Vetëvendosje: Nuk kemi informacion zyrtar se Gjykata Kushtetuese ka vendosur ta dërgojë vendin në zgjedhje

Aktuale

Vetëvendosje: Nuk kemi informacion zyrtar se Gjykata Kushtetuese ka vendosur ta dërgojë vendin në zgjedhje

Më: 21 dhjetor 2020 Në ora: 21:33
VV

Këshilltari ligjor në Lëvizjen Vetëvendosje, Blerim Sallahu thotë se nuk kanë ndonjë informacion zyrtar nëse Gjykata kushtetuese ka marrë ndonjë vendim.

“Deri më tani nuk kemi ndonjë informacion zyrtarë për këtë çështje, por presim që  Kushtetuesja të vendos në favor të kërkesës sonë sa i përket votës së deputetit Arifi”, tha ai në “Debat Plus”

“Duhet të shkojmë në zgjedhje. Nuk presim që procesi të kthehet në zero”.

Sallahi thotë se Albin Kurti ka dështuar dy herë të marrë mandatin dhe sipas tij nuk ka më vend për prova të tjera.

“Presim nga Ushtruesja e Detyrës së Presidentit që të shpallë datën e zgjedhje”, tha ndër të tjera Sallahu.

Gjykata Kushtetuese më 2 dhjetor mbajti seancë dëgjimore lidhur me kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje për shpalljen të pavlefshme të votimit për zgjedhjen e qeverisë Hoti më 3 qershor, pasi për këtë qeveri kishte votuar edhe deputeti Etem Arifi, i cili kishte një aktgjykim përfundimtar nga Gjykata e Apelit, më 20 gusht 2019, ku ishte dënuar me 1 vjet e 3 muaj burgim për mashtrim me subvencione.

Ndryshe, sipas Kushtetutës së Kosovës, neni 70, mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm, ndër të tjera, nëse një deputet dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim. Etem Arifi, pavarësisht se ishte i dënuar me vendim të formës së prerë, ai mori pjesë në seancën e 25 marsit, ku u rrëzua qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje.

Po ashtu, ai ishte njëri nga 61 deputetët që më 3 qershor votoi për Qeverinë e re të Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri, Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Pjesëmarrjen në votim të deputetit Arifi si dhe ligjshmërinë e qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti e kontestoi Lëvizja Vetëvendosje e cila e ka dërguar këtë rast në Kushtetuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat