Osmani: Ja si po e mban peng Serbia dialogun me Kosovën

Aktuale

Osmani: Ja si po e mban peng Serbia dialogun me Kosovën

Më: 9 dhjetor 2020 Në ora: 12:26

(E plotësuar 12:35) - Kumnova mes lotësh: Mbi dy dekada jetojmë në ankth, Selmanaj e injoroi temën e të pagjeturve

Nysrete Kumnova nga shoqata “Thirrjet e Nënave”, ka marrë fjalën në seancën e Kuvendit, e cila po mbahet me rastin e Ditës Ndërkombëtare të përkujtimit dhe nderimit të viktimave të krimeve të gjenocidit.

Nysrete Kumnova ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të votohet Ligji për të Pagjeturit, në mënyrë që ta ndiejnë dorën e shtetit të pavarur.

Image
Nysrete Kumnova

Në fjalën e saj drejtuar deputetëve, Kumnova tha se familjet e të pagjeturve jetojnë që dy dekada në ankth, pritje, ethe, pikëllim e shpresë.

“U bënë 21 vjet duke kërkuar drejtësi dhe më në fund arrita të dal para jush që të ju bëj thirrje të veproni sa më parë… Ndaloni turrin e Serbisë që të mos ndihet e fituar me historinë e saj vrastare, ndër shekuj, e në luftën e vitit 1999, me mbi 13 mijë viktima”, tha Kumnova para deputetëve.

Tutje ajo tha se familjet e të pagjeturve nuk patën përkrahje nga institucionet vendore e ndërkombëtare.

Mes lotësh, ajo iu drejtua deputetëve që po presin fjalët dhe veprat e tyre për të denoncuar krimet serbe.

“Posti i deputetit është detyrë fisnike e jo profitabile”, tha ajo.

“A e dini sa prindër të pikëlluar kanë vdekur në pritje për një lajm për më të dashurit të tyre, sa nëna i kanë rritur fëmijët në varfëri”, vijon fjalimi i Kumnovës.

“Arban Abrashi na ka vënë në pozitë të vështirë, duke na lënë të zgjedhim mes pensionit të pleqërisë dhe ndihmës së shtetit”, shtoi ajo, teksa përmendi me emra edhe politikanët e tjerë të cilët nuk kanë bërë mjaftueshëm për familjet e personave të pagjetur.

Ajo e përmendi edhe zv.kryeministrin Driton Selmanaj, shkarkimin e të cilit e ka kërkuar pothuajse çdo ditë para Kuvendit, pas deklaratës së tij për të pagjeturit.

“Driton Selmanaj kohë më parë e injoroi temën e të pagjeturve, duke e cilësuar si të konsumuar”, tha ajo ndër të tjera.

Çerkini u tregon deputetëve se çfarë i kishte premtuar Rugova në një takim pas luftës

Bajram Çerkini, kryetar i shoqatës “Zëri i Prindërve” ka folur sot në Kuvendin e Kosovës në një seancë të veçantë me rastin e ditës ndërkombëtare të përkujtimit dhe nderimit të viktimave të krimeve të gjenocidit.

Image
Bajram Çerkini

 

Ndër tjerash, Çerkini foli edhe për një takim që e kishte pasur pas luftës me presidentin historik Ibrahim Rugova, dhe atë që ai i kishte premtuar për fatin e të pagjeturve nga lufta.

“Rahmetlia Ibrahim Rugova – kur kam qenë dy herë te ai – ai njëherë më ka thënë: Kur të bëhemi zot të vetvetes ta shpallim Kosovën Republikë dhe t’i kemi deputetët tanë që të flasin shlirë edhe me ndërkombëtarë, qatëherë ka me u zbardhë edhe fati i të pagjeturve”, tha Çerkini. “Kaloi goxha një kohë. Kaloi goxha një kohë që jeni në këto karriga”, shtoi ai, drejtuar deputetëve.

Ai kërkoi që institucionet e vendit të bëjnë më shumë për zbulimin e fatit të të pagjeturve dhe siç tha Çekrkini, të mos presin që Serbia do ta bëjë vetë këtë.

“Kjo do trysni të madhe prej miqve që na kanë çliru”, tha Çerkini.

Osmani nga Kuvendi: Serbia të kërkojë falje për krimet

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka kërkuar në Kuvend të Kosovës nga liderët serbë që të kërkojnë falje për krimet e kryera gjatë luftës.

Ajo ka thënë se asnjë nga liderët serbë nuk është i gatshëm të ulet e të kërkojë falje.

“A është Serbia e gatshme, jo një jo e madhe, asnjë nga liderët serbë nuk qe e gatshme që të përkulet e t’i kërkojë falje, ta bëjë atë që e bën një qenie njerëzore”, tha ajo.

“Presidenti serb vazhdon ta glorifikojë Millosheviqin, kryetari i Kuvendit serb kërkon nga serbët që të mos i tregojë ku janë varrosur kosovarët, sot kryeministrja serbe i quan të ardhur nga mali kosovarët”, thotë Osmani.

Ajo shton se mospranimi i fajit po e mban peng dialogun.

“Mospranimi i fajit nga Serbia po e mban peng dialogun, e mbi të gjitha mungesa e drejtësisë por ne nuk mund të heshtim e nuk do të rreshtim së punuari”, ka thënë Osmani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat