Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka përshëndetur fillimin e operimit të pavarur energjetik të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës, si dhe fillimin e operimit praktik, të zonës së re rregulluese energjetike, Bllokut Rregullues Kosovë-Shqipëri.
MPJD e vlerëson këtë si një arritje të madhe për Kosovën, si në planin e brendshëm e gjithashtu edhe në atë të përmbushjes së sovranitetit shtetëror të Kosovës, në fushën e energjisë.
“Themelimi dhe funksionalizimi i bllokut të mëvetshëm të kontrollit energjik Kosovë-Shqipëri, do të forcoj bashkëpunimin energjetik dhe ekonomik kombëtar, si dhe do të garantojë më shumë siguri të operimit dhe balancimit të të dy sistemeve elektro-energjetike”.
“Me këtë rast, Kosova dhe Shqipëria, do të kenë mundësi që t`i shkëmbejnë rezervat në kuadër të dy tregjeve energjetike dhe të ofrojnë më shumë energji për qytetarët dhe bizneset e të dyja vendeve”.
“Presim që ky bashkëpunim të avancohet tutje me themelimin e bursës së përbashkët të energjisë, në kuadër të së cilës do të mundësohet që edhe palët e tjera tregtare të bëhen pjesë e saj”, thuhet në një komunikatë të kësaj ministrie.