Policia e Kosovës ka bastisur banesën e një personi, i cili dyshohet se kreu vrasjen e një personi tjetër në lagjen Dardania në Prishtinë.
Mesditën e së dielës një vrasje me armë zjarri ka ndodhur në lagjen Dardania në Prishtinë.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se vrasja ka ndodhur rreth orës 12:00 në rrugën “Bashkim Fehmiu”, dhe se e tërë ngjarja ka ndodhur brenda një veture.
Sipas policisë, i dyshuari është shtetas i huaji, përderisa menjëherë është larguar nga vendi i ngjarjes.
Agron Borovci, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, ka thënë se tashmë është bastisur edhe banesa e të dyshuarit mirëpo që sipas tij, i njëjti nuk është gjetur aty.
“Policia ka kryer një operacion bastisjeje në banesën e të dyshuarit, por i njëjti nuk është gjetur aty”, ka thënë Borovci.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se policia ka zgjeruar gjurmimin dhe kërkimin e provave në një perimetër më të gjërë dhe si rezultat i këtyre kërkimeve është gjetur edhe një revole disa metra larg vendit të ngjarjes.
“Ndërkohë që është bërë edhe gjurmimi dhe kërkimi për prova dhe evidenca të cilat ndërlidhen me rastin në një perimetër me të gjerë të hapësirës ku ka ndodhur ngjarja. Pak më tutje nga vendi i ngjarjes, rreth 100-150 metra nga aty, në një kosh plehrash, policia ka gjetur dhe sekuestruar një revole e cila dyshohet të jetë arma e përdorur nga i dyshuari”, tregoi Borovci.