Kandidati i PDK-së për deputet, Ferat Shala është zotuar se në mandatin e ardhshëm të Qeverisë së Kosovës, me Kadri Veselin kryeministër, do të vazhdojnë investimet për mbrojtjen e mjedisit në të gjitha fushat.
Postimi Shalës në Facebook:
Në vitin 2017 në kohën kur isha ne detyrën e Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, filluam projektet për rregullimin e shtretërve të lumenjve të Kosovës, dhe e dhjetëfishuam buxhetin për këtë sektor.
Miliona euro u investuan për rregullimin e shtratit të Lumit Drenica, Lumit Klina dhe shumë lumenjve tjerë nëpër Kosovë. Sot shumica e këtyre projekteve janë drejt finalizimit dhe gjendja e lumenjve është përmirësuar dukshëm.
Zotohemi se në mandatin e ardhshëm të Qeverisë së Kosovës, me Kadri Veselin kryeministër, do të vazhdojmë investimet për mbrojtjen e mjedisit në të gjitha fushat.
Do të angazhohemi me projekte konkrete për: Ngritjen dhe funksionalizimin e infrastrukturës për trajtimin e ujërave të ndotura; Ngritjen dhe funksionalizimin e qendrave për riciklimin e mbeturinave dhe kapaciteteve komunale për ndarjen e mbeturinave në burim; Zgjerimin e rrjetit të kogjeneritmit dhe kapaciteteve tjera për ngrohje publike në zonat e mëdha urbane; Rritjen e kapaciteteve për prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme; Rehabilitimin e zonave të ndotura nga mbetjet industriale; Ruajtjen dhe promovimin e vlerave të trashëgimisë natyrore në funksion të zhvillimit të ekoturizmit.
Zotohemi se do të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj.