Më së largu në janar, testet për COVID do të kryhen edhe në gjashtë qendra tjera

Aktuale

Më së largu në janar, testet për COVID do të kryhen edhe në gjashtë qendra tjera

Më: 8 dhjetor 2020 Në ora: 00:51
Zdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti

Zdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka paralajmëruar se gjatë këtij muaji dhe janarit më së largu, do të nisë testimi edhe në gjashtë qendrat tjera të Kosovës dhe se numri i testimeve PCR do të shumëfishohet.

Hoti ka thënë se këto qendra janë pajisur me aparatura për testime molekulare dhe se në Pejë, Prizren dhe Gjilan pritet të fillojnë shumë shpejt për shkak të infrastrukturës që posedojnë.

Por fillimisht për të gjitha qendrat do të ketë nevojë për një trajnim nga ekspertët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

“Lajm i mirë është se përmes projektit të Ministrisë së Shëndetësisë tashmë janë siguruar 6 aparatura PCR, për testime molekulare dhe të njëjtat janë shpërndarë në gjashtë qendra të shëndetit publik, si në Mitrovicë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj, Gjilan dhe Pejë. Në të njëjtën kohë, përveç këtyre aparaturave për testime molekulare, janë siguruar aparatura për të njëjtat qendra për testime serologjike, bashkë me 22 teste. Gjithashtu janë siguruar edhe 81 mijë kite, të cilat do të shpërbejnë për testime molekulare”, ka thënë Hoti.

Ai ka paralajmëruar që testimi në disa prej këtyre qendrave të nisë në dhjetor, e në disa të tjera në janar.

“Gjasat janë shumë të mira që numri i testimeve të shumëfishohet dhe kjo krijon mundësinë që të kemi pasqyrë shumë më të mirë e më të qartë të shtrirjes së virusit në terren dhe diagnostikimit të hershëm për t'i dhënë më shumë mundësi trajtimit të hershëm dhe korrekt të pacientëve”, ka thënë Hoti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat