjet, u.d e presidentes të Kosovës, Vjosa Osmani ka konsultuar partitë politike në Kosovë dhe sot ka deklaruar se data do të mësohet pas verdiktit final të Gjykatës Kushtetuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat